OPINION

Qershori jubilar euroatlantik

07:52 - 02.06.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është shumë më tepër se një rastësi fatlume ngjarjesh historike që e bëjnë të tillë këtë qershor për partnerët e mëdhenj amerikanë, evropianë dhe për Shqipërinë. Mjafton një vështrim kalimthi dhe bindesh për këtë “begati” jubilesh prej të cilëve mund të nxirren dhe shumë mësime të vlefshme.




10 qershori shënon 140-vjetorin e themelimit të Lidhjes historike të Prizrenit, që për gati tre vjet mbrojti dhe përfaqësoi me vetëmohim interesat jetike të vendit dhe trojeve tona pas synimeve grabitqare të Traktatit të Shën Stefanit të Marsit të atij viti. Lidhja e Prizrenit konsiderohet si bashkimi i parë i mirëorganizuar mbarëkombëtar politik, administrativ dhe ushtarak pas periudhës së lavdishme të Skënderbeut. Në krye të saj ishin atdhetarë,  veprimtarë luftëtarë dhe intelektualë të kalibrit më të lartë – Abdyl Frashëri, Ded Gjo Luli, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Haxhi Zeka, Mehmet Pashë Vrioni dhe të tjerë.

Fatkeqësisht, Kongresi i Berlinit, që filloi më 13 qershor 1878 i injoroi kërkesat legjitime të Lidhjes; nën drejtimin e Kancelarit “të hekurt” gjerman, Otto von Bismark, ai pati ndikimin e vet në prishjen e themeleve të paqes në Ballkan e në Evropë. Tri dekada më vonë shpërtheu Lufta e I Botërore, fitilat e së cilës u ndezën në Sarajevë. Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit vazhdojnë të jenë objekt intrigues studimesh dhe kërkimesh me përfundimet përkatëse. Shumë gjëra do të diskutohen e rivlerësohen, gjithsesi trashëgimia politike, heroizmi dhe guximi i Lidhjes janë gdhendur në kujtesën tonë historike shtetformuese.

Duke avancuar në kohë, pas përfundimit të Luftës së II Botërore, më 28 qershor 1948, në përçapjet e ethshme për të t’i zënë frymën demokracisë perëndimore, Stalini vendosi bllokadën e paparë humanitare mbi Berlinin Perëndimor. 2 milionë banorë ishin në prag të urisë, skamjes e të ftohtit. Por, falë vendosjes së “Urës Ajrore” të Berlinit, me nismën e SHBA-ve, Britanisë e Francës, pas 11 muajsh Bllokada e Berlinit dështoi me turp. Në këtë operacion humanitar, më i madhi në histori, aleatët kryen rreth 300.000 fluturime ajrore me avionë të fuqishëm transporti C-47 dhe 54 në aeroportin legjendar të Tempelhof në atë qytet. Për shkak të këtij intensiteti dhe vështirësive të fluturimit, sidomos gjatë dimrit, 101 vetë dhanë jetën, duke përfshirë 31 pilotë të forcave aleate.

Pasi u tërhoq me turp nga bllokada, regjimi sovjetik kaloi në fazën tjetër të terrorit; më 17 qershor 1953, me dhunë, tanke dhe vringëllimën e armëve të gjysmë milion ushtarëve sovjetikë të dislokuar atje, ushtria sovjetike shtypi kryengritjen e mirënjohur në dhjetëra qytete gjermano-lindore, e sidomos në Berlin, Laipcig dhe Dresden.

Megjithatë, vendet perëndimore po përparonin, ndërsa socializmi po bënte hapa prapa. Ndaj, miliona gjermano-lindorë vërshonin pa pushim për në perëndim. Për të penguar këtë eksod unikal, sipas urdhrave të Hrushovit të dhëna në qershor të atij viti, më 13 gusht 1961 filloi ngritja e Murit famëkeq të Berlinit, 156 km i gjatë, impiant i sofistikuar i ndarjes dhe izolimit të dy botëve dhe sistemeve diametrialisht të kundërta.

Gjithsesi, qershorëve sovjetikë shtypës, SHBA, Gjermania Perëndimore dhe aleatët perëndimorë iu përgjigjën me “ura mbi muret”, me “Ostpolitik-ën” e legjendarit Willy Brandt, me mesazhe dhe demarshe për paqe dhe solidaritet.

Kështu, më 26 qershor 1963, Presidenti Kenedi shkoi në Berlin, ku me fjalimin e vet lapidar para gjysmë milion qytetarësh të ekzaltuar denoncoi fuqishëm ideologjinë e mureve, ndarjeve dhe izolimit. Për të gjithë ata që nuk bënin dot dallimin ndërmjet demokracisë dhe komunizmit apo që kishin shpresa dhe iluzione mbi këtë të fundit, ai tha “Le të vijnë në Berlin”.

Pasi i thuri një himn madhështor këtij qyteti heroik, në fund të fjalës legjendare, Kenedi bëri pohimin emblematik në gjermanisht  “Ich bin ein Berliner (Unë jam berlinez) që tronditi nga themelet Murin e Berlinit.

Goditjen tjetër të pariparueshme atij Muri ia dha Presidenti Regan më 12 qershor 1987 përpara Portave të Brandenburgut. Aty jehoi thirrja e tij historike për Gorbaçovin që “nëse do vërtet liri dhe paqe hajde këtu, hapi këto Porta dhe shembe këtë Mur”.

Derisa erdhi 27 qershori 1989, kur u hap për mijëra emigrantë lindorë kufiri austro-hungarez, që vetëm 5 muaj më vonë çoi në shembjen e Murit të Berlinit.

Ka shumë ngjarje të tjera gjatë 28 viteve të fundit që dëshmojnë se “Qershitë” e qershorëve euroatlantikë i ka shijuar edhe vendi ynë.

Kështu, më 22 qershor 1991, kur sapo ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të erdhi në Tiranë James Baker, i pari sekretar shteti amerikan që u prit me aq madhështi; po më 22 qershor 1991, Shqipëria u bë anëtare e OSBE-së, pikërisht në Samitin që kryesonte Gjermania në Berlin; po ato ditë u vendosën dhe marrëdhëniet diplomatike me BE-në.

Më tej, më 10 qershor 1999, në Këln, nën drejtimin sërish të Presidencës gjermane të BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-ve u miratua Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore; ky i fundit në vitin 2008 u kthye në “Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal” me seli në Sarajevë, që tani do të ketë në krye politikanen tonë Majlinda Bregu.

Vetëm 2 ditë më vonë pas Këlnit, më 12 qershor 1999, falë ndërhyrjes së suksesshme të Aleancës së NATO-s, Kosova martire u çlirua nga zgjedhja dhe robëria  miloseviçiane dhe hyri në rrugën e pavarësisë.

Padyshim që “qershiza” amerikane mbi këtë “torte” festive për Shqipërinë është 10 qershori 2007, kur Presidenti George W. Bush bëri vizitën e paharruar historike në Shqipëri, si i pari President amerikan në detyrë. Veç mbështetjes për anëtarësimin në NATO, ai kërkoi me zë të lartë pavarësinë e Kosovës, që u realizua disa muaj më vonë.

Duke ardhur te qershori 2018, veç aspektit historik dhe jubilar, ai ka dhe karakter të mprehtë aktual. Më 12 qershor do të zhvillohet në Singapor Samiti i parë epokal SHBA-Kore e Veriut, që pritet t’i japë impulse të fuqishme procesit të çarmatimit bërthamor e për rrjedhojë paqes dhe sigurisë në Gadishullin Korean dhe më gjerë.

Ndërsa në Evropë dhe sidomos në Shqipëri pritet me shumë interes 29 qershori, dita kur Samiti i BE-së do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE; me gjithë hijet e dyshimit dhe hezitimeve të njohura, janë të shumta gjasat për një vendim pozitiv, çka do të përshpejtojë rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe do të pasurojë katalogun e jubileve qershorianë euroatlantikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.