KULTURË

Sait Saiti në një rrëfim për të atin: Si e mbaj mend dhe pse përktheu Dostojevskin

13:20 - 02.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – E mbaj mend të ri në shpirt, të ngeshëm, korrekt dhe pretendonte korrektësi, bujar aq sa me lanë veten keq dhe njeri që i ecte fjala, me rreth të gjanë. Për mue ishte autoritet dituror dhe shkollë më vete në marrëdhanie ndërnjerëzore.
Sait Saiti rrëfen përkthyesin si baba dhe si autoritet intelektual në Shkodrën e pas ’90-ës e në atë të paralirisë.
Traktet që shpërndau në qytet, ku shkruhej për durimin poshtërues të popullit shqiptar që mjaftohej me bukë e djathë, e dënuan.
Në burgjet që kaloi vitet e rinisë, njohu, emrat më në zë të elitës, që i kishin ngujuar si atë vetë, për të mbajtur në këmbë në emër të popullit ‘pushtetin popullor’. Nazim Saiti (1941 – 2001), në kohët e dënimit, kishte njohur Dom Nikollë Mazrrekun, Dom Simon Jubanin e Pater Zef Pllumin. I biri, ka përshtypjen se së bashku ata që bashkëndanin të njëjtën botë vlerash, arritën ‘me ruejtë përmes burgimeve, atë që ishte shqiptari i maparshëm’.
“Afërmendsh, e ruejtën të rropatun, me vragat e tyne, lëndimet e sedrës, të lodhun nervash. Ruejtën ekuilibrat njerëzor, p.sh. në marrëdhaniet ndërfetare: mbas ’90 hymje-daljet për Bajram e Pashkë ishin normë qytetare, kishte mirëkuptim, etikë, dialog, nuk kishte servilizma të ndërsjelltë, qoka boshe, ka qenë klimë gjenuine mes njerëzish të mbrujtun si duhet dhe me edepin në rregull”, vëren Sait Saiti, pinjolli i Nazimit, që ka marrë prej babës dellin për të shkruar e kujdesin për të qëmtuar me imtësi.Biseda për “GSh”, bëhet kur ka dalë botimi “Shënime nga bodrumi”(Botimet “Çabej”) i Dostojevksit, që Saiti e pat përkthyer në Burrel. Por, Saiti, na tregon se nuk është i vetmi përkthim i tij.




Simbas kronologjisë janë edhe tituj si: “Të fyem e të poshtnuem” nga 4 qershor deri më 17 korrik 1977, “Histori e palezetshme”, “Vërejtje dimnore rreth përshtypjeve verore”, “Shënime nga bodrumi”, “Krokodili”, “Kumarxhiu”, “Bashkëshorti i përjetshëm” nga 24 gusht deri më 18 tetor 1978. I biri i përkthyesit tregon se është edhe “Shtëpia e vdekun” për të cilën (i ati) flet në një letër dërgue z. Ardian (Klosit, mbase) më 14 tetor 1991. “Për këtë përkthim shkruen(baba) ‘ende s’e kam gjetë. Se ku dreqin gjindet – në Burrel, këtu në Tiranë apo në skaj tjetër – nuk e di! Veç diçka di: ishte përkthimi im ma i goditun e, në mund të shprehem kështu, ma i dashun”.
Biseda e mëposhtme na zbulon Nazim Saitin, me vitet e jetuara e vitet e humbura, me vitet e lirisë e ato të burgut- e është një rrëfim për atin (e humbur) nga biri që i përngjan.

– Përtej kujtimeve tuaja, kush ishte Nazim Saiti?
Ka lé më 24 dhjetor 1941 në lagjen Luguçezme të Shkodrës, i biri i Sait Shabanit dhe Memes (trajtë e shkurtë e emnit Mejreme). I bie dy javë mbasi hypi në pushtet kabineti Kruja. Luguçezmja ashtu siç ka emnin asht një lug(inë) mes kodrave ku shtrihej dikur qyteti i vjetër, para se të shtrihej në ultësinën ku asht sot. Ka qenë merakli kanarinash dhe noti qysh në fëmini, të cilat i kultivoi tanë jetën. Lexonte shumë, përpunonte mirë informacionin, lexonte situatat ashtu edhe tekstet mes rreshtash, kishte sens kritik, zotnonte shqipen mirë, njihte disa gjuhë të hueja, kishte kurajo civile dhe burrni.
Kjo asht pak a shumë një përziemje e të dhanave biografike, nga jeta e tij që më kanë tregue të afërm e të njoftun dhe nga përpunimi që i kam ba kujtimeve.

– Si e mbani mend babain?
E mbaj mend të ri në shpirt, të ngeshëm, korrekt dhe pretendonte korrektësi, bujar aq sa me lanë veten keq dhe njeri që i ecte fjala, me rreth të gjanë. Për mue ishte autoritet dituror dhe shkollë më vete në marrëdhanie ndërnjerëzore.

– Shumë ish-të burgosur politikë e kanë cilësuar kohën e dënimit, ironikisht, një universitet të dytë. Aty, duke ndarë qelitë e ambientet e ajrimit me elitën intelektuale kanë marrë shumë prej tyre. Babai juaj ka qenë në burg me emra të njohur të kulturës e klerit. Çfarë ruante prej tyre?
Po, ka qenë një pohim i Arshi Pipës në një intervistë që i ka ba Visar Zhiti “e quaj burgun universitet”. Besoj se ka pasë mundësi me shkëmbye apo me frymëzue: nuk e di në mënyrë autodidakte apo me ndihmën e ndokujt, nxuni dy apo tri gjuhë të tjera në burg, ndër to anglishten edhe e mbrojti mbas ’90. Kam ndigjue se ka çmue shumë klerin katolik bashkëvuejtës, ka pasë së paku komunikim me Dom Nikollë Mazrrekun, Dom Simon Jubanin e P. Zef Pllumin. Po ashtu kemi libra të nënshkruem nga Uran Kalakulla e Pjetër Arbnori me fjalë të ngrohta shoqnore.
Kam përshtypjen se së bashku ata që bashkëndanin të njëjtën botë vlerash, arritën me ruejtë përmes burgimeve, atë që ishte shqiptari i maparshëm. Afërmendsh, e ruejtën të rropatun, me vragat e tyne, lëndimet e sedrës, të lodhun nervash. Ruejtën ekuilibrat njerëzor, p.sh. në marrëdhaniet ndërfetare: mbas ’90 hymje-daljet për Bajram e Pashkë ishin normë qytetare, kishte mirëkuptim, etikë, dialog, nuk kishte servilizma të ndërsjelltë, qoka boshe, ka qenë klimë gjenuine mes njerëzish të mbrujtun si duhet dhe me edepin në rregull.

– A ju ka rrëfyer për tri burgjet ku ka kaluar dënimin?
Aludonte në muhabete me miq, ndër pjesë fjalësh të llojit “punonim natën dhe flinim ditën” – me të cilën sot kuptoj minierën. Ka përmendë vagullt që ka qenë në burg me Havzi Nelën në Qafë-Bari, Dine Dinen në Spaç dhe mbas burgut ka pasë takue Lazër Radin dhe të birin Jozefin, me të cilin kam mujtë me komunikue vitet e fundit mbi si e mbante mend babën.
Nanës i ka thanë që ka përkthye për me luftue urinë, sepse nuk pati asnjë ndihmë mbas vdekjes së nanababes. Ma shumë nuk ka lanë të thanun.

– Po për vetë dënimin, çfarë ju ka thënë ju vetë, a familjes suaj?
Njëjtë, nuk ka folë gja as për dënimin.

– Çfarë shkruhej në traktet e shpërndara prej tij?
Shkruhej për durimin poshtnues të popullit shqiptar, se si mjaftoheshim me bukë e djathë, shtypjen e pësueme nga një diktaturë e paparë dhe se si brezi i tyne nuk do të ketë të drejtën me pretendue respekt prej mbasardhësve nëse nuk do t’i jepnin fund atij durimi poshtnues.

– Kur i gjetët dorëshkrimet e tij?
Në shtëpi i kemi pasë gjithmonë, thjesht i “rizbulova” mbas përmbytjes në dhjetorin e 2010. Në atë kohë isha në Padova me studime dhe merakun ma të madh mbas sigurisë familjare ishin librat, fotografitë dhe dorëshkrimet.

– I shihte ai blloqet e tij ndërkohë gjatë periudhës paskomuniste?
Kam përshtypjen se mund t’i jetë rikthye, por nuk kam ndonjë kujtim të rranjosun që ta pohoj me bindje.

– Si erdhi duke u mbrujtur ideja që dorëshkrimet të botoheshin?
Kisha njëfarë shllimi se duhej të baja diçka me to, por kjo m’u shndërrue në bindje kur u njofta me abin (Astrit Cani). Mbasi më tregonte për përvojat e veta me përkthimet dhe rropatjet në botimet e Tiranës, i bashkëndava që kisha përkthimet e babës në dorëshkrim. Më tha që asht pasuni e madhe dhe se duhej të baja çmosin që t’i botoja, më prezantoi me botues në Tiranë, m’i përshkruente dhe me kohën m’muer rrjedha deri tek botuesi i duhun.

– I kanë mbijetuar burgjeve, i kanë mbijetuar kohës së pasburgjeve, kohës së demokracisë e më në fund i kanë mbijetuar edhe përmbytjes së 2010-ës. A ka qenë destini i tyre të vijnë te lexuesi?
Po, kam bindjen se i përshkon ai kismet në rrugëtimin tashma 40 vjeçar të tyne.

– A ka mes shënimeve të dorëshkrimit edhe shënime personale të Nazim Saitit? Mbi atë që po përjetonte, mbi si po e përjetonte?
Jo, shënime personale nuk ka. Ka ndonjë skicë, portret, mjelmë… ironik përkimi, edhe Dostojevski bante të tilla gjana. Në një fletushkë i ka ba një përkthim të lirë poezisë “If” të Kipling me titullin “Nëse” (për mendimin tim, si titull asht ma përkuesi se variantet e tjera të Nolit, Kokonës dhe Shvarcit) dhe një riprodhim i një shkurtimi të “An die Nachgeborenen” të Brecht me titullin “Atyre që do të vinë” që ka në fund të shkrueme “Revista Nëntori”. Gjithashtu, piktura “Çeta e Shahin Matrakut” e Xegës e preme nga një faqe gazete.

– Ju thoni se “në Burgun e Burrelit, nuk e di se si, por përktheu tetë vepra të Dostojevskit dhe mund të ketë ndihmuar ndonjë bashkëvuajtës”. Për cilët tituj bëhet fjalë?
Simbas kronologjisë: “Të fyem e të poshtnuem” nga 4 qershor deri më 17 korrik 1977, “Histori e palezetshme”, “Vërejtje dimnore rreth përshtypjeve verore”, “Shënime nga bodrumi”, “Krokodili”, “Kumarxhiu”, “Bashkëshorti i përjetshëm” nga 24 gusht deri më 18 tetor 1978, dhe “Shtëpia e vdekun” për të cilën flet në një letër dërgue z. Ardian (Klosit, mbase) më 14 tetor 1991. Për këtë përkthim shkruen “ende s’e kam gjetë. Se ku dreqin gjindet – në Burrel, këtu në Tiranë apo në skaj tjetër – nuk e di! Veç diçka di: ishte përkthimi im ma i goditun e, në mund të shprehem kështu, ma i dashun.”

-A mendoni se gjendja e tij, koha që po jetonte, ka ndikuar në përzgjedhjen e titujve?
Kam përshtypjen se e ka pëlqye qysh para burgut Dostojevskin dhe rusët e mëdhenj të 1800-ës. Ishte pjesë e mënyrës si asht mbrujtë: tuj marrë parasysh asimetrinë kulturore mes kozmosit rus dhe realitetit shqiptar, do të jetë përfshi në të parin dhe të vetmin vit aademik që ndoqi në Leningradin e atëhershëm.

– Cilat mendon se qenë efektt e burgut, çfarë shenjash la?
Shteti totalitar me përkufizim synon me i dhanë trajtë simbas ideologjisë përkatëse të sunduemve të vet (Njeriu i Ri), burgu qe thjesht mënyra ma e thuktë dhe ashiqare e asaj që Shqipnia ishte. Të dhanunit trajtë asht tëhuejtje, alienizim n’daçim, kjo jo vetëm në rrafshin fizik, por edhe psikik: kam ndigjue se njerëzit në burg e përfytyronin regjimit të pambarimtë. Pra, trysnia, propaganda, rutina ishte e tillë sa me pasë efekte psikotropike dhe me dorëzue edhe shpresën.
Kam përshtypjen se izolimi i gjatë aq sa të fton për introspeksion, mprehje të disa reflekseve, aq edhe e ka topitë. Nuk ka mënyrë matjeje të damit psikologjik që regjimi ka shkaktue përgjithësisht e aq ma pak veçanërisht. Por ma e pakta që mund të bahet asht pajisja e teksteve mësimore me faktet e asaj kohe, që mos të rrinë tue hangër bukë disa ende me antikomunizmin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.