KULTURË

“Kur Shqipërisë nuk i mjaftonin burgjet për të dënuarit”

11:45 - 03.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një vështrim në sistemin e burgjeve dhe kampet e përqendrimit në Shqipërinë komuniste” ka qenë tema e trajtuar në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të veprimtarive “Një pasdite në muze” . E pranishme në diskutim ishte edhe prof.ass.dr. Sonila Boçi, shefe Departamenti pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike si dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi. Koçi duke referuar për “Ngadhënjimin mbi harresën” nënvizoi se ideologjia sunduese në Shqipëri ishte Stalinizmi dhe ai u aplikua në të gjitha format e hapura të tij.




“Një nga tiparet kryesore të tij ishte eliminimi i elitave përmes terrorit të kuq dhe zëvendësimi me elitat e formuara me karakter ideologjik komunist”, tha ai. Koçi shtoi se sfida më e madhe e kulturës politike shqiptare mbetet pikërisht në ndryshimin e këtij botëkuptimi, sigurisht jo duke krijuar në vend të njeriut të ri, njeriun pragmatik, i aftë për të kryer kompromiset më të mëdha dhe për të përftuar më shumë në kurriz të shoqërisë, por të nxisë hierarkinë e vlerave kulturore të nevojshme për të krijuar një etikë morale integruese me kombet e tjera në Europë.


Më tej, prof. Ass. Dr. Sonila Boçi tha se regjimi komunist bazohej mbi dy shtylla të forta ideologjike: luftën e klasave dhe diktaturën e proletariatit, në të cilat u ndërtua dhe u përligj një sistem dhune dhe represioni. “Gjatë viteve 1944-1951, regjimi kishte nevojë të instalohej dhe të konsolidohej. Në këto kushte, ai duhet të eliminonte të gjithë kundërshtarët realë, por edhe ata potencialë.

Dhuna dhe represioni i asaj periudhe u karakterizuan nga disa shtresëzime: a- represion ndaj burgjet e destinuara për ‘armiqtë e popullit’ më famëkeqët janë ata të Burrelit (1946), i cili konsiderohej si një super burg nga i cili ishte i pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore; burgu i Spaçit (1968), i cili mbeti i hapur deri në vitin 1990 dhe shfrytëzonte punën e të burgosurve për nxjerrjen e mineralit të bakrit dhe piritit, në kushte çnjerëzore”, tha Boçi.

Të pranishëm në takim ishin edhe nxënës të shkollës së mesme “Ismail Qemali”, që bënë pyetje duke e kthyer takimin në një bashkëbisedim mes të rinjve dhe dy historianëve Sonila Boçi dhe Dorian Koçi. Takimet nga Muzeu Historik Kombëtar bëhen me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.