OPINION

Pritshmëri rreziqesh nga prishja e ekuilibrave në Lindjen e Mesme

07:30 - 13.05.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lindja e Mesme në mënyrë të vazhdueshme prodhon ngjarje. Kalimi nga ekuilibri në çekuilibër e përsëri në ekuilibër e kështu në vazhdim, është karakteristikë thelbësore e zhvillimeve në këtë rajon. Në krizën e Jemenit dy aktorët e rëndësishëm të këtij rajoni Irani dhe Arabia Saudite, për pak nuk shkuan në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake. Dhe kjo për faktin se ndajnë interesa krejtësisht të kundërta roli në këtë rajon të pasur me naftë dhe histori. Të dy këta kanë aleatë konkretë në rajon, por dhe jashtë rajonit. Edhe pse kontradikta mes tyre zien, një kontradiktë tjetër apo tensionim i rrezikshëm, është duke u zhvilluar mes Iranit dhe Izraelit, ku përplasen interesa e kontradikta të thella, që shfaqen në qëndrimin ndaj krizës siriane, ku Irani mbështet edhe me përforcime ushtarake regjimin e Asadit, ndërsa Izraeli mbështet opozitën siriane. Vendimi i SHBA për të dalë nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duket se ka shërbyer si nxitje për ashpërsimin kritik të përballjes mes Izraelit dhe Iranit, që kanë përshkallëzuar edhe veprimet ushtarake mes tyre.




Në funksion të interesave konkrete politike, ekonomike e strategjike në rajon, Irani kishte bërë pjesë të politikës dhe veprimit të tij programin bërthamor, që e shpinte, ashtu siç çoi edhe Korenë e Veriut, në prodhimin e armës bërthamore, si komponent i rëndësishëm i rritjes së fuqisë dhe rolit në zhvillimet rajonale e përtej tij. Nisur nga rrezikshmëria e lartë që përbënte ky program bërthamor, por duke mësuar edhe nga përvoja me Korenë e Veriut, fuqitë perëndimore, duke tërhequr edhe aleatin e Iranit, Rusinë, arritën të dakordësohen në nënshkrimin e asaj që njihet si marrëveshja bërthamore me Iranin. Objektivi kryesor ishte të pamundësohej Irani për prodhimin e armës bërthamore, përmes mundësimit të një verifikimi e kontrolli efektiv nga ndërkombëtarët. Edhe pse kjo marrëveshje nuk i përjashton pasiguritë e nuk siguron garanci të plota verifikimi apo pamundësimi të prodhimit të armës bërthamore, është vlerësuar si sukses. Me këtë logjikë ish-presidenti amerikan Obama e nënshkroi marrëveshjen, duke u dakordësuar kështu me disa aleatë perëndimorë , por dhe me Rusinë.

Kjo marrëveshje, nga njëra anë, mundësonte një bllokim apo më mirë një kontroll më efektiv se rasti koreano-verior, por që në një farë mënyre e certifikonte Iranin e qeverinë e tij, si një aktor të rëndësishëm në rajon, që mundësonte lëvizjen më të qetë e komode të axhendave politike, ekonomike e strategjike prej tij, brenda vendit e në rajon. Për arsye komplekse e përballje të hapur interesash në rajon, Arabia Saudite dhe Izraeli nuk e kanë pritur mirë këtë marrëveshje, madje e kanë kritikuar atë, shoqëruar me mosbesimin e shtuar ndaj efektivitetit të kësaj marrëveshjeje, që duhet të kenë bërë trysni sistematike ndaj SHBA, aleatit të rëndësishëm të tyre. Jo rastësisht ishte Izraeli, që duke përdorur shërbimet e veta sekrete, bëri publike dokumente, që shërbyen si bazë për të akuzuar Iranin, se nuk i është përmbajtur marrëveshjes, por e ka shkelur atë. Natyrisht, që ka diskutime e interpretime të ndryshme ndaj tyre, siç ka dhe një hedhje poshtë nga Irani të akuzës se ka shkelur marrëveshjen, po siç ka dhe deklarime nga BE dhe vendet europiane, nënshkruese të marrëveshjes me Iranin, se është zbatuar ajo, apo se nuk janë penguar në realizmin e verifikimeve e kontrolleve.

Në se nuk ndalesh vetëm këtu, por vështron më thellë, atëherë kupton se ka arsye e interesa konkrete, që kanë acaruar së tepërmi marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit aktualisht. Irani, në dallim nga vendet perëndimore, në mënyrë konstante ka qenë dhe është mbështetës, jo vetëm politik, por edhe ushtarak i regjimit të Asadit. Edhe pse nuk mund të mohohet konsumimi i një kontradikte e krimi real i Asadit ndaj popullit të vet, Irani me armë e trupa e mbështet atë dhe lufton e kundërshton opozitën siriane. Këtu ka gjetur dhe është vendosur në krah të Rusisë edhe pse ndajnë interesa jo të njëjta roli në këtë rajon.

Mbështetur në fakte SHBA, Izraeli etj. kanë akuzuar Iranin se mbështet me mjete të ndryshme dhe armë Hezbollah, por dhe financon terrorizmin e ekstremizmin. Edhe në nismën e fundit ushtarake të SHBA, Francës dhe Britanisë së Madhe, kundër disa bazave ushtarake siriane, që mendohet se kanë ndihmuar në kryerjen e një sulmi me armë kimike ndaj popullsisë e kundërshtarëve të regjimit nga Asadi, Irani përsëri ishte në krah të Asadit. Është fakt tashmë që ka një koordinim të Iranit me Rusinë në mbrojtje të regjimit të Asadit për interesa konkrete, ku Irani kontrollon rrugën tokësore dhe Rusia rrugën ajrore. Këto qëndrime i kanë shërbyer kryesisht interesave konkrete të tyre, por gjithsesi kanë qenë në mbrojtje të një regjimi që akuzohet për krime ndaj popullit të vet. Pra, tek interesat e kundërta strategjike e roli në rajon, duhet kërkuar përmbajtja dhe thelbi i kontradiktës dhe niveli i acarimit të saj sot, mes Izraelit dhe Iranit. Ato të ndihmojnë të kuptosh se si po përdoret vendimi i presidentit Trump për të dalë nga marrëveshja, për të avancuar secili drejt objektivave konkrete në rajon. Është fakt tërheqja amerikane nga marrëveshja bërthamore, por është, gjithashtu, fakt se nuk ka tërheqje amerikane nga përgjegjësia e roli i saj në trajtimin e krizës komplekse të këtij rajoni. Gjithsesi, këto zhvillime kanë tensionuar situatën, kanë rritur tensionet e pasigurinë, por dhe kërcënojnë stabilitetin e sigurinë rajonale e më gjerë. Tash mban më shumë erë lufte në rajon. Ajo që tërheq vëmendjen realisht dhe që përbën shqetësim real është një diferencë qëndrimesh mes SHBA dhe BE, të vendeve europiane nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin, sepse shkakton pasiguri për të ardhmen, por dhe trimëron armiqtë e stabilitetit të rajonit, ekstremizmin e terrorizmin. Po kështu, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti, që SHBA ka deklaruar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, të cilat nuk mund të mos prekin edhe aleatët europianë të SHBA.

Me sa duket SHBA, përveç mosbesimit ndaj zbatimit korrekt të marrëveshjes nga Irani, ka gjykuar se kjo marrëveshje ka certifikuar sjelljen e synimet strategjike të Iranit në rajon, apo se në një farë mënyre ka legjitimuar atë që e konsideron regjim apo qeveri të klerikëve, apo se e ka ndihmuar Iranin të shfaqet i hapur në ekonominë botërore e kështu të financojë programin e vet raketor dhe të mbështesë grupet terroriste e aventura konkrete në Siri, Irak, Liban, Jemen etj. Natyrisht, çështja e regjimit iranian është një problem para së gjithash mes tij e popullit iranian edhe pse ajo lidhet qartësisht edhe me sjelljen konkrete të Iranit në rajon. Edhe pse deklarohet se marrëveshja ka funksionuar, skepticizmi këtu është i ligjshëm dhe askush nuk mund të harrojë atë që njihet si përvoja koreano-veriore, që rezultoi një dështim i plotë, që e ka bërë sot kreun e këtij vendi të diskutojë si zotërues i armës bërthamore.

Për të kuptuar më mirë këtë hap të SHBA, mbase ndihmon t’i afrohesh filozofisë së Obamës në vendimmarrjen e tij për ta nënshkruar marrëveshjen. Me sa duket në këtë vendimmarrje mund të ketë ndikuar arsyetimi, se me këtë hap i dërgohej një mesazh Iranit, se mund të bëhej një aleat potencial apo i arsyeshëm dhe kështu do të mundësohej të largohej mendësia e të qenit armiq mes tyre. Kjo, në se do të funksiononte, mund të krijonte një marrëdhënie bashkëpunimi e dialogu në interes reciprok, por që do t’i shërbente edhe zhvillimeve të qëndrueshme në rajon. Është fakt që Irani nuk eci në rrugën e bashkëpunimit me projekte të caktuara me SHBA, por thelloi bashkëpunimin e aleancën me Rusinë, që u rreshtuan së bashku në mbrojtje të regjimit të Asadit. Kjo ecuri besohet të ketë ndikuar edhe në këtë vendimmarrje të fundit të presidentit Trump. Nuk përjashtohet edhe ndikimi i Izraelit, por dhe i Arabisë Saudite, që rivalizojnë për rol në rajon, ndaj vendimmarrjes amerikane. Nuk mund të mohohet fakti, që Arabia Saudite dhe aleatët e saj Sunitë, e shohin Iranin si problemin më të madh në rajon, që e akuzojnë për mbështetje të grupeve të armatosura, jo vetëm në Siri, Jemen, Liban e gjetkë, se financon terrorizmin e ekstremizmin. Për ta një marrëveshje bërthamore me Iranin edhe pse nuk mund të mos vlerësohet, kontradikta me Iranin ka natyrë armiqësore dhe është shumë e pasur në përmbajtje.

Arabia Saudite me aleatët e saj rajonalë dhe Izraeli kanë një kontradiktë ekzistenciale me Iranin, që është shfaqur në mënyrë konstante në zhvillimet në rajon e krizat konkrete. Ndoshta qëndrimi i fundit amerikan ka llogaritur edhe këtë kontradiktë komplekse mes tyre. Qeveria amerikane është në të drejtën e vet të përcaktojë qëndrime të tilla, aq më tepër që ka mundësinë të sigurojë edhe një informacion sa më të plotë. Gjithashtu, SHBA nuk kanë deklaruar vetëm sanksione të reja, por kanë hedhur edhe idenë e një marrëveshje të re, që është kundërshtuar prerë nga Irani. Nuk mund të parashikohet tani fati i kësaj ideje, por nuk mund të mos merren në konsideratë pasojat ndaj aleatëve perëndimorë, në se SHBA aplikon sanksione të reja ndaj Iranit. Natyrisht, që SHBA do të marrë në konsideratë të gjithë elementët përbërës dhe ato gjeopolitikë. Irani po luan në linjën, që deri sa ka mbështetjen e nënshkruesve europianë dhe të Rusisë, ka interes të vazhdojë marrëdhëniet ekonomike e tregtare, duke premtuar se do respektojë marrëveshjen, por askush nuk mund të parashikojë fatin e këtij qëndrimi e mos ndodhemi para faktit që Irani t’i kthehet avancimit të programit. Ky do të ishte vërtet një zhvillim tepër negativ që ushqen konfrontimin e destabilizimin e rajonit. Tash Irani po tregohet elastik, për të përfituar sa më shumë nga situata e krijuar, nga lëvizja e SHBA.

Edhe pse nuk mund të flitet para kohe, përsëri, SHBA nuk mund të anashkalojë pasojat për aleatët e vet, në rast të vendosjes së sanksioneve të reja. A do të shkohet drejt një kontradikte të zhvilluar mes SHBA dhe BE? Gjithsesi, ky hap amerikan i tërheqjes nga marrëveshja bërthamore, bashkë me sanksionet e menduara, ka krijuar idenë se ndodhemi përballë një perëndimi të përçarë, që nuk mund të mos sjellë pasoja të tjera, apo që të trimërojë më shumë luftënxitësit e luftëdashësit, ekstremistët, terrorizmin e aventurizmin. Kjo vendimmarrje e SHBA trondit ekuilibrat e vendosur në rajon edhe pse të brishtë dhe mund t’i shërbejë një kthimi të cilësisë së situatës, të ngjashëm me atë të vitit 1979, hapjes së një ere pasigurie e konfrontimi. Ky veprim i SHBA mund të ndikojë edhe në cilësinë e marrëdhënieve mes aktorëve kryesorë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo në tronditjen e ekuilibrave globalë. Megjithatë, pritshmëri tepër të lartë ka si do ecë kontradikta në zhvillim mes SHBA dhe Iranit, që ka mbrapa si mbështetës Rusinë, por edhe për tensionim të situatës në gjithë rajonin e afër tij, ecuria e mundësisë së animit nga fuqia e përdorimi i forcës, ndezja e zjarrit të konflikteve të vjetra, apo e shpërthimit të ndonjë konflikti të ri.

Presidenti amerikan Trump ka deklaruar qartë se synon paqen dhe se nuk ka dëshirë për luftëra të mëtejshme në Lindjen e Mesme. Megjithatë, tërheqja nga marrëveshja nuk jep garanci më shumë për paqe, por për mundësi të mëdha tensionimi e konfrontimi, për kriza konkrete. Vërtet në këtë moment Irani deklarohet se do të respektojë marrëveshjen, por askush nuk mund të parashikojë se ç’mund të ndodhë, kur SHBA të deklarojë sanksione të reja ndaj Iranit, sepse mund ti kthehet edhe hapur avancimit të programit bërthamor. Cili do të ishte reagimi më i mundshëm i SHBA në një rast të tillë? Vështirë do të ishte se nuk do të reagonte, madje me vendosmëri. Në momentin aktual tërheq vëmendjen kontradikta në zhvillim apo një demonstrim i forcës mes Izraelit dhe Iranit. Izraeli e ka përshëndetur me vendosmëri tërheqjen amerikane nga marrëveshja, por mes tyre ka pasur dhe veprime ushtarake.

Mes Izraelit dhe Iranit janë shkëmbyer goditje me raketa, që ka ngritur shqetësimin për një fillim lufte mes tyre. Ndërsa Irani ka goditur me raketa pozicione të Izraelit në lartësitë Golan, Izraeli ka goditur me raketa pozicione ushtarake iraniane në Siri, si depo armësh, stacione radarësh apo pozicione mbrojtëse. Nga mediat mësohet se nga ky sulm janë vrarë 23 ushtarë jo sirianë dhe sirianë. Ajo që duket tash mendohet si produkt i drejtpërdrejtë i krizës siriane. Megjithatë, kontradikta në interesa mes tyre ka përmbajtje më të pasur. Irani për një periudhë disa vjeçare pas vitit 2011 ka rritur ndikimin e pjesëmarrjen e tij në Siri, por dhe Siria ka rritur vartësinë nga ndihmat e Iranit. Irani ka një strategji e objektiva kompleksë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë. Irani ka aleat e mbështetjen e Rusisë në rajon, por zhvillimet e fundit e kanë vënë në vështirësi e mbase në rrethim, për shkak të aktivitetit të Turqisë, Izraelit dhe SHBA. Në këto rrethana nuk mund të mos tërheqë vëmendjen se Izraeli, megjithëse aleat strategjik i SHBA, ka dhe marrëdhënie të mira me Rusinë. Madje ka dhe zëra se shkëmbejnë informacione të rëndësishme në këtë krizë e ndoshta dhe më tej. Veprimet ushtarake tani janë në nivelin e provokimeve dhe të dy këto vende mbajnë kokën nga marrëdhënia mes SHBA dhe Rusisë, nga çfarë mendojnë dhe çfarë bëjnë për krizën siriane e përtej saj. Irani duket se ka më shumë interesa strategjike për Irakun, të cilin nuk e dëshiron të destabilizuar dhe në se mundësohet atje një stabilizim, mund të mendohet dhe një rol tjetër i Iranit në krizën siriane. Irani dhe Rusia janë bashkë në këtë moment në krizën siriane, por dallimet në interesa strategjike janë të dallueshme. Ka shumë tension e pasiguri, por dhe një retorikë force e akuzash reciproke. Në fakt, tensionet e përplasjet mes Izraelit dhe Iranit nuk janë një fenomen i ri edhe pse dëshmojnë një shtim të veprimeve ushtarake, që i bëjnë marrëdhëniet mes tyre në një gjendje lufte. Që nga viti 2012 Izraeli ka ndërmarrë më shumë se 100 sulme ndaj pozicioneve iraniane në Siri. Izraeli gjithashtu, e akuzon Iranin, jo vetëm për mbështetje të Asadit, por edhe si mbështetës të terrorizmit. Nisur nga historia e grindur e këtij rajoni, mund të mendohet, sikur ka një normalitet brenda anormalitetit, por realisht ka mundësi të madhe lufte apo të shpërthimit të ndonjë konflikti tepër të rrezikshëm, jo vetëm për sigurinë rajonale, por dhe për stabilitetin botëror. Rivendosja e ekuilibrave edhe ashtu të brishtë, bëhet i mprehtë, por dhe gjakftohtësia e nevoja për të vënë në punë dialogun e diplomacinë, gjithashtu, është bërë tepër e mprehtë. Po kështu, në çdo rast, nevojitet të shmanget sidomos ndonjë lloj konflikti me natyrë fetare, mes sunitëve e shiitëve.

Në këto kushte nuk mund të mos kishte një reagim nga BE, përmes dy nënshkruesve të marrëveshjes bërthamore me Iranin, Kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron, që pas shkëmbimit të sulmeve mes tyre, u bëjnë thirrje Izraelit dhe Iranit të kontribuojnë për shtensionimin e situatës. Ky reagim dëshmon edhe shqetësimin e lartë për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës, por dhe përgjegjshmërinë e rolin që këto vende europiane dhe BE, mund të luajnë në drejtim të uljes së tensioneve e të konfrontimit, për rivendosjen e ekuilibrave dhe ruajtjen e stabilitetit e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Kancelarja Merkel ka plotësisht të drejtë kur mendon se përshkallëzimi i situatës në këtë rajon, është çështje e luftës dhe paqes, sepse duket qartë që Izraeli dhe Irani, po veprojnë edhe ushtarakisht, duke bërë përgjegjës njëri-tjetrin, pa u përqendruar te përgjegjshmëria që kanë për stabilitetin e rajonit e përtej tij. Deklarata e ministrit izraelit Lieberman, që pasi e vlerësoi sukses aksionin ushtarak të vendit të tij, nënvizoi se shpreson që ky episod të marrë fund dhe gjithkush ta ketë kuptuar, është pozitive, por nuk mjafton për një reflektim, sa më të thellë, për situatën në këtë rajon, të lodhur e të shkatërruar nga luftërat e krizat. Në këto momente merr vlerë të veçantë heqja dorë nga demonstrimi i fuqisë dhe forcës ushtarake, rikthimi te dialogu, për të mundësuar uljen e tensioneve, shmangur rrezikun e luftës dhe ruajtjen e stabilitetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.