MILOSAO

Prometeut

18:00 - 03.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga LORD BYRON (GEORGE GORDON)




E Veshur në Bukuri
E veshur në bukuri si nata
e vendeve pa re dhe qiejve të yjllëzuar
çka është më e mira e së errëtës dhe së ndritshmes
takohen në karakterin dhe sytë e saj të shkruar
duke u shkrirë kështu në atë dritë të butë
të cilën qielli ia mohon ditës së grafulluar.

Një hije më tepër, një rreze më pak
ia kishin zbehur paksa hirin e paemër
që përkundet në çdo pendë të korbit
apo ndriçon butë mbi fytyrën e pa shemër
ku mendimet paqësisht të ëmbla shprehin
sa i dëlirë, sa i dashur është trupi ku ushqehen.

Dhe në atë faqe, në atë vetull
aq të butë, aq të qetë por elokuente,
buzëqeshjet që dalin, ngjyrat që flakërojnë
tregojnë veçse ditët e kaluara në mirëbërje,
një mendje në paqë me të gjitha çka nën të
një zemër, dashuria e së cilës është e pafajshme.

Nuk do të bredhim më
Kështu nuk do të bredhim më
netëve kaq vonë,
edhe pse do të na dojë zemra
dhe hëna do të shkëlqejë kaq fort.

Sepse shpata del jashtë millit,
shpirti shpërthen nga kraharori,
zemra duhet të bëjë ndonjë pauzë
dhe dashuria vetë duhet të pushojë.

Megjithëse nata është bërë për dashuri
dhe dita vjen shumë shpejt,
ne nuk do të bredhim më netëve
nën dritën e hënës që na thërret.

Shkatërrimi i Senaçerib1
Asirët po vinin poshtë si ujqit në turmë.
Legjionet vezullonin në purpur dhe flori.
Heshtat e tyre shkëlqenin si yjet në det
kur valët blu rrokullisen netëve në detin Galili.

Si gjethet e pyllit në gjelbërimin e verës,
ajo ushtri me flamuj, në perëndim u shfaq;
si gjethet e pyllit që i shpërndan era e vjeshtës
ajo ushtri u gjet të nesërmen e shuar, e hapërdarë.

Sepse Engjëlli i vdekjes i hapi krahët në shpërthim
dhe lëshoi frymën në fytyrën e armikut duke kaluar,
sytë e të përgjumurve u dyllosën, të vdekur, të mërdhirë,
zemrat e tyre hovën njëherë dhe pastaj përjetë pushuan.

Atje shtrihet kali me flegrat e hundës të hapura gjer’ e gjatë
por prej tij nuk dilte më frymë krenarie;
shkuma e gulçimit të tij i del e bardhë në torfë
dhe e ftohtë si spërkama e dallgës që rreh shkëmbin në hije.

Atje shtrihet kalorësi i zbehtë, i deformuar
me djersë në vetulla dhe me ndryshk në gjoksore,
çadrat të gjitha të heshtura, banderolat të vetmuara
shtizat të pangrehura, trumpetat e papërdorura.

Të vejat e Ashurit ende vajtojnë me zë,
idhujt janë thyer në tempullin e Baal-it,
fuqia e Xhentilëve2, e pandalur nga shpata
është shkrirë si bora në vështrimin e të Madhit.

Prometeut
Titanit! Për sytë e tij të pavdekshëm,
vuajtjet që s’kanë të sosur
në realitetin e vrerosur
që zotat s’është se s’i honepsin.
Ja shpërblimi për dhembshurinë
Një vuajtje e heshtur, pa mbarim
shkëmbi, orrli dhe vargonjtë
që njerëzit krenarë ta ulin kokën,
agonia që ata nuk e tregojnë,
vuajtja nga e cila duan të shpëtojnë
që flet veçse në vetminë e saj
pastaj bëhet xheloz a mos nga lart
dikush po dëgjon dhe s’po ofshan
derisa zëri i tij të humbasë.

Titanit! i cili u gjet në një ndeshje
mes ndrydhjes dhe vendosmërisë
që e torturonte por s’e vriste
dhe Zotit të paepur,
tiranisë shurdhe të orëprerjes
principit sundues të urrejtjes
që për qejfin e saj krijon
gjërat që pastaj vetë i asgjëson,
duke iu refuzuar edhe vdekjen si lehtësim:
amëshimi që i dhurohet të mëshirshmit
ishte yti – dhe ti i ke qëndruar fort atij.

E gjitha çfarë Hedhësi i Bubullimave3 mori prej teje
nuk ishte veçse kërcënimi që iu kthye mbrapsht,
mundime për ty pa fund e pa anë
fati ta solli: ta kishe parashikuar atëhere4
Por a nuk do ta lehtësoje atë vetë, të tregoje
dhe në heshtjen tënde erdhi dënimi i tij,
në shpirtin e tij, një pendim pa dobi,
frika e tmerrshme ishte fshehur aq thellë
saqë në dorën e tij edhe vetëtimat trembeshin.

Krimi yt hyjnor ishte që u tregove i mirë
duke dhënë me shembullin tënd
më pak zvetënimin njerëzor
sesa forcën e njeriut me mendjen e tij,
por i çorientuar siç ishe atje lart,
ende me energjinë dhe durimin,
me qëndresën dhe refuzimin
e frymës tënde të padepërtueshme
të cilën toka as qielli s’mund ta lëkundnin
vjen një mësim i fortë dhe i trashëgueshëm:
ti je një dëshmi dhe një simbol
për të vdekshmit e fatit dhe të forcës;
si ti, njeriu është deri diku hyjnor
një rrjedhë e turbullt nga një burim i pastër:
dhe njeriu nganjëherë mund të parashikojë
fatin e trishtueshëm që i bie mbi kokë,
zvetënimin dhe rezistencën,
trishtimin e të mbeturit vetëm,
të cilës fryma e tij mund t’i kundërvihet
për t’i përballuar të gjitha rreziqet,
një vullnet i fortë, një ndjeshmëri e thellë
që madje në tortura mund të zbulojë
reagimin e përqendruar që do të ketë,
triumfal kur guxon të sfidojë
dhe të kthejë përmbys një fitore.

Përkthyer nga Kujtim Morina

5 Poezia e Bajronit bazohet në një ngjarje nga fushata e mbretit asir Sennacherib për të pushtuar Jeruzalemin në vitin 701 para erës sonë siç përshkruhet edhe në Bibël. Kur ata po rrethonin qytetin, Hezekhia, mbreti i Judah iu lut Zotit në tempull ta shpëtonte qytetin, dhe në mëngjesin e natës që pasoi, rreth 185,000 trupa të ushtrisë asire u gjetën të vdekur në mënyrë misterioze në gjumë dhe mbreti Sennacherib u kthye mbrapsht.

2 Gentile janë quajtur të gjithë ata që nuk i përkisnin fesë së hebrenjve duke përfshirë myslimanë dhe të krishterë.
3 Zeusi
4 Prometeu mbajti sekretin e asaj që do të sillte fundosjen e menjëhershme të Zeusit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.