MILOSAO

Vizitë në studio

09:10 - 03.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Konstandin Dhamo – Studioja e skulptorit DP. ndodhet në njërën nga ato rrugicat e spërdredhura dhe të ngushta si intimiteti, që kanë në të dyja anët porta të vjetra druri dhe kopshte me muzikë zogjsh dhe dekore stinësh …
Kjo rrugicë të shpie gjer lart te Qyteti Studenti dhe, vërtet në çastin kur mbërrita aty, studentët po ngjiteshin grupe – grupe, duke u fjalosur dhe duke qeshur potershëm herë pas here.
Sapo m’u shfaq përballë, te hyrja e studios së tij, DP m’u duk i shqetësuar, madje, i sëmurë . Eh, i shkreti artist, arsyetova me vete, pale çfarë pune ka në dorë dhe, i rri mendja aty ditë e natë, gjersa ta përfundojë .Kështu duhet të ishte,por a thua të më kishte thirrur me dëshirë dhe padurim, pikërisht për t’i shprehur ndonjë mendim për punën që kishte në dorë ?
– E, – m’u drejtua, duke më vështruar me sytë e zmadhuar dhe, duke më zgjatur dorën eshtake që i dridhej prerazi, si të kishte rënë në rrymë elektrike – a pyete njeri për të ta rrëfyer rrugën ? Sa ke pa shkelur këtu ?




– Nuk kam shumë, jo .
S’ ishte mirë, s’ishte mirë, ose më saktë, nuk ishte në atë gjendjen e rëndomtë të përditshmërisë rrjedhëse ; ishte i kapur nga ethet e pashmangshme përndezëse dhe pickuese të krijimit. Por kishte edhe një lloj gjallërie,që nuk i përkiste as moshës dhe as tipit të tij.Dale dale …
– Është rrëmujë e madhe këtu, si gjithmonë, por një studio skulptori, nuk mund të jetë përveçse kështu. – m’u kthye me të hyrë brenda. E kur kishte ndodhur të mos ia shprehte këtë shfajësim të panevojshëm kujtdo që i shkelte në derë ?
– Ja, edhe vaska e baltës; – vazhdoi – çdo herë ndiej nevojën ta përmend atë .Është e njëjta baltë me atë që Krijuesi ynë përdori për të mbrujtur njeriun e parë ! – Dhe shpërtheu në një gaz të papërmbajtshëm, që e çeli dhe e solli në humor.- Ti vështro ca rreth e rrotull, ndërkohë unë po të zbuloj bustin e Gavrill Darës .Ka filluar të bëjë vapë dhe, që të mos më plasaritet dhe, të më vejë dëm tërë mundi, e kam spërkatur rregullisht me ujë dhe e kam mbështjellë me pece dhe celofan gjithë merak.Nuk është një zbulim si ata të përurimeve ; eh, ka ende mjaft punë, gjersa ta lëshoj por edhe të më lëshojë .Çfarë po këqyr?

– Këtë bocetin këtu, që nuk e pati fatin të kthehej në monument .Asgjë nuk më pëlqen më shumë se bocetet! Kur realizohen, kur zmadhohen pra, në përmasat e parashikuara për t’u ngritur aty ku iu është përcaktuar vendi, shpesh zhgënjehem,kur i vështroj; nuk e gjej dhe nuk e ndiej më atë spontanitetin e të modeluarit, ato prekjet përplot drithërima të mollëzave të gishtave që nuk e kuptoj përse rrafshohen dhe humbin, nuk e gjej më as edhe atë fantazinë e fillimit në formë dhe lëvizje.Shkurt nuk emocionohem dhe, kësisoj largohem i pakënaqur.
E mbaj mend historinë e këtij boceti me këto tri vajzat e hazdisura. Erdhën e ta panë këtu në studio ata idiotët e komisionit, me në krye dy anëtarët e Byrosë, po po; njeri ish kovaç dhe tjetra ish mjelëse dhe, të kritikuan rëndë për gabimet ideologjike dhe politike të krijimtarisë tënde.Këto tri vajzat, të shfrynë me ton hakërrues, që kinse po rendin gjysmë të zhveshura, nuk munden ta këndojnë kurrsesi Internacionalen, fjala vjen. Pastaj, ç’është ky shuk balte që po na vë përpara, bocet? Ti nuk qenke as serioz ! Përse e kërkove komisionin kur nuk paske qenë gati…
I mbaj mend, i mbaj mend të gjitha ; kemi biseduar gjerë e gjatë bashkë atëherë, harrove ? Por të mos e zgjatim, sepse nuk dua të lëndohesh për së dyti.
– O, nuk lëndohem aspak.Kanë kaluar dhjetë vite tashmë . Ngjarjet, sado të rënda që të kenë qenë, zhdramatizohen kur kalon një kohë e gjatë, madje, nganjëherë aq shumë, sa nuk i tregon dot me seriozitet.Por ajo ngjarje, për pak më rroposi një herë e mirë . E ç’ prisni ju nga burri i ruses, nxituan të helmonin opinionin ziliqarët e patalentuar, duke ua rikujtuar të gjithëve origjinën e ish bashkëshortes sime. Ç’t’iu thoshe ; gruaja ime e dashur kishte pesëmbëdhjetë vite që kishte ikur në punë të saj, në Leningrad, por atyre iu interesonte ta përmendnin dhe ta aktualizonin martesën time me të.Në atë kohë ndenja muaj e muaj të tërë pa prekur baltë me dorë, madje nuk vija as këtu në studio dhe nuk vizatoja as në shtëpi , duke besuar seriozisht se , nuk do të bëja kurrë më skulpturë .Por, si po të duket Gavrilli ynë? Hidhi një sy .Mos harro se, do ta çojnë në Itali, te fshati i tij i lindjes!

– Fytyra e tij që tani ka psikologji dhe karakter.Dhe, të ndjek me vështrimin e tij dhe të ndal.Por, sa të pikëlluar këta poetët arbëreshë, sa të pikëlluar!Është me sa duket, pikëllimi që i kaploi stërgjyshët e tyre me të lënë Arbërinë, pikëllim dhe dhembje që përçohet edhe sot e kësaj dite me të njëjtin densitet.
– Seriozisht po flet ?
– Të paktën në ndonjë shkrim në gazetë, kështu do të isha shprehur.
– Megjithatë, duken të kenë qenë burrërorë dhe konsekuentë.
– Ah, balta balta !
– Ç’ke me baltën …
– Por nuk më ke ftuar pikërisht për të më treguar Gavrillin, kështu?
– As unë vetë nuk e di se, për çfarë të kam ftuar pikërisht, por njeriu ka nevojë për gjithçka nga një mik.Ti je më i ri se unë por shpesh më jep këshilla shumë të dobishme.
– Ah; ja ku ta zëvendësova mjekun e përkorë të familjes ! – e shpotita dhe vazhdova: – Më ke thënë se, del vazhdimisht te dera e studios kur pushon ca dhe, pi cigare, duke ndjekur njëherësh me ëndje ecejaket e pashtershme të studentëve ?
– Ah, sa me nostalgji të thekshme i ndjek ! Çlodhem kthjellohem dhe, marr pak ajër .Por, tjetër racë studentësh kemi qenë, fjala vjen ne dikur. Ajo pirja e cigares aty, te dera, është refreni që më shkëput sado pak nga orët e lodhshme të krijimit. Por, sa femra të bukura kalojnë herë pas here! Do ta kthejmë nga një gotë? Mbaj raki të mrekullueshme unë këtu në studio, siç e di edhe ti. Me ata kolegët e mi, as rrihet dhe as bisedohet.I ka rrëgjuar dembelia dhe veçse zdërhallen kafeneve.
– Gëzuar dhe suksese ! – e urova, kur ma mbushi gotën dhe rrëkëlleva një hurbë të mirë.
– I shoh ato femrat, por tashmë duhet thënë i shihja ato femrat që kalonin e kalonin përpara studios dhe, një ditë prej ditësh ndava njërën prej tyre, ashtu si edhe ai gjuetari sqimëtar, që e ndan njerën drenushë nga shoqet . Fillova t’i buzëqesh nga pak, por ndjellshëm që t’i tërhiqja gjithsesi vëmendjen, por kaq; nuk po përparoja.Vendosa të vishesha më hijshëm ,të krihesha e të rruhesha rregullisht , për t’u dukur ca më i ri dhe më tërheqës ,por iu ktheva vetes shpejt : ik or’ spitullaq i dreqit , se do të bëhesh qesharak .Dhe ja , vazhdova të dilja përsëri te dera kështu si bojaxhi.

– Pa shih pa shih ,ç’u bëka këtej ; dhe …
– Dhe, kur nuk ta mban, nuk ndodh asgjë interesante.
– Por ama nuk rrezikon,ndonëse sakaq squllesh dhe bjerresh.
– Posi posi; ajo, siç duket, argëtohej si të gjitha femrat e botës me ngërçin tim dhe, një ditë, që nuk vonoi, ma ktheu buzëqeshjen përshëndetëse me kurajo dhe e vendosur.
Nuk vishet me shije dhe rrobat i ka mjaft të përdorura, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, por ecën bukur, oh,pa dyshim bukur dhe ngacmueshëm. Beson, ka hundë të madhe, por jo të shëmtuar, sepse i harmonizohet për mrekulli mes atyre syve gri të mençur dhe faqeve të tërhequra .
E ngordhalaq që të mbyt me atë duhmën e shpifur të duhanit, iu gërmusha vetes, jepi tani, kuturis! Por kuturisi ajo. Më hyri në studio .Dje pra, dje. Po thithja si i babëzitur cigaren e tretë radhazi aty te dera, si të isha endacak; hahaha, kur ajo kaloi pranë meje, si gjithmonë së bashku me disa studentë të tjerë.Mbante një dosje të trashë, e mbante të mbështetur pranë zemrës, le të themi, mu si ato stakhanovistet e pllakateve që mbajnë veprat e shokur Enver dhe …
– Bobo, sa argëtohesh ti me këto krahasime të zararshme ! Por mos harro se, edhe ato pllakatet ju i ideoni dhe i realizoni.
– Po po ; dhe kur u shkëput nga grupi për të ardhur tek unë, vura re se, kishte një gjoks të përpjetë dhe arrogant.Si je, m’u drejtua në njëjës për afëri sigurisht, jo për mungesë mirësjelljeje dhe, më zgjati dorën. Nga mënyra se si e ruajti buzëqeshjen, kuptova rrëmbyeshëm se, e pranonte trillin dhe aventurën.E kisha parë përherë pothuajse veçse në profil dhe, ashtu përballë m’u duk si tjetër njeri.Prit ; edhe gojën e kishte të madhe , por femrave u shkon goja e madhe ,ndoshta ngaqë buzët i kanë me forma më të plota . Për shembull, e ke parasysh Sofia Loren ? Ha ha ha ?

– Hë, ja u rrëfeve…
– Patjetër ; kur rrëfehesh, sikur mëson edhe se çfarë të bësh në vazhdim.
Kam shumë kureshtje të shoh një studio, u hap ajo; nuk kam parë ende ndonjë gjer më sot.Urdhëro, i thashë dhe i hapa udhë.Në këmbë kishte mbathur një palë gjysmësandale a gjysmëkëpucë, nuk di ta saktësoj, por kërcinjtë i kishte të gjatë dhe me pulpa të ngjeshura . Me të hyrë brenda, nisi të shohë bustet dhe kokat në të katër anët e studios dhe, një çast, m’u duk se u shantazhua nga gjithë ata sy që iu ngulën befas njëherësh. I ndjeva erën e djersës, një erë të lehtë, në fakt po të kishe parasysh se, ajo, patjetër që ishte kapluar nga emocioni dhe,veç kësaj vinte edhe drejt e nga rruga përplot diell, por unë,prej asaj ere, e thashë, të lehtë dhe të natyrshme, u kujtova dhe u ndërgjegjësova se, në studion time kisha një njeri të vërtetë, madje një femër, gjithë hire dhe zjarre rinie!
– Më rrëqethe …

– Përpara syve të saj , as pozoje dhe as shtireshe dot .
– Ndonëse e ke takuar veçse dje, ke menduar dhe ke ëndërruar aq shumë për të, sa ke shkuar disa muaj përpara.I premtove t’i bësh ndonjë portret, apo ndonjë shtatore, që do të quhej Aksionistja, apo Studentja?
– Çdo gjë nga këto që përmende ti mund të ndodhë .Dreqi ta hajë ; nuk më hyri në studio armiku i klasës !Ma humbe fillin ; e pra, mjaftoi thjesht ardhja e saj në studio që të të them i bindur se, filloi një periudhë e re e krijimtarisë sime; kam nxitje dhe vullnet për të punuar më me frymëzim dhe i shoh qartë ditët që do të vijnë dhe, entuziazmohem.Çfarë efekti të menjëhershëm më bëri ajo femër; o, i jam mirënjohës!
– Nuk shpëtojmë dot ne nga perifrazimet e teksteve të sloganeve.Dëgjo professor, sikundër edhe je ; atë periudhën e re të krijimtarisë tënde artistike, të periudhës sime, po të duash ti, apo të kujdo tjetër artisti apo shkrimtari shqiptar, e ka në dorë ekskluzivisht vetëm Partia, me plenumet dhe direktivat e saj.Ty të takon vetëm të presësh dhe më pas t’i pasqyrosh drejtpërdrejt këto mësime të vyera në veprat e tua. Çfarë diskutuam ne qëparë për atë bocetin e atyre vajzave që i kishte zënë pranvera? Sa naiv bëhet njeriu, kur bie në dashuri, qoftë edhe për të dhjetën herë…
– The atë që pate merak; unë nuk do të ndërroj stil dhe, sigurisht që nuk do të përqafoj ndonjë izëm dekadent; të pëlqen kështu ? Thashë me sinqeritet se, tani e tutje do të ngulem përsëri në studio nga mëngjesi deri në mbrëmje.
– Folët shumë ?

– Po, u bëmë llafazanë të dy dhe nuk lamë gjë pa e pyetur njeri – tjetrin.
– Mirë mirë, por do të bjerë dera dhunshëm ndonjë ditë dhe, do të të futen drejt e brenda ata të këshillit të lagjes, pensionistët apo veteranët me xhaketa ushtarake pa spaleta si robërit e luftës, do të ta gjejnë të vluarën me brekë apo, mos e pyet, nudo fare, duke pozuar gjithë naze dhe, do të të marrin në qafë përfundimisht; fut femra të përdala në studion e shtetit, do të të akuzojnë.
– Ajo gruaja ime ruse,të cilën e njoha pak a shumë në të njëjtën rrethanë, që njoha edhe këtë shqiptaren tonë, kur ishte studente edhe ajo dhe, na kalonte çdo mëngjes përpara atelieve, gruaja ime e dikurshme ruse pra, që nuk dua t’ia zë emrin në gojë, sepse tronditem, po bën jetën e vet prej shumë vitesh atje në Leningradin e largët, me agime boreale kaleodoskopike, pa u ngacmuar dhe pa u shqetësuar prej askujt: as letra as fotografi, as telefonata dhe, as bëhet e çnuk bëhet. ..
Atëherë, çfarë pres unë këtu në Tiranë, vetmitar si të isha asket? A jam apo nuk jam i divorcuar ligjërisht ? Kjo studentja ime na qenkësh në vit të fundit, paskësh punuar edhe nja tre vite si mësuese në fshat para se t’i dilte e drejta e studimit, kështu që edhe në më shkreptë ta marr, të martohem, desha të them, por mezi më dalin disa fjalë, nuk do të kemi ndonjë ndryshim moshe kushedi se çfarë. Sa vajti ora ? Oho, a e di ti që, pas pak, ajo do t’ia behë këtu ? Ata veteranët me uniformat pa grada nuk kanë çfarë të më bëjnë më, dëgjove ?

E shkreta vajzë! Ndoshta këtë herë do të ketë hedhur pak parfum në trup dhe, do të ketë veshur edhe ndonjë bluzë që do t’ia ketë marrë hua shoqes së dhomës ! Sepse ndoshta nuk e di ende që u bë e imja qoftë edhe me atë erën e lehtë ndjellëse të asaj djerse të një njeriu të vërtetë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.