MILOSAO

Martesa e Figaros (Die Hochzeit Des Figaro)

12:55 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dr. Sul Gragjevi  – Mu dha rasti ta shijoj edhe ‘Martesen e Figaros’ në DeVos Performance Hall ashtu si Don Giovannin, dy herë, në Grand Rapids dhe Çikago.
Në Tetor të vitit 1781, Mozarti ishte i mërzitur përsëri me një libretist për operan. Ai arriti në Vienë në muajin Mars me shumë shpresë, me ambicje dhe me krenari për suksesin e operas së tij Idomeneo.
Në të vërtet, Mozarti ishte i punësuar te Kryepeshkopi i Salzburgut, por po i vinte fundi shërbimit të tij. Në moshën 25, për herë të parë ai mbetet i lirë në jetën e tij, i pavarur dhe tërësisht pa ndonjë mbështetje.
Opera ishte objektivi i parë i Mozartit. Tradita e pasur e teatrit Vienez, me operat Italiane, dramat Frënge, komeditë muzikore Gjermane, tërhoqën kohët e fundit Perandorin Jozef II. Si rezultat, e para opera Vieneze e Mozartit ishte singspieli Gjerman “Die Entführung aus dem Serail” (Rrëmbim nga Sarajet, 384). Çfarë thoshte Mozarti:”Unë nuk di, por mendoj që në një opera poezia duhet të jetë absolutisht vajza e bindur e muzikës. Pse operat Italiane janë të suksesshme kudo – pavarësisht libreteve të dobët? …. Sepse në to muzika sundon në mënyrë supreme, dhe ju harroni çdo gjë tjetër. Natyrisht një opera do të jetë gjithmonë më e këndshme kur ajo është punuar mirë e bukur ….. gjëja më e mirë prej të gjithave është kur kompozitori, i cili kupton diçka rreth skenës dhe është i aftë të zbatojë disa nga sugjerimet, të bashkëpunojë me një poet inteligjent, ai është vërtet Feniks …” Ishte koha kur pas dy muajve, në javën e fundit të vitit 1781, Feniksi i vërtetë do të arrinte në Vienë. (Michael Rose, The Birth of an Opera)
Gjithashtu, Mozarti shkruan:” … Konti Rosenberg i Princit Galicin (drejtor i oborrit të teatrove) foli me mua dhe më sugjeroi që unë duhet të shkruaj një opera Italiane. Unë isha gati për tekstin e aranxhuar të operas buffa nga Italia por ende nuk e kisha marrë në dorë …. Disa këngëtarë Italianë do të vijnë këtu për Pashkët …” por Mozarti nuk ishte i sigurt dhe për këtë ai kishte një ide për një tjetër libret Gjerman. Në fakt, opera buffa Italiane filloi përsëri dhe ajo ishte shumë popullore. Mozarti kaloi në dorë njëqind librete, ndoshta edhe më shumë, por praktikisht asnjë nuk e kënaqi. Do të ishte më mirë e më lehtë, siç pretendonte vetë Mozarti, që të gjendej një poet i cili do ta ndihmonte atë që të shkruante diçka komplete të re. “Poeti ynë është këtu, padyshim, Abbate Da Ponte” theksonte Mozarti, “ai filloi një punë të rëndësishme në rishikimin e pjesëve për teatrin dhe duhet të shkruante ‘per obbligo’ një libret tërësisht të ri për Salierin. Ai më premtoi se pasi ta përfundonte këtë, do të shkruante një të ri për mua. Por nuk jam i sigurt nëse do të jetë i aftë të mbajë fjalën ose a do të ketë dëshirë. Por, megjithatë, në qoftëse ai është i lidhur me Salierin, unë kurrë nuk do të marrë gjë prej tij”. Ishte ndikimi i Salierit që ishte siguruar pozicioni i poetit për kompaninë e re Italiane drejtori i së cilës e donte Da Ponten. Por Mozarti e shihte gjithmonë me dyshim të madh Salierin dhe se pozitën e tij në Vienë e shihte të frikshme dhe të pafavorshme. Da Ponte shumë shpejt afrohet me Mozartin dhe bëhet libretisti i tij më i rëndësishëm, libretisti i tri operave, ‘Don Giovanni’ 527, ‘Martesa e Figaros’ 492 dhe ‘Cosi fan tutte’ 588 (Kështu bëjnë të gjitha) Për të dytën, Perandori Jozef II thoshte që :” e kuptoj se komedia e njohur ‘Martesa e Figaros’ ishte propozuar në përkthimin gjermanisht për Kärntnerthor Theater të Vienës. Meqenëse kjo pjesë është tepër ofenduese, e pakëndshme, unë e pranoj që censori do ta refuzojë ose do të kërkojë të bëhet ndryshim që të mos mbaj përgjegjësi për atë performancë dhe për ndikimin ndaj publikut”. Mirëpo, Franc Niemeçek, mik i Mozartit dhe jetëshkrues Çek, thoshte se censurimi i operas së Mozartit në Vienë nuk do të aplikohet me të njëjtën rreptësi si për teatrin. Por Mozarti fatkeqësisht nuk e përmendi Figaron në disa letra të cilat mbijetuan nga periudha e kompozimit të tij, ai pati nevojë t’i shkruante libretistit të tij zyra e të cilit që ishte në Burgtheater, nuk qe larg tij.





Në fakt, sipas Da Pontes, në Vienë ishin dy kompozitorë që gëzonin respekt të veçantë, Vicente Martin, kompozitor Spanjoll i cili favorizohej nga Perandori Jozef dhe Wolfgang Mozart.
Martin kompozoi një opera dramma giocosso në dy akte, “Burbero di Buon Cuore” me libret Italian të Da Pontes i bazuar në një komedi Frënge të Carlo Goldonit, “Le burru bienfaisant”.
Megjithëse Mozarti ishte i pajisur me talent dhe qëndronte mbi të gjithë kompozitorët e tjerë në botë, ai ishte gjithmonë përballë armiqve të tij të cilët e shikonin me xhelozi si gjeniun e Vienës. Një ditë, thoshte Da Ponte, shkova te Mozarti dhe e pyeta nëse kishte dëshirë të kompozonte muzikë për një dramë që mund ta shkruaj për të. “Unë fillova të mendoj për zgjedhjen e dy subjekteve që mund të ishin të përshtatshëm për të dy kompozitorët të cilët ndryshonin me njëri-tjetrin nga stili i kompozimit, Mozart dhe Martin”. Më në fund, Mozarti i kërkoi Da Pontes që të mund të adaptonte komedinë e Beaumarchais, “Martesa e Figaros” si libretto.
Da Ponte e pranoi si ide dhe i sugjeroi se do ta bënte për çfarë kërkonte. Në fillim ekzistonte një vështirësi që duhej kapërcyer, dhe për këtë, Da Ponte i sugjeroi Mozartit që të punonin për muzikën dhe libretin fshehurazi dhe të prisnin për një mundësi të favorshme pasi t’ia kenë treguar drejtorëve të teatrit ose madje, edhe Perandorit. Çdo gjë kishte përfunduar, muzika dhe teksti brenda gjashtë javësh. Reputacioni i Mozartit kishte filluar të rritej nga koncertet e pianos. Por të mos harrojmë që pa Da Ponten në Europë dhe në të gjithë botën, kurrë nuk do të kishim parë tri masterpjesët më madhështore të Mozartit. Është gjithashtu e qartë, se Da Ponte në vitet e mëvonshme luajti një rol të rëndësishëm në jetën e Mozartit.
Reputacioni subversiv i “Martesës së Figaros” (Le mariage de Figaro) ishte në një masë të madhe një produkt i kohës politikisht të paqëndrueshme në të cilën shfaqej. Thelbi i vërtetë i dramës, më tepër është social sesa satirë politike rreth të cilës Beaumarchais shkroi komedinë komplekse, zbavitëse, një përzierje e komedisë, romancës dhe e kritikës së fuqishme sociale, për të cilën ishte e domosdoshme të bëhej një libret i realizueshëm. Babai i Mozartit, Leopold, jetonte me të birin në Vienë deri nga fundi i Prillit (1785) dhe nuk dinte asgjë rreth projektit që kish lënë, dhe në një letër që kish marrë nga i biri nga mezi i Shtatorit, nuk përmendej asnjë fjalë për një opera ndërsa I burbero di Buon Cuore, nuk u shfaq deri në Janarin e vitit 1786. Megjithatë, Mozarti u përqëndrua në muzikën e operas dhe se roli i tij ishte në fakt i jashtëzakonshëm ashtu si i vetë libretistit. Da Ponte e njihte mirë opinionin e Mozartit dhe thoshte se ky, e di që suksesi i operas varet në radhë të parë NGA POETI: që pa një poemë të bukur, një argëtim nuk mund të jetë përsosurisht dramatik.
Një kompozitor në lidhje me dramën, sipas Da Pontes, ashtu si një piktor me ngjyrat, kurrë nuk mund të fitojë efektet që kërkon, po t’mos i gjallërojë fjalët e poetit që kanë të bëjnë me subjektin, karakteret, me anën komike, të shkruaj recitativ të shkurtër e me substancë. Kështu, figurat e komedisë së Beaumarchais të ri-projektuara në mënyrën më të përsosur nga Da Ponte, morën nga duart e Mozartit krejtësisht një dimension të ri.
Mozarti dhe Da Ponte nisën të shkruajnë komedinë më të gjatë e më të ndërlikuar deri atëhere.
Don Giovanni ishte opera madhështore, Cosi fan tutte ishte më e sofistikuar, Flauti Magjik ishte krejtësisht diçka tjetër, pas të qeshurit, nuk ka opera më humane se ‘Martesa e Figaros’. Tre këngëtarë të njohur në Vienë që kishin kënduar në operan e Paisiellos në Vienë, një vit më parë, ishin Nancy Storace, Francesco Benucci dhe Maria Mandini. Luisa Laschi, një soprano Italiane e re ishte duartrokitur si Rozina në operan e Paisiellos dhe ri-dalja e saj si Kontesha, premtonte për një sukses në vazhdimësi për të njëjtën audiencë.


Të dy, Francesco Benuci (për të cilin Mozarti kish një opinion të lartë) dhe Stefano Mandini ishin me përvojë dhe Jozefi II i kishte tërhequr për kompaninë e tij origjinale të vitit 1783, bashkë me tenorin Michael Kelly dhe sopranon Angleze, Nancy Storace. Një kronikë-mbajtës, Johann Pezzl shkruante që “interpretuesit në opera janë zgjedhur me kujdes dhe të paguar mirë. Mandini dhe Benucci janë dy aktorë buffo të përkryer”.
Storace ishte Susanna e parë e njohur në atë rol si soprano-soubrette e audiencës së operas buffa ndërsa Francesco Bussani ishte një bass me përvojë që këndoi në rolin e Don Bartolo’s, një rol i afërm në traditat e operas buffa. Bartolo, në fakt, ka qenë roli komik në ‘Berberin’ e Paisielos.
Stefano Mandini, luajti rolin e vështirë të Kontit, por që këndoi si tenor në rolin e Almaviva’s te opera e Paisiellos dhe tani e përsëriti atë rol si një bariton i Mozartit.
Aria e Figaros “Non piu andrai” u këndua nga Francesco Benucci, bass-bariton, gjallërisht dhe me zë të fuqishëm ndërsa Mozarti, sotto voce, thoshte, Bravo! Bravo! Benucci dhe, kur Benucci iu afrua pasazhit të bukur “Cherubino, alla vittoria, alla gloria militar”, efekti arriti maksimumin për të gjithë interpretuesit dhe orkestren, në thirrjet: Bravo! Bravo! Maestro. Viva, viva grande Mozart. Ndërsa seksteti ishte pjesa favorit e operas për Mozartin. Babai i Mozartit, Leopold, i shkruante të bijës Nannerl: “ Sot, opera e vëllait tënd “Le nozze di Figaro” do të shfaqet për herë të parë. Do të ishte një surprizë në qoftëse do të ishte një sukses dhe e di që intrigat e fuqishme do të renditen kundër saj. Salieri dhe të gjithë mbështetësit e tij do të lëvizin përsëri qiellin dhe tokën për ta poshtëruar atë. Herr dhe Mme Duschek më thanë pak kohë më parë që kjo është për arsye të reputacionit të madh të vëllait tënd dhe talentit, aftësisë së jashtëzakonshme të tij”. Opera u bë një nga më të suksesshmet e Mozartit, një komedi thellësisht humane,’Martesa e Figaros’është një martesë e shquar e muzikës së Mozartit, në kulmin e gjenisë së tij dhe me një nga libretet më të mirë të shkruar ndonjëherë. Uvertura e kësaj opere është shumë popullore, në tonalitetin Re maxhor e në tempon ‘presto’ dhe ekzekutohet shumë shpesh si pjesë koncertale e veçuar nga opera. Premiera e operas u bë në Burgtheater të Vienës më 1 Maj 1786 duke fituar një popullaritet shumë të madh. Opera u dirigjua nga vetë Mozarti prej pianos. Martesa e Figaros arriti një triumf të madh në Pragë në Dhjetorin e vitit 1786 që ishte në të njëjtën kohë edhe triumfi i Mozartit në arkitekturën e operas. Ariet e operas janë të bukura, brilante, që karakterizohen nga emocione humori. Në këtë opera buffa me një libret dëfryes, karakteret janë persona disa dimensionalë falë depërtimit psikologjik të Mozartit dhe muzikës së tij gjeniale. ‘Le Nozze di Figaro’ është sot ndër operat më të frekuentuara në botë. Figaro i Mozartit nuk është fantastik dhe ëndërrues si Flauti Magjik (Die Zauberflote) apo si Don Giovanni, por një komedi e dashurisë me një ekuilibër të kënaqshëm, midis gëzimit dhe dëshpërimit, një adaptim i “Le Mariage de Figaro” të Beaumarchais, i pranueshëm nga autoritetet Vieneze atë kohë. “Asnjë pjesë …. nuk ka shkaktuar aq sensacion sa opera Italiane e Mozartit ‘Le Nozze di Figaro’, shkruante kritika në ‘Prager Oberpostamtszeitung’ plot entuziazëm, dhe pak ditë më vonë, ‘ajo ende nuk është dëgjuar mjaft edhe pse teatri mbushet plot me spektatorë’. Kur Mozarti u kthye në Pragë në Shkurt, atë e priste kontrata e re për operan tjetër ‘Don Giovanni’.
Performanca Amerikane e ‘Martesës së Figaros’
Ditën e premte, më 4 Maj 2018 pata rastin të ndodhem në DeVos Performance Hall për të parë shfaqjen e bukur të operas ‘Martesa e Figaros’ nga trupa e operas Grand Rapids. Performancën e dirigjoi Maestro James Meena, drejtor i përgjithshëm dhe dirigjent principal i Operas Carolina që në vitin 2000. Me një përvojë të pasur në opera, balet, simfoni dhe me një vizion artistik e prezencë dinamike në podium, sot është drejtor artistik i operas në Grand Rapids. Maestro Meena ka bashkëpunuar si asistent dirigjent te dirigjenti i njohur Anglez Andre Previn, dhe Gunther Schuller, Michael Thomas, Anton Guadagno dhe Anton Coppola. Gjatë gjithë kohës së operas, Maestro Meena dirigjoi me kompetencë orkestren, solistët dhe korin duke i mbajtur në një balancë të përsosur. Orkestra na dha një zë të freskët, transparent dhe me shkëlqim Mozartian. Në rolin e Figaros këndoi bass-baritoni Jozef Barron të cilin Anthony Tommasini i Neë York Times, e quajti “vokalisht robust”. Interpretimi i tij ishte atë mbrëmje i përsosur. Mr. Barron ka kënduar në të gjitha ‘operat house’ Amerikane, në Montreal, dhe në operat e Verdit, Puccinit, Çajkovskit, Wagnerit, Straussit, nëpër Europë. Interpretimi i aries së njohur, ‘Non piu andrai’ ishte i përsosur. Ai ishte mjeshtër në rolin e Figaros, një characterful Figaro.
Në rolin e Suzanës interpretoi soprano e re Italiane, Raffaella Di Caprio, e diplomuar në Konservatorin e Muzikës Domenico Cimarosa në Avellino. Ajo ishte githashtu finaliste në Konkursin Leoncavallo në Potenza më 2009 dhe fituese e Konkursit ‘Esecuzione Musicale’ citta di Eboli.
Si Suzana, ajo ishte karakteri kyç, merr pjesë kudo. Në aktin e parë ajo këndon në tre duete nga të cilët, dy me Figaron, dhe një me Marcelinen (“Via resti servita, madama brilante”) duke na dhënë një pasqyrë të qartë të karakterit të saj, plot gjallëri, lozonjare, por tërësisht besnike e Figaros. Përveç kësaj, është një trio e kënduar nga Suzana, Konti dhe Basilio (‘Cosa sento! tosto andate’) kur Konti zbulon Cherubinon në fshehtësi. Të tre karakteret janë portretizuar me muzikë ndërsa në aktin e tretë është seksteti i famshëm, Suzana, Marcellina, Don Curzio, Konti, Bartolo dhe Figaro, “Riconosci in questo amplesso” në të cilin Figaro zbulohet të jetë i biri i Marcelinës dhe i Bartolos. Këtu Mozarti portretizon përsëri emocione të ndryshme, bashkimi i prindërve me të birin dhe nga ana tjetër, Konti i zemëruar. Finalet e operas janë të ndërtuara në mënyrën më të përsosur në të cilat orkestra ngarkohet me përpunimin simfonik të motiveve. Edhe kolegu i dirigjentit, drejtori i skenës, Garnett Bruce solli vlera të larta në produksionin e operas dhe integritetin artistëve solistë në skenën e ‘Figaros’.
Në Festivalin e Salzburgut, 2006, e dirigjoi operan Nikolaus Harnoncourt në një performancë të bukur. Anna Netrebko ishte një Suzana e jashtëzakonshme dhe Christine Schäfer në një interpretim të shquar të Cherubinos ndërsa Ildebrando D’Arcangelo ishte një Figaro i përsosur, si gjithmonë, një artist i skenës së Mozartit.
Babai i Mozartit, Leopold, ishte i ngazëlluar dhe pas suksesit të Pragës, i shkruante të bijës Nannerl: “Opera e vëllait tënd u shfaq me një sukses të paparë” Mozarti: “E pashë me kënaqësi absolute, si të gjithë njerëzit, me një kënaqësi evidente për muzikën e Figaros tim. Të mërkurë do të shkoj ta shoh e ta dëgjoj Figaron, në qoftëse nuk do të bëhem i shurdhër dhe i verbër …. Por tani asgjë tjetër për Figaron”.

*Dr. Sul Gragjevi,
kritik muzike


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.