KULTURË

Bashkim Shehu: Besoj në letërsinë që shkruhet në ekstazë të akullt

12:50 - 18.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Prej Barcelonës ku jeton prej vitesh, shkrimtari Bashkim Shehu këtë muaj ka ardhur në Tiranë. Mes angazhimeve që merr përsipër, ato të letërsisë i ka më përzemër. Rrëfimet mbi letërsinë, raporti me kujtesën, amullinë e kahershme e mjegullën që shohim përpara, shkrimtari dje u ndal te të gjitha, teksa u bë pjesë e Festivalit




“Ditënetët e librit” që po mbahet në Muzeun Historik Kombëtar nga data 16 deri më 20 maj. Në hollin e jashtëm të MHK, i njohur si Atriumi, një hapësirë e bollshme për takime letrare, shkrimtari ishte përballë gazetarit Ben Andoni dhe përkrah përkthyeses spanjolle Maria Roces Gonzales.

Andoni e nisi bisedën duke vënë në dukje se Bashkimi është i njohur për letërsinë dhe përkthimin, letërsinë e tij cilësore ndërsa Maria ka vite e angazhuar me letërsinë e tani do përkthejë përrallat klasike në spanjisht. E pyetur se si i erdhi mundësia për të përkthyer, Gonzales kujtoi se ka nisur të përkthente në Radio Tirana. “Më 1984 themeluam me tim shoq një shoqatë, sepse u kthyem në Spanjë. Ai përkthente unë kisha angazhime të tjera. Iu riktheva te përkthimi kur Ramon u sëmur rëndë dhe prej 2011-ës kur ai ndërroi jetë jam marrë vetëm me përkthimin”.

Ndërsa shkrimtarin prodhimtar e të qetë që punon shumë e pa zë, siç e prezantoi Ben Andoni Shehun, u pyet se si i menaxhon punët.

“Unë nuk shkruaj ngutshëm. Shkruaj shumë ngadalë. Jo më shumë se 2 faqe në ditë. Gjej në mëngjes dy orë për të shkruar e më pas merrem me përkthim e aktivitete të ndryshme kulturore. Prej disa vitesh nuk kam punë fikse. Jam freelance. Shkruaj në mëngjes”,-tha ai.

I pyetur nëse stabiliteti emocional i rëndësishëm e i nevojshëm për të shkruar, Bashkim Shehu tha se për të qetësia nuk është e nevojshme, është e domosdoshme.
“Unë kam nevojë për qetësi që të shkruaj. Ka autorë që shkruajnë nën stres e nga dhimbja. Unë besoj në të shkruarën në qetësi. Besoj në atë ekstazën e akullt siç shkruan Tomas Man”.


SHKRIMTARI DHE POLITIKA
Por sa dhe si duhet ta përfshijë veten shkrimtari në veprimtari social-politike?
Për Shehun nuk ka formulë fikse.
“Si t’i vijë shkrimtarit. Nëse do të bëjë letërsi të angazhuar, le ta bëjë. Nuk ka asnjë detyrim si shkrimtar të bëjë a të mos bëjë. I vetmi detyrim i shkrimtarit si shkrimtar është të bëjë letërsi. Ndërsa si qytetar, sidomos po të jetë i njohur, ka detyrime ndaj publikut, sepse pritet prej tij e në këtë sens ka detyrim moral që të japë ndikimin e tij përmes emrit të tij”,-tha Shehu.
Mandej sa e rëndësishme është Shqipëria në laboratorin krijues të Shehut si shkrimtar?
Për këtë pasi u mendua një hop ai tha se janë kujtimet që zënë vend në letërsinë e tij. Por kujtimet nuk janë patjetër gjërat konkrete të jetuara, kujtimet janë ajo lloj atmosfere e kujtimeve e mbamendjeve. “Ndihem mirë në atë botë mes imagjinatës e reales, një kujtim i vagullt. Ndërsa ngjarjet e sotme janë më pak në laboratorin krijues, por gjejmë edhe tek ato tek-tuk ndonjë perkursion”.

Përkthyesja Gonzales tha se veprat e tij janë të ndryshme si në stil. “Fjalori Udhëzues është krejt ndryshe nga Angelus Novus. Shehu është përmirësuar si shkrimtar dhe admirimi im për të është shtuar. Shqipja rri mirë në gjuhën spanjolle. Kam kërkuar edhe për referencat që ka përdorur. Më është dashur të bëj një master për burgun e Burrelit. Me Fjalorin u desh të lexoja Borgesin për të kuptuar Bashkimin”,-tha ajo.
I pyetur nëse arrin të shpikë teknika në laboratorin krijues tha se ka përdorur regjistra stilistikë të ndryshëm nëpër vepra.
“Dallimi është në personazhe. Disa i bëj të zakonshëm e disa të pazakonshëm.
Nuk më sjell vështirësi kalimi nga përkthimi në shkrimin e një vepre. Vështirësia është kalimi nga një vepër në tjetrën. Nëse kam nisur një vepër të re menjëherë pasi kam mbyllur një tjetër, është e sigurt se kam hedhur disa fletë në kosh plehrash, derisa kam gjetur tastierën e duhur. Domethënë më duhet pak kohë, qetësi që të kaloj në veprën tjetër”, tha ai.

MES CHAGALL E PICASO
I pyetur se me kë ngjan mbi sa i takon mënyrës së punës si artist, Shehu tha se është mirë të përfitosh nga të tjerët.
“Po sjell dy tipa idealë: jo se jam më lartësinë e tyre, por i marr si shembull se janë të njohur të dy.
Është Chagalli i përsosur me mënyrën e vet, e Picaso që përdor disa mënyra pune. Po e krahasoj veten me Picason, vetëm si model pune. Provoj disa mënyra. Ndërsa nga shkrimtarët bashkëkohorë ndjej afrimitet me Danilo Kish e Roberto Bolano”.
Për të letërsia nuk ka kufi. Bolano e Kish nuk janë larg se pas tyre është Borges që përthyhet në mënyra të ndryshme te njëri e te tjetri.
Ka dhe autorë shqiptarë që i ndjen të afërt si Migjeni, Kuteli dhe Kadare sigurisht e veç shkrimtarëve Shehu pranoi se ka mësuar shumë edhe nga përkthyes si Pirro Misha dhe Aurel Plasari.

KRIZA E LETËRSISË
Po ku konsiston kriza e letërsisë bashkëkohore?
Për Shehun nuk ka asgjë të pakthyeshme. “Është folur në modernitet për vdekjen e romanit, vdekjen e artit, vdekjen e Zotit si të ishte një vazhdë nekrologjish. Por asgjë nuk ka vdekur. Romani nuk ka vdekur, as arti e as letërsia. Ka rënie të letërsisë në krahasim me fillimin e viteve ’20. Tani janë kulturalisht kohë të këqija”,-tha ai. E megjithëkëtë dilemës nëse e penalizon një gjuhë e vogël një letërsi të madhe-Shehu tha se e penalizon në raport me përhapjen e përkthimin, por jo me cilësinë.
Duke sjellë shembullin e letërsive që kanë komunikuar në kohë e vende të ndryshme kanë pasur pikëtakime u soll në vëmendje edhe gjasa e një përqasje në kohët tona.
“Sigurisht që ka. Nuk ka më censurë dhe mënyrat e komunikimit nuk mungojnë. Letërsia jonë është në të njëjtën valë e në të njëjtën sintoni me të tjerat.
Mund të them se vepra që dua më shumë është ajo që sapo kam lënë. Është e dhimbshme që dua më pas të jetë më i mirë.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.