Kronikë

27-vjeçari gjendet i vdekur në paraburgim, familjarët akuza policisë: E vratë në qeli

12:40 - 18.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

KORÇË – Një 27-vjeçar nga Korça, i cili ishte arrestuar katër ditë më parë për vjedhje me dhunë është gjetur i pajetë në ambientet e paraburgimit të këtij qyteti. Bëhet fjalë për Enea Ftojn, baba i tre fëmijëve. Mësohet se i riu pritej që dje do të dilte në sallën e gjyqit për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërkohë që është gjetur i pajetë në qeli. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bënë me dije se “Më datë 17.05.2018, jemi njoftuar se në dhomat e sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë ka vdekur shtetasi Enea Ftoj, i arrestuar në datë 14.05.2018, për veprën penale ‘Vjedhja me dhunë’. Nga këqyerja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga informacionet paraprake dyshohet se viktima ka qenë përdorues i lëndëve narkotike. U ngrit grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, si edhe për të kryer veprimet e nevojshme procedurale”. Lajmi për vdekjen e 27-vjeçarit ka shokuar familjarët e tij, të cilët akuzojnë policinë se kanë ushtruar dhunë mbi djalin e tyre.




Tejet të tronditur, ata kanë protestuar para komisariatit të policisë, duke kërkuar që të zbardhet sa më shpejt e vërteta e kësaj ngjarjeje. Ndryshe nga blutë që thanë se Ena Ftoj ishte përdorues i drogave të forta dhe se në trupin e tij nuk janë gjetur shenja dhune, të afërmit e viktimës u shprehën se ai është dhunuar pas arrestimit në flagrancë në pazarin e qytetit të Korçës (i ka vjedhur me dhunë varësen e floririt një qytetareje). “Policia la tre fëmijë jetimë, pasi u mbyti babain”, pohuan pjesëtarë të familjes Ftoj. Pas reagimit të familjarëve, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së Enea Ftojt brenda në qelitë e komisariatit. Mësohet se është caktuar një prokuror dhe dy oficerë të policisë gjyqësore për të vijuar hetimet dhe kryerjen e veprimeve të ngutshme procedurale. Gjithashtu, prokuroria ka sekuestruar kamerat e ambienteve të komisariatit dhe dhomave të sigurisë, ndërsa janë marrë në pyetje efektivët e policisë, që kanë qenë në detyrë gjatë mbrëmjes së të mërkurës dhe mëngjesin e të enjtes. Sakaq, ekspertiza mjeko-ligjore pritet të kryhet nga dy ekspertë, njëri i pavarur dhe një tjetër nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, e cila do të zbulojë shkakun e vdekjes se 27-vjeçarit Enea Ftoj.


AKUZAT E FAMILJARËVE
Detaje tronditëse janë publikuar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Korçës. Familjarët e 27-vjeçarit Enea Ftoj, i cili u gjet i vdekur në Komisariatin e Policisë në Korçë, kanë mundur të fotografojnë trupin e pajetë të djalit të tyre, i cili po i nënshtrohej autopsisë. Sapo kanë mësuar ngjarjen e rëndë, ata i janë drejtuar morgut të spitalit të Korçës, në pritje të përgjigjes së ekspertizës. Në foton që kanë mundur të sigurojnë familjarët e viktimës, dallohen shenja dhunë në fytyrën dhe kokën e të riut. Shenja të dukshme dhune vërehen në pjesën e syrit dhe mbi vetull. Ndërkohë që një shenjë tjetër dallohet në pjesën e kafkës. Gjithashtu, familjaret e thanë që policia nuk i kishte njoftuar për vdekjen e Eneas. “Ne kemi folur në telefon me Enean dhe ai na tha që ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Na e vrau djalin policia. Nuk ishte i sëmurë, ishte përdorues heroine, policia na tha që ishte mirë. Njoftimin për vdekjen e tij e morëm nga gjykata sot (dje), pasi ishte seanca për masën e sigurisë”, u shprehën ata.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.