EKONOMI

Ahmetaj: Ulet me 10 % tatimfitimi, përfitojnë 10 mijë biznese

08:00 - 17.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu që ndan bizneset e vogla nga i madhi do të rritet në 14 milionë lekë, nga 8 milionë lekë që është sot. Kjo do të sjellë automatikisht ulje të tatim fitimit nga 15 në 5% për 10,850 biznese, që janë gjysma e bizneseve që paguajnë tatim fitim në nivelin e 15%. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat. Ahmetaj tha se do të rishikohet dhe ligji i koncesioneve, ku në thelb të tij do të jetë heqja e propozimeve të pakërkuara nga biznesi. “Ministria e Financave ka materializuar draftligjin për mendimmarrje në institucione të tjera dhe besojmë që ky ndryshim do të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janari i vitit 2019. Për statistikë, janë 21 mijë sipërmarrje që janë objekt i tatimfitimit 15%, me luhatje të qarkullimit nga zero deri në miliarda, dhe nga këto, 10,800 apo 50% të tyre iu zbritet tatimfitimit në 5%. Pra, duke iu shtuar dhe atyre që përfitojnë nga tatim-fitimi i thjeshtësuar, bëhen mbi 93 mijë biznese që kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë takse. Që do të thotë, se nga 110 mijë biznese aktive, mbi 93-95 mijë e kanë tatim fitimin nga 5 deri në zero. 90% e bizneseve të Republikës së Shqipërisë kanë përfituar ulje takse, janë 90 % e sipërmarrjeve shqiptare që në mandatin e parë dhe të dytë të qeverisë Rama, kanë përfituar ulje të ngarkesës fiskale. Janë 93-95 mijë biznese nga 110 mijë biznese”-tha Ahmetaj.




Rritja ekonomike dhe punësimi
Ekonomia shqiptare arriti rritjen më të madhe në 10 vjet, me 3.84% dhe pritet që të vazhdojnë me këto ritme, tha ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Kjo ka ardhur nga investimet e brendshme, të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend. Papunësia në rajon është më e ulëta, ndërkohë që trendi është në rënie. Numri i të punësuarve ka arritur në 560 mijë, me rreth 240 mijë të punësuar më shumë në krahasim me vitin 2013, duke iu referuar listëpagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Hapësirat për punësim janë ende të larta, tha Ahmetaj, sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Ahmetaj përmendi dhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë për rritjen e besimit në ekonomi, i cili u rrit me 3.7 pikë në tremujorin e parë 2018. “Indeksi i shifrës së afarizimit shënoi rritje prej 4.7% në tremujorin e fundit të vitit 2017. Për investimet e huaja, Shqipëria ka nivelin e dytë më të lartë në rajon, pas Malit të Zi, në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Eksportet kanë vijuar rritjen e qëndrueshme, me 18% për tre mujorin, ndërkohë që në kahun tjetër ka një rritje të lartë të importeve për makineri dhe pajisje edhe ky një tregues pozitiv për investimet e brendshme”-tha Ahmetaj.

Të ardhurat
“Të ardhurat tatimore, për janar-prill janë rritur me 4.5% në krahasim me faktin e katër muajve të parë të 2017-s. Kursi i këmbimit ka dëmtuar të ardhurat në dogana me 1.3 miliardë lekë, por shpresojmë ta kompensojmë me efektivitet në administrim”,- tha ministri. Ahmetaj tha se janë rreth 5 mijë biznese të reja, që janë shtuar neto në katër muajt e parë të vitit. Ai shtoi se inflacioni në muajin prill ka qenë në nivele normale prej 2.1% dhe kjo tregon se nuk ka pasur ndikim në rritjen e çmimeve nga ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë.

Kursi
Lidhur me kursin e këmbimit Ahmetaj tha se ai është ndër më të qëndrueshëm në rajon. Ai reflekton faktorët fondametalë, si përmirësimi i bilancit të pagesave, akomodimi i politikave dhe investimet e larta të huaja. Ahmetaj tha se qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bëheshin ndërhyrje. Për eksportuesit e fasonëve, Ahmetaj tha që luhatja e kostove nga kursi për ta është e kufizuar nga 2 në 3%, për shkak se ata kanë një vlerë të shtuar të ulët, prej maksimumi 20%. Ai rekomandoi që eksportuesit të shohin më shumë nga produktiviteti dhe jo nga kostot.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.