AKTUALITET

Hapat që duhet të ndjekin fituesit e Lotarisë Amerikane për tokën e premtuar

09:36 - 17.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Dy ditë më parë të gjithë ata që aplikuan për Lotarinë Amerikane kanë pasur mundësinë të kontrollojnë nëse janë përzgjedhur ose jo. Kandidatët për të parë përgjigjet përfundimtare duhet të vendosnin në përdorim numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim, duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve. “Gazeta Shqiptare” publikon sot të gjitha hapat që duhet të ndjekin fituesit për të jetuar e punuar në “tokën e premtuar”, në një kohë që ambasada amerikane bën me dije se të përzgjedhurit do të informohen nga vetë autoritetet për ditën e nisjes së procedurave të vizës.




Hapat pas përzgjedhjes

“Vetëm pasi ju të jeni përzgjedhur, pasi t’u jeni përgjigjur udhëzimeve të njoftimit të mundësuar për ju nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit, si dhe pasi të ketë filluar shqyrtimi i rastit tuaj, vetëm atëherë ju mund të merrni në vazhdim e-maile komunikimi nga QKK-ja që ju njofton juve të shikoni Kontrollin e Statusit të Aplikimit për informacione të reja rreth aplikimit tuaj”,-theksohet në faqen zyrtare të ambasadës.

Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se të përzgjedhurit e programit DV-2018, duhet të plotësojnë formularin elektronik DS-260 e sa më herët ta bëjnë këtë, aq më shpejt do të kenë mundësinë e caktimit të datë së intervistës për vizë. Caktimi i datës së intervistës varet nga dy faktorë: numri i fituesit (sa më i ulët të jetë aq më shpejt caktohet intervista) dhe plotësimi i formularit DS-260 që gjendet në faqen e internetit të Qendrës së Aplikimeve Elektronike Konsullore.
Verifikimi i të dhënave

Përpara intervistës për vizë, rekomandohet rishikimi i të dhënave që fituesi ka dhënë në aplikimin e tij fillestar për lotarinë. “Sigurohuni që të keni dhënë informacionin e saktë mbi statusin tuaj civil në momentin e aplikimit fillestar. Nëse ju ishit i/e martuar në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë, ju duhet të kishit përfshirë bashkëshortin/en tuaj në atë aplikim fillestar (edhe nëse keni qenë në proces divorci)”,-thekson ambasada amerikane. Më tej kjo e fundit nënvizon se përjashtim bëjnë rastet kur bashkëshorti është nënshtetas amerikan, ose banor i përhershëm i ligjshëm.

Gjithashtu, aplikantët duhej të kishin përfshirë të gjithë fëmijët të pamartuar dhe nën 21 vjeç në momentin e aplikimit fillestar. Me fëmijë nënkuptohen fëmijët biologjikë, dhe thjeshtërit- fëmijët e bashkëshortit/es, apo fëmijë që janë ligjërisht, pavarësisht nëse jetojnë me fituesin ose jo. Gjithashtu, fituesit duhet të sigurohen që kanë ngarkuar fotografinë e saktë për çdo pjesëtar të familjes në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë pasi ngatërrimi i fotografive në aplikimin fillestar do të rezultojnë në refuzimin e vizës për aplikantin dhe familjen e tij.

Mosdeklarimi i bashkëshortit/es ekzistues, apo i fëmijës ekzistues në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë do të rezultojnë në refuzimin e vizës për fituesin gjithashtu. Çdo tarifë e paguar ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara për aplikimin për vizë nuk rimbursohet. “Nëse në momentin e aplikimit fillestar, ju nuk keni përfshirë një fëmijë ekzistues, apo një bashkëshort/e me të cilën ishit i martuar (pra, statusi juaj civil ishte “i martuar” në momentin e aplikimit fillestar), atëherë mos vazhdoni me procedurën e aplikimit për vizë.”-thekson më tej ambasada.

Mesazhe mashtrimi

“Nëse ju keni marrë një postë elektronike (e-mail) që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe në mënyrë që të vazhdoni me aplikimin tuaj ju duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, ju jeni viktimë e një mashtrimi”,-thuhet në faqen zyrtare të ambasadës amerikane. Vitet e shkuara, aplikantët fitues njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK) me anë të postës, JO me e-mail dhe të përzgjedhurve u jepeshin udhëzimet se si të vazhdonin në hapat e mëtejshëm të procesit.

QKK-ja nuk ju kërkon aplikantëve që të dërgojnë para atyre, apo ndonjë ambasade tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me postë apo nëpërmjet shërbimeve si Western Union. Për ata që kanë aplikuar për DV-2019, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit. Kjo është e vetmja mënyrë me të cilën do të marrin njoftim të statusit të aplikimit kandidatët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.