AKTUALITET

Miratohet plani i veprimit antikorrupsion për vitet 2018-2020

13:20 - 17.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ina Allkanjari – Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave miratoi planin e veprimit 2018-2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit. “Duke u nisur nga raporti i fundit i Transparency International mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe renditjen e Shqipërisë e 91-ta në listën e 168 vendeve të përzgjedhura për studim, nevojitet një impenjim edhe më i madh në luftën kundër korrupsionit”,-thuhet në Fletoren Zyrtare. Për këtë shkak Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e Komitetit Koordinator për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, që kryesohet nga ministri i Drejtësisë. Gjithashtu, u vendos krijimi i Task Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion dhe u përcaktuan tregues të matshëm me qëllim pasqyrimin sa më të qartë të performancës së institucioneve dhe realizimit të objektivave të strategjisë. Për realizimin e punës Task Forca krijon grupe të posaçme inspektimi me specialistë të ministrive ose institucioneve qendrore, të cilët zbatojnë procedurat e kontrollit apo të verifikimit.




“Task-Forca harton dhe miraton një program pune si dhe kalendarin e inspektimeve, ku përcaktohen detyra dhe afate konkrete për grupet e posaçme të inspektimit. Kur vlerësohet e përshtatshme, në mbledhjet e Task Forcës mund të marrin pjesë edhe përfaqësues nga institucionet e tjera shtetërore, në veçanti ato që ushtrojnë funksione trajtimi të ankesave, inspektimi, auditimi dhe kontrolli të brendshëm”,- thuhet në Fletoren Zyrtare. Më tej në Fletoren Zyrtare theksohet se në përfundim të çdo inspektimi apo kontrolli, nga grupet e posaçme të inspektimit hartohet raporti që do t’i paraqitet Task Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion, me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Task Forca e dërgon raportin pranë titullarëve të institucioneve përkatëse për marrjen e masave të duhura. Sakaq në total janë 84 institucione të përfshira në këtë plan, konkretisht 11 ministri, 12 institucione të nivelit qendror dhe 61 bashki.

Plani i veprimit
Korrupsioni është një kërcënim për demokracinë, mirëqeverisjen, konkurrencën e ndershme, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi. Ai pengon rëndë zhvillimin ekonomik, duke krijuar një sistem pabarazie, paragjykimi e nepotizmi, duke shkatërruar besimin e njerëzve tek shteti i tyre, prandaj lufta kundër korrupsionit është sot një nga sfidat parësore të çdo shteti me kulturë demokratike, vizion dhe integritet të lartë. Kjo problematikë e bartur ndër vite e mjaft komplekse, është kthyer në një nga çështjet më sensitive për shoqërinë tonë, dhe si e tillë lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për qeverinë shqiptare, por përbën një nga 5 prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane. Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit, përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese. Prej vitit 2015 Shqipëria ndjek dhe zbaton Strategjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit. Gjatë trevjeçarit të parë institucionet implementuan masa konkrete antikorrupsion të parashikuara në Planin e Veprimit 2015-2017. Nga Raportet e Monitorimit të hartuara nga KKK-ja u vërejt se 85% e masave të parashikuara në Planin e Veprimit u realizuan plotësisht ose pjesërisht. Për këtë arsye, si dhe duke u nisur nga raporti i fundit i Transparency International mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe renditjen e Shqipërisë e 91-ta në listën e 168 vendeve të përzgjedhura për studim, nevojitet një impenjim edhe më i madh në luftën kundër korrupsionit. Për këtë shkak, KKK-ja në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe për arritjen e objektivave të parashikuar e vlerësimin e indikatorëve të performancës është hartuar Pasaporta e Indikatorëve në zbatim të SNKK-së, duke shpjeguar metodologjinë e detajuar për kalkulimin e vlerave të baseline dhe target të paraqitura nga institucionet, janë përcaktuar tregues të matshëm me qëllim pasqyrimin sa më të qartë të performancës së institucioneve dhe realizimit të objektivave të strategjisë. Në korrelacion me Pasaportën e Indikatorëve dhe të 37 indikatorëve të performancës, Plani i veprimit 2018-2020, pas një bashkëpunimi të mirë koordinuar me të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe vendor, përmban 97 masa konkrete antikorrupsion të ngritura mbi bazë rezultati, performance, impakti, në funksion të 18 objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.