OPINION

A e humbëm prapë trenin për Europë?

07:40 - 02.06.18 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Demonstrata e fundit e opozitës ishte kulmimi i fushatës së demokratëve kundër ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.




Katër javë më vonë do të merret vendimi nëse vendi ynë do të hapë bisedimet me Bashkimin Europian për anëtarësim.

Qeveria akuzon opozitën se e gjitha kjo bëhet për të penguar vendin në këtë hap të rëndësishëm. Fatmir Xhafaj ka vite me këtë cen dhe përgjimi që ndezi fushatën ka muaj në sirtarët e demokratëve. Ky është edhe fakti që vërteton qëllimet destruktive të demokratëve, është pretendimi i socialistëve.

Ndërkohë krahu tjetër e quan të gjithën si pjesë të fushatës mbi njëvjeçare të luftës që i kanë shpallur drogës. Madje deputeti Dashamir Shehi i ka ofruar edhe një paqe katër javore qeverisë si ndihmë për hapin drejt Europës.

Por a ndikon realisht e gjithë lufta e brendshme në hapjen e bisedimeve? Këtë askush nuk mund ta thotë. Qoftë Bashkimi Evropian, ashtu edhe anëtarët e tij, kanë agjenci informuese që i japin politikanëve vendimmarrës të Brukselit një pasqyrë të gjendjes së Shqipërisë. Por kur lufta politike zë faqet e para të shtypit perëndimor me problematikën e vendit, pesha e opinionit publik europian bëhet përcaktues. Aq më tepër që Evropa vetë është nën një valë populizmi dhe ksenofobie duke filluar nga motori i saj, Gjermania.

Pas shumë mundimesh Anxhela Merkel iu kthye për të katërtën herë bukës së vjetër, aleancës me socialdemokratët. Këta të fundit janë dëmtuar shumë nga 3 mandate bashkëqeverisje në skalion të dytë. Për më tepër vendimi i Merkel për të pranuar një milion refugjatë shkaktoi valë kundërshtish në vend. Edhe të majtët gjermanë në kundërshtim me ideologjinë e tyre të hapjes, janë nën presion për qëndrimet që do të mbajnë në të ardhmen.

Dalja e Britanisë nga Bashkimi, përveç disekuilibrave politikë ka shkaktuar edhe zhbalancime strukturore. Franca nuk di të gjejë polin e veriut, pavarësisht zgjedhjes së një presidenti, i cili më shumë se frymë ishte proces marketingu. Ndjehet mungesa e liderëve të tipit Miteran apo qoftë edhe Shirak. Më shumë sesa për Europën e bashkuar francezët kanë probleme me pozicionin e tyre në këtë Europë dhe sa i ndihmon ajo me problemet ekonomike apo të terrorizmi që ka brenda. Pa harruar një popullsi që po plaket vazhdimisht.

Ndërkohë Italia ka humbur shkëlqimin. Ndodhet në mes të krizë qeverisëse dhe nuk po mundet të gjejë një person të besueshëm që do ta drejtojë. E ndërkohë i duhet të japë garanci se nuk do të jetë një Greqi e dytë për çështjet e borxheve. Sepse po ra Italia, nuk ka patericë gjermane që ta mbajë në këmbë Bashkimin Europian. Dhe ky është një lajm i keq për shqiptarët që tek apeninasit kanë një mbështetës të tyre historik

Në krahun perëndimor iberikët më shumë sesa me unitetin e Europës kanë probleme me unitetin e tyre. Shpallja e pavarësisë së Katalonjës, megjithëse deri tani butaforike, nëse nuk menaxhohet me kujdes, mund të sjellë shkërmoqjen e një shteti që e ka mbajtur të bashkuar vetëm kurora.

Nuk mungojnë tek skeptikët shtete e vogla. Holanda ndodhet nën presionin e politikave populiste, dhe ngjan shumë tolerante më shtete si këto të Ballkanit Perëndimor që më shumë se lesh bien pleshta. Por jo vetëm ajo. As Belgjika, Danimarka apo vende të tjera të pasura që do të mbajnë koston e anëtarësimit të fukarenjve të Ballkanit, nuk kanë entuziazëm. Andrallat që sjell Orban i Hungarisë, apo çekët e sllovakët me politikat e tyre nacionaliste apo centrifugale, nuk i bëjnë shumë entuziastë që të fusin në mes të tyre edhe disa të tjerë që kanë pak ose aspak kulturë bashkëjetese dhe tolerance, aq të nevojshme për mbajtjen e një karabinaje si ajo e Brukselit.

Ndërkohë turi i kryeministrit shqiptar, por edhe i titullarëve të tjerë të shtetit në kryeqytetet e rëndësishme ose jo të Europës, ndjell rrezikun që ka vendi nëse nuk i jepet dora drejt anëtarësimit. Nëse diplomacia është arti i negocimit të interesave, atëherë ne kemi shumë pak për të ofruar që të rregullojmë punë. Por shumë që të prishim. Synimet e fuqive rajonale mbi një vend të vogël e të pastabilizuar si yni, do t’i sillnin europianëve sherrin te pragu i derës. Dhe kjo do të ndryshonte nga vala e vitit ’97. Pasi nëse tashmë nuk kemi më emigrantë, sepse vendi është pothuajse i zbrazur nga fuqia aktive për punë, mund të bëhet trampolinë e kundërshtarëve të këtij bashkimi që është njëkohësisht edhe përfaqësues i qytetërimit perëndimor.

Cili do të jetë fati ynë në këtë fund qershori? Ca thonë i mirë e të tjerët i keq. Mbetet për t’u parë. E vetmja gjë e sigurtë është që, nëse për Europën është një akt burokratik, për ne është çështje se nga do ia mbajë qytetërimi shqiptar në 100 vitet që vijnë, në Lindje apo Perëndim.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Joo…treni ishte pa fat qe mbeti pa ju takuar … treni priti sa priti ne stacion por ,Rama nuk erdhi andaj dhe ia mbathi duke e lene Ramen dhe Shqiperine te prese heren tjeter…mbase Rama deshi vete qe kesaje radhe Shqipëria mose te perfshihet ne ftesen e BE per kandidate , vete Rama e deshi qe treni te ikete sepse , po te perfshihet Shqipëria e tije per ftesen kandidate ateher, asnji zyrtaret shqiptar nuk do ti nenshtrohej ligjeve te BE e jo ligjeve te xhunglave ku bene pjese Rama dhe ata qe e rethojne , ligjet i ben me i forti
    ( me para ) kurse te tjeret kqyrin anash dhe presin. Rama dhe rethi i tij kete e deshi dhe nuk deshi te shkeputej preje kesaje praktike ku ai e ka gjetur vehten e tije , andaj lejoi qe treni qellimishte te Ikete dhe Shqipëria mose te perfshihej ne ftesen e BE per kandidat ngase , atij dhe oligarkite se tije politike dhe biznesoro per momentin kjo gjendje me shume i garanton rehati

    Përgjigju ↓