MILOSAO

“#TiranaZeroSpace” në Bienalen e Venecias

13:30 - 03.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Duhet të shkosh fizikisht në Venecia, ta prekësh mjedisin e Bienales dhe të lodrosh mes pavionesh, që të kuptosh mrekullinë e artit bashkëkohor. Dhe, mbi të gjitha atë çka propozon për çdo vit tema e prezantuar prej kuratorëve të saj. Tema Freespace e këtij edicioni e propozuar nga kuratoret e njohura Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara synonte të zbërthente funksionin e një roli mbizotërues të konceptit të lirisë së hapësirës në shoqëri, etikë dhe arkitekturë, duke synuar nga ana tjetër të ndillte interpretime dhe ravgime të shumta mes pjesëmarrësish. Dhe, realisht, ajo që kanë shpalosur shumë vende në Venecia realisht është e jashtëzakonshme dhe duket se ka plotësuar pritshmërinë dhe thithjen e idesë së kuratorëve.




Pa asnjë dyshim, Bienalja e Arkitekturës (e Artit) në Venecia është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës në botë dhe një atraksion shtesë i këtij qyteti historik. Përfaqësues shtetesh nga e gjithë bota mblidhen çdo vit, herë për art e herë për arkitekturë, duke konkurruar për ‘Luanin e Artë’, ose duke u rrekur të gjejnë hapësirën e merituar në Arsenale në mënyrë që ky fakt t’i fiksojë pastaj në kujtesën historike të këtij aktiviteti jo të vogël.
Ekspozita e këtij viti plotëson edicionin XVI Ndërkombëtare të Arkitekturës e do qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor 2018 në Arsenale dhe Giardini në Venecia (Itali).
Shqipëria përfaqësohet me një pavijon, që titullohet “#TiranaZeroSpace”. Ai u inaugurua të premten e 25 Majit, gati 10 ditë më parë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës, “Venecia 2018”.

Koncepti i të gjithë Bienales
Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara e titulluan Free space dhe e shpjeguan zgjedhjen e tyre me fjalët e mëposhtme:
«Freespace përshkruan një mirësi të shpirtit dhe një ndjenjë njerëzore në thelbin e objektit të arkitekturës, duke u përqendruar në cilësinë e hapësirës.
Freespace fokusohet në aftësinë e arkitekturës për të ofruar vëllime hapësinore shtesë për ata që e përdorin atë, si edhe për atributin e këtij koncepti për të adresuar dëshirat e pashprehura lirisht të publikut.
Freespace kremton po ashtu kapacitetin e arkitekturës për të gjetur koncepte mirëkuptimi dhe të papritura në çdo projekt – madje edhe brenda kushteve më private, mbrojtëse, ekskluzive ose komerciale të kufizuara.
Freespace ofron mundësinë më të madhe për të theksuar ofrimet e lira të natyrës – dritën e diellit dhe dritën e hënës, ajrin, gravitetin, materialet – burimet natyrore dhe çdo gjë të krijuar nga vetë dora e njeriut.
Freespace inkurajon rishikimin e mënyrave të të menduarit deri më sot, mënyrave të reja të shikimit të botës, të shpikjes së zgjidhjeve, ku arkitektura siguron mirëqenien dhe dinjitetin e secilit qytetar të planetit tonë të brishtë.
Freespace përbën një hapësirë, e cila të ofron mundësi dhe një hapësirë demokratike, e paprogramuar dhe e lirë për përdorime që ende nuk janë të konceptuara. Ekziston një shkëmbim midis njerëzve dhe ndërtesave në konceptet sesi ndodhin gjërat, edhe nëse nuk janë të destinuara ose të projektuara, kështu që vetë ndërtesat futen dhe krijojnë mënyra për ndarjen dhe angazhimin me njerëzit gjatë përditmërisë, shumë kohë pasi arkitekti është larguar nga skena. Arkitektura ka një jetë aktive të saj, ashtu si dhe një tjetër pasive.
Freespace, sipas dy kuratoreve përfshin lirinë për të imagjinuar, hapësirën e lirë të kohës dhe kujtesës, duke e detyruar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke ndërtuar mbi shtresa kulturore të trashëguara, duke thurur kohën arkaike me atë bashkëkohëse.

Nëpër panair
Kur thuhet freespace (hapësirë e lirë), kupton sesi përveç hapësirës, që ka ndikuar të menduarit dhe punën e krijuesve të ndryshëm, të cilët teksa lëviznin në rrjetin e programit kuratorial të ekspozitës në Venecia, dilet edhe në mendimin e lirë për të marrë pjesë në fushat më të ndryshme të shprehjes, duke përcjellë karakteristikat politike, ekonomike dhe kulturore të realiteteve të vendeve të ndryshme. Duhet thënë se tema ishte e tillë, që iu la mundësi shumë pjesëmarrësve të kontribuonin me të gjitha atributet profesionale seksioneve të e Bienales dhe kjo u konfirmua plotësisht në kontributet e pavioneve kombëtare të vendosura respektivisht në Arsenale dhe Giardini. Çdo projekt i ekspozuar në këtë Bienale të përball me shumë ide kombëtare, që të duhet disi punë për t’i evidentuar ose të bëjnë të kuptosh situata shumë specifike të cilat përfshijnë sjelljet sociale dhe ato të jetesës. Por, ato që të përballin nga një pavion në tjetrin të sjellin në realitete ku duhet që të thellohemi dhe të kuptohemi duke filluar nga projektet e ekspozuara në Arsenal, mu në atë pjesë ku janë pjesa më e madhe e vendeve me projektet e tyre.

Shqipëria
Shqipëria është në një hapësirë kapanoni, ku pranë ka Kroacinë, Indonezinë dhe Kosovën. Një mendim, që i përshtat temës kuratoriale ka arritur në bazë të së ashtuquajturës mënyrë perëndimore, përforcon pikërisht konceptin ZeroSpace. Me pak fjalë, emri i thotë të gjitha ato që lidhen me propozimin nga Shqipëria të kuratorit të saj Elton Koritari.

Pavijoni shqiptar është mbështetur dhe do të qëndrojë nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës e Republikës së Shqipërisë. Këtë vit, dukej pjekuria e institucioneve shqiptare por edhe një lloj decentralizimi hierarkish vlerash, pasi që në fjalën e mbajtur në hapje, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ua la peshën e nderit artistëve të Shqipërisë në Bienalen e Venecias. “Njëherë e artit dhe njëherë e arkitekturës, pikërisht këtu në Arsenale, tashmë Shqipëria ka ngritur vatrën e vet, që me sa duket do të jetë e gjatë. Sfida jonë nuk është më si të ndërtojmë një projekt, por si të jemi më të mirë se viti pararendës. Të jesh më i mirë se vetvetja është një sfidë shumë e madhe”, tha Kumbaro duke ia kaluar meritat grupit të arkitektëve dhe kuratorit teksa foli për “një projekt që ka brenda historinë, të sotmen dhe të ardhmen dhe kjo ka vetëm një emër: Tirana jonë”.

Bashkia e Tiranës ka asistuar këtë pavijon dhe ka ndihmuar me mundësitë e saj, që grupi i cili e ka kuruar këtë bienale të bënte një vëzhgim të thellë për atë që lidhet me konceptin e tyre, që niveli O të sillte momentin me Tiranën, një qasje kjo, që i kërkonte përshkrimet jo vetëm në botën vizuale, e kjo përbënte një lloj pëlhure të mjedisit sociale, njerëzimi, historia dhe kultura lokale si e tërë. Nuk duhet harruar se Hapësira 0 “vjen si një dëshirë për t’i treguar publikut të Venecias një model të jetesës dhe arkitekturës në qytet, i cili ka në qendër njeriun dhe qytetarin. Por, nga ana tjetër ajo synon edhe hapjen e një dialogu me vetë qytetarët e Tiranës”, u tha nga kuratori.

Koncepti për Tiranën, i cili është përcjellë në Venecia është futur nën petkun e një koncepti artistik, e cila ka mbledhur katër arkitektët Dorian Tytymçe, Florian Pollo, Jurtin Hajro dhe Enri Leka me kuratorin Elton Koritari, të cilët janë munduar të përcjellin më të mirën nga koncepti i afruar.
Ndërkohë, 7 dyert e tyre janë përcjellë edhe me përshkrimin e qytetarëve dhe fotografëve shqiptarë për hapësirat e tyre, ku përmes 3600 kuadrove në kohë është manifestuar i gjithë areali ditor historik i pavijonit shqiptar në “Arsenale”, ku janë të ngërthyer të gjitha pështjellimet tona.

Në shumë mjedise, ke qytetin e moshës së tretë, ke lloton, dyqanet, jetën e zakonshme të tiranasve, përditmërinë e zakonshme, burrin me qeleshe e gruan me shami, aty njerëz shumë modernë , diku fjalët ‘mos parko’ në qytetin që duket se është vetë një instalacion gjigand, me flamurë të panumërt dhe dyqane shumëlloji. Në këtë rast, në ngjarjen më të mirë të funksionimit të pavionit, duhetj që Kornizat metalike duke ndërvepruar me rrymat e ajrit të arrinin e të krijonin tinguj, që në mënyrë metaforike do simbolizonin zërin e qytetit, një fakt i cili as nuk ndodhi fare.



Gjithashtu në këtë rast koncepti përbën edhe atë që mund të themi se konsiderohet si lirimin e hapësirës, përmes dyerve që të fusin dhe të nxjerrin nga ky realitet, që vinë prej referimeve prej themelit të qytetit të Tiranës, i cili bëhet skenar i jetës së përditshme të banorëve të saj. Kjo është një hapësirë demokratike, e paplanifikuar, e aftë për t’u përshtatur me përdorimet dhe zakonet e atyre që e popullojnë atë dhe për të përmbushur funksionet e një mediumi social reale dhe jo virtuale. Instalacioni fokusohet në përshkrimin e atmosferës së gjallë urbane të Tiranës, plot shkëmbime dhe ndërveprime sociale, referoi media e huaj.

Ndërkohë që ekspozita paraqiste një sipërfaqe të populluar vetëm me dyer, pa mure, e dominuar nga akumulimi kaotik i portreteve të vogla varur dhe plot gjallëri –që në një farë mënyre tregon kaosin tonë lokal. Një recital kolektiv në të cilin në mënyrë demokratike të gjithë aktorët e skenës urbane gjejnë vendin e tyre. Kjo është ajo që është parë dhe shikon realisht me një vështrim, do të shpreheshin disa nga artistët e huaj që u mblodhën në inaugurimin e saj.

Kosova
Pak më tutje vjen pavioni kushtuar Kosovës. Antenat satelitore, muret që pasqyrojnë prej pasqyrave dhe qilimi janë elementet që përmbledhin konceptet e instalimit “Qyteti është kudo” në pavijonin e Kosovës. Kuratorja Eliza Hoxha është e durueshme të shpjegojë gjithçka e në disa gjuhë, kurse e vë theksin në ndërveprimet midis hapësirës së brendshme dhe asaj urbane, në mes të shkallës së shtëpisë dhe që të qytetit, përmes ringjalljes së elementeve të pashmangshme brenda banesave kosovare shqiptare, ku kemi një shkëmbim të roleve dhe madhësive .

Pjesa sipërore e pavionit, reflekton shëmbëlltyra të vogla të antenave të shumta parabolike, e përfaqëson atë që për vite me rradhë nën pushtimin serb ka qenë mënyra e vetme e informimit dhe komunikimit për popullatat lokale. Në shesh kemi një qilim të madh, të punuar me dorë nga mjeshtrit vendës, që riprodhon gati besnikërisht planimetrinë e Prishtinës. Qyteti bëhet një shtëpi, duke iu referuar qilimit, mbizotërimit të dimensionit të brendshëm dhe të bashkimit familjar. E vetmja strehë e pakicës shqiptare në vitet ’90, shtëpia, nga një vend i mbyllur dhe i ndarë, zgjeron fushën e veprimit të tij, duke u bashkuar me hapësirat e hapura të qytetit në një thirrje për çlirim. Institucionet e shkuarajanë të identifikuara me pika të zeza, kurse me pika të kuqe kemi të përcaktuar pushtetin paralel të kosovarëve që u themelua kundër pushtetit represiv serb. Mesazhi është i qartë: duhet të ndihemi të sigurt brenda qyteteve tona dhe të ngushëllohemi sikur të ishim në shtëpinë tonë.

Indonezia
Hapësira që na ndan në Kosovën është një vend që është e ndarë për prezantimin e mrekullueshëm që ka bërë Indonezia. Kuratorët e Pavijonit të Indonezisë vendosën të shpjegonin konceptin e boshllëkut me instalimin Sunyata: Poetika e zbrazëtisë. E gjitha fillon me një pyetje: Çfarë ndodh nëse arkitektura nuk ka figurë dhe formë? Përgjigjja do të çlirojë shumë ide. Janë dy platforma tezgjahu që janë të shtrira gati në pafundësi. Nga kjo premisë zhvillohet vetë dizajni i veçantë i pavijonit, një dizajn që mund të përkufizohet si Vend-marrje, i cili krijon një zbrazëti duke e prerë mu në mes hapësirën. Një operacion shumë efektiv, i projektuar për të përfshirë vizitorin, i cili tregon se çfarë do të thotë për kulturën indoneziane mungesa e strukturave që kufizojnë veprimet njerëzore. Kuptohet si një plus dhe jo si mungesë. Nëse arkitektura e burgos syrin, duke e detyruar atë të merret me rrjetet gjeometrike dhe barrierat fizike, boshllëku, nga ana tjetër, shkakton një dialog mes të gjitha shqisave njerëzore.
Ky koncept shumë modern, por shumë i përhapur në mendimin indonezian, përkthehet në Pavion përmes një përvoje intensive të hapësirës, ku një fashë e madhe letre pushton zonën e ekspozitës në mënyra që nuk kanë të bëjnë fare me konceptet kanonike të vertikalitetit dhe horizontalitetit, tipike për strukturat konvencionale arkitekturore. Në disa pika vazhdimi i kasetave ndërpritet nga vrima të mëdha brenda të cilave vizitori mund të arrijë lirisht dhe të plotësojë edhe qëllimet vizuale autonome dhe subjektive.

Kroacia
Edhe Kroacia është e jashtëzakonshme. Ajo, në kuadër të Pavionit të saj kombëtar, ka ndërtuar një re futuristike përmes projektit Cloud Pergola / Arkitektura e mikpritjes: një strukturë intriguese dhe transparente, e cila në mënyrë spektakolare mbulon hapësirën më poshtë dhe, që duke dëgjuar kuratorin Bruno Jurièiæ, duhet të përfaqësojë versionin e përditësuar të pergolës klasike të Mesdheut. Instalimi interpreton temën e Freespace, një strukturë e depërtueshme, mbuluar nga një hapësirë e zbrazët, por kurrë asfare e pakuptimtë, në të cilat kemi një rrëshqitje të jetës dhe veprimeve të njerëzve. Në një përmasë midis publikut dhe privatit, midis punës së njeriut dhe mjedisit natyror, ajo përshfaq idenë e saj në mënyrë që të jetë e aftë për proceset e shkëmbimeve dhe partneritetit jo vetëm në mes të hapësirave, por edhe në mes të vetë njerëzve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.