Sociale

Liqeni kurues i Shënepremtes, ja çfarë sëmundjesh shëron

14:50 - 05.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Niazi Fejzo – Hydroterapia, e quajtur më parë hydropathy është një pjesë e mjekësisë alternative në veçanti e natyropatisë, terapisë profesionale dhe fizioterapisë, që përfshin përdorimin e ujit për lehtësimin e dhimbjes dhe trajtimin e sëmundjeve. Termi përfshin një gamë të gjerë të qasjeve dhe metodave terapeutike që të përfitojnë nga vetitë fizike të ujit, të tilla si temperatura, presioni, përmbajtja kimike, radioaktive, për qëllime terapeutike për të stimuluar qarkullimin e gjakut dhe trajtuar simptoma dhe sëmundje të caktuara.




Historia
Përdorimi terapeutik i ujit ka histori të gjatë. Në Pakistan zbulohet dushi i lashtë 4500 vjet p.e.r. Forma të ndryshme të hidroterapisë janë regjistruar në Egjiptin e Lashtë, Persi, qytetërime greke dhe romake. Mbreti i Egjiptit përdorte banja me vajra esencialë dhe lule. Romakët kishin banja publike për qytetarët e tyre. Hipokrati përshkruan larjen me ujë të freskët për sëmundje. Ser John Floyer, mjek në Lichfield, publikoi një libër në vitin 1702 mbi larjen me ujë të ftohtë. Në vitin 1820 Vincenz Priesnitz themeloi në Grafenberg, Silesia, atëherë pjesë e perandorisë austriake qendrën e parë të hydroterapisë, që trajtonte në vitin 1839, 1500 pacientë dhe u bë model për mjekë dhe specialistë për të mësuar teknikat e hydroterapisë. Ai përdorte dushet me ujë të ftohtë të pranverës. Shumica e pacientëve ishin nga Europa Qendrore, përfshirë Prusinë, nga Austria, Hungaria, Polonia, Rusia, Galicia dhe Franca. Në Britani hydroterapia u shfaq me kapiten Claridge, i cili e ndoqi më pas me një udhëtim në ishujt britanikë dhe botoi një tregim për përvojën si pacient i Priesnitz. Metoda e hydroterapisë Priesnitz tërhoqi njerëz të çdo rangu nga shumë vende, të dukshëm ishin ata të mjekësisë, disa nga kureshtja, disa nga dëshira për njohuri, por shumica nga shpresa për të kuruar nga sëmundje të provuara të pashërueshme. Shumica e të dhënave, përvojave dhe pretendimeve të gjeniut u vërtetuan, u vlerësuan.
Në shekullin e XIX institucionet hidropatike evoluan në ndërmarrje, në hotele, në SPA (llixha), në banja rekreative me mbikëqyrje nga personeli mjekësor. Në Gjermani, Francë, SHBA, Britaninë e Madhe pati shumëzim të qendrave hidropatike. Disa miliona njerëz në këto vende kalojnë kohë në banja. Në vitin 1891 Mark Twain trajtohet në Europë në banjë të ftohtë dhe zbuti reumatizmin e tij. Dr.James Willson dhe Dr.James Manby Gully hapën 2 klinika të mjekimit me ujë në Malvern, ku mjekohen pacientët e famshëm Charles Darvin, Charles Dikens, Thomas Carlyle, Florence Nichtingale, Lord Tenyson. Mjekët këshillojnë të mos shkohet në banjë para majit dhe pas tetorit. Amerikanët preferojnë muajt e verës. Koha më e mirë është korrik-gusht.
Në vitin 1860-1870, në Berlin dhe Bazel u aplikuan dushe me ujë të ftohtë në mjekimin e tifos abdominale. Në luftën franko-gjermane, dushi ftohë i kombinuar me kininë u përdor në hiperpireksi në përmasa të mëdha.
Në SHBA, në kulmin e saj kanë qenë 200 qendra hydroterapie, më të vendosura në verilindje, duke përfshire institucionet Scott, Elmira, Clifton, Springs dhe Dansville. Në Europë numërohen 1000 qendra hydroterapie. Ne Bad Worshofen ka pishina të bukura, klinika, hotele, madje edhe një pyll ku ju mund të hiqni këpucët, çorapet dhe të ecni zbathur në ujë çdo mëngjes verës dhe në dimër dhe kur ka dëborë në terren. Nëse jeni me fat mjaftueshëm për të jetuar pranë detit, ose pranë një përroi, të dyja janë ideale. Para Luftës së Dytë Botërore terapia e ujit është përdorur për terapinë e alkoolizmit ndërsa në mjekësinë moderne për terapinë e drogës.
Sebastian Kneipp (1821-1887 ) – prift bavarez. Në vitin 1855 Kneipp u dërgua në fshatin e vogël bavarez të Worshofen për të ndihmuar një manastir grash domenikane. Ai vuante nga tuberkulozi. Në këtë fshat gjeti një pus në gjendje natyrale ku mjekoheshin me ujë të ftohtë të sëmurë. Ky u quajt kura mrekulli, ku mjekoheshin një numër në rritje të sëmurësh, qe ose nuk kishin para të mjaftueshme për të paguar kujdesin mjekësor, ose iu ishte dhënë si e pashpresë nga mjekët e tyre. Kneipp ishte dërguar atje për të drejtuar jetën klerikale, për të ringjallur ekonominë në stanjacion të fshatit dhe këshilluar fermerët për të përmirësuar bujqësinë e tyre. Por, magjepse u bë për Kneipp mbizotërimi te ai shëndeti dhe shërimi i njerëzve. Ai u mësoi të sëmurëve për të trajtuar veten, gradualisht duke zhvilluar një sistem të plotë për parandalimin, kurimin dhe rehabilitimin bazuar që një qenie njerëzore është uniteti i trupit dhe shpirtit dhe sa herë që ky unitet është i kërcënuar ose sa herë harmonia e natyrës është e shqetësuar, pason sëmundje. Kompleksi i aplikimit të mjekimit me ujë nga përdorimi klasik i plakave, terapia e Knaipp u mbështet nga skema qeveritare e sigurimit shëndetësor në Europë dhe madje të subvencionuara nga shteti për shërimin dhe rehabilitimin e të sëmurëve rëndë. Kneipp, një njeri me jetë shumë të thjeshtë, por ai zotëronte një pjesë të magnetizmit personal, që krijoi besim dhe dashuri dhe i bëri njerëzit të gatshëm t’i binden atij. Me karizëm, elegancë, thjesht e natyrshëm ktheu një të vërtetë të madhe me mjete të thjeshta. Një pus me ujë të ftohtë, me një rrobë liri të ashpër, një sapllakë për të derdhur ujë, këto janë veglat e kurës me ujë të Kneipp. Mjekimi i tij me ujë kundër tuberkulozit, bindja e thellë personale, u kthye në një rekord të konsiderueshëm suksesi për pacientët që u dyndën te ky prift-mjek nga e gjithë Europa. Kneipp për trajtimin e tij përdori ujë shumë të ftohtë apo i quajtur “kurë kali” për shkak të forcës që duhej të kushtohej për të qëndruar gjatë aplikimit të procedurës.
Libri i Kneipp, “My water cure” (1892) u bë bestseller dhe u përkthye në 52 gjuhë. Kneipp dëshmoi për ujin për të shëruar shumë sëmundje për shkak të fuqisë së tij për të hequr rrënjët e sëmundjes. Se uji është në gjendje të hedhë nga trupi në gjak dhe të evakuojë (nxjerr) jashtë duke pastruar organizmin dhe duke e kthyer atë nga të ligështuar në të forcuar. Kneipp përdorte vetëm metoda natyrale. Sot përdoren shumë forma që Kneipp nuk i përdorte. Sipas tij, uji vetëm shkon në lëkurë, por nuk drejtohet kundër trupit me ndonjë “forcë”. Nuk kishte dushe, lavazhe. Uji sipas Kneipp paralajmëron prerazi, duhet të ngjitet nga poshtë–sipër shumë ngadalë dhe uji duhet të duket sikur e mbulon me një fletë qelqi. Qysh nga viti 1900 terapia me ujë e Kneipp është përhapur në të gjithë Europën dhe në Amerikë. Që atëherë metodat e tij janë hulumtuar, aplikuar, rafinuar dhe përshtatur nga shkencëtarët në të gjithë botën.

Pusi Uji i Ftohte, Shënepremte
Teknika: Frekuentohet në periudhën gusht–shtator nga të sëmurë që numri i tyre është në rritje progresive kohët e fundit. Një pus i vetëm, jo i madh, futen duke pritur në radhë të sëmurë gjithë ditën. Banja vazhdon 3 ditë, zakonisht një banjë në ditë. Uji i banjës është shumë i ftohtë, 3oC. Pusi ruhet në gjendje natyrale i rrethuar me gurë. Përdoret banja e këmbëve, e gjunjëve, e baçinit (të ndenjurave) e pjesës së pasme të shpinës. Përdoren banja të ftohta të krahëve për romatizma, paraliza dhe zakonisht e gjithë trupit deri në qafë, me kokën jashtë. Zhytja në ujë bëhet shumë ngadalë, në fillim këmbët, njomen krahët dhe rrëshqitet gradualisht që uji të mos lëvizë. Njerëzit që futen njëri pas tjetrit japin sigurinë dhe këshillat përkatëse. Te koka rrinë familjaret. Kohëzgjatja e kurës dhe temperatura e banjës janë ekstreme. Me të drejtë quhet “kurë kali” nga forca dhe qëndrueshmëria që duhet për të përballuar të ftohtin, dhimbjet për një kohë të zgjatur 10 minuta, 15 minuta dhe deri 18 min. Maksimumi i kohës kur e detyrojnë të dalin nga banja. Dalja nga banja duhet bërë gradualisht pa e lëvizur ujin. Kjo quhet edhe metoda e torturës – “water torture”, por quhet edhe kura mrekulli. Në banjë futet me të brendshme pambuku. Kur dilet nga banja, ndihesh i mpirë. Bëhet një vrap me kërcime në sheshin rreth pusit. Ndjen të ftohtë dhe vazhdon të mbash rroba të lagura në trup. Por është rregull i prerë: Të mos ngrohesh mbas zjarrit dhe të mos heqësh rrobat e lagura, por të futesh në një shtrat të ngrohtë me velenzë leshi si shtroje dhe si mbulesë. Dhe do të të zërë gjumi menjëherë. Kur të zgjohesh do ndihesh i lehtësuar, rrobat e lagura janë tharë. Do çuditesh vetiu se mund të ecësh më shpejt dhe më gjatë se para banjës. Do kesh dëshirë të hash apo të pish ndonjë pije, se edhe klima e panorama janë të mrekullueshme. Por vjen rregulli i dytë absolut: Nuk duhet të hash mish dhe nuk duhet të pish alkool, po i pate vënë qëllim vetes që banja të japë efektin e saj të plotë. Me këtë ndjenjë kënaqësie do bësh banjën e dytë dhe të tretë në dy ditët që vijojnë. Nëse për 10-15 ditë do ndihesh disi i lodhur, mos u shqetëso sepse janë të periudhës mbas banjës dhe pas kësaj fillon rikthimi i shëndetit, rifitimi i forcave fizike, rekreacioni, eliminimi apo zbutja e shenjave të sëmundjes.
Sëmundjet që mjekohen te Pusi Uji Ftohtë
Arthriti, osteoarthriti, arthriti rheumatoid.
Janë sëmundje me % të lartë në shkallë botërore. Ato prekin gjunjët, kockën (çapoku), kolonën vertebrale, supin, muskujt, tendinat. Bëjnë shqetësime të vazhdueshme me dhimbje të përditshme, me kufizime të lëvizjeve, të aftësisë për punë, të rëndimit në pleqëri. Janë problem të kostos së lartë të operacioneve në kyçin e gjurit, të kockës, kolonës, etj. Këta të sëmurë trajtohen nga reumatologu, ortopedi, fizioterapeuti. Vetëm nga osteoartriti vuan 5-10% e popullsisë australiane (A. Foley). I sëmuri ndjen dhimbje në gju, kufizim të lëvizjeve, shmang ngarkesën, artrofi muskulore, edem (ënjtje) e gjurit. Hydroterapia siguron një sërë përfitimesh duke përfshirë reduktimin e edemës, rritjen e volumit të lëvizjeve, lehtësimin e dhimbjeve dhe ngarkesës së reduktuar, përmirësimin e performancës personale. Shpejtësia dhe distanca e ecjes në këmbë përmirësohen ndjeshëm. Pra, hydroterapia me sukses përmirëson funksionin fizik, aftësinë e pacientit për të ecur, për të kryer aktivitete të përditshme dhe për të moshuarit, pleqtë për uljen e vdekshmërisë dhe uljen e pranimit në spitale dhe në shtëpitë e pleqve. Rritja e forcës muskulore rreth kyçit të prekur është rezultat klinikisht i rëndësishëm, meqë forca muskulore siguron rritjen e aftësisë absorbuese të goditjeve dhe përmirëson stabilitetin e përbashkët për të ndihmuar në ruajtjen e kyçit të sëmurë. Hydroterapia jep përmirësim të dukshëm në rezultatin e komponentit fizik. Ajo mund të vazhdojë me përsëritje më të larta, më të shpeshta, pra më intense. Studimet tregojnë se hydroterapia prodhon rezultate funksionale pozitive, siguron mjedis optimal për të realizuar intensitet të lartë të lëvizjeve në të sëmurë me sëmundje të kyçeve. Në banjën me ujë të ftohtë për shkak të vetive fizike të ujit si kohezioni, forca e gravitetit tek i sëmuri me ostoartit të rëndë, mund të gjejnë mjedisin e duhur për të shtuar volumin e lëvizjes brenda në banjë me më pak dhimbje. Sidoqoftë, për të përmirësuar stabilitetin dhe kapacitetin absorbues të goditjeve përmes fuqisë së përmirësuar të muskujve duhet të rekomandohen ushtrime fizike në tokë pas procedurës së hydroterapisë.

Sëmundje të tjera që mjekohen te Pusi Uji Ftohtë
Sëmundje të brendshme. Adenoide, anemi, anoreksi, astma, bronshit, defekte të qarkullimit të gjakut, ftohje, dhimbje barku, ethe, fisura, edema, sëmundje biliare, gastrit, nauze, vjellje, dispepsi, kapsllëk, syndrome i zorrës së irrituar, hemorroide, hypertension i lehtë, faringit, obezitet, sinozit, teshtitje.
Sëmundje uro–gjinekologjike. Urinim i pavullnetshëm, cistit, infertilitet, menopauza, çrregullime menstruale, depresion post-partum, syndrom premenstrual, sëmundje të prostatës, infeksione seksuale, sëmundje të veshkave, mosmbajtje të urinës. Pusi Uji Ftohtë quhet edhe me emrin Pusi i Grave, ndoshta për problemet e infertilitetit (shtatëzanisë).
Sëmundje nervore. Sindromi i lodhjes kronike, klaustrofobi (frikë nga qëndrimi në vende të mbyllura), depresioni, dhimbje koke, pagjumësi, migrenë, neuralgi, luhatje humori, dobësi muskulore, panik, stres, hernie diskale, dhimbje nervit shiatik, çrregullim të gjumit, vertigo.
Sëmundje të lëkurës dhe mukozave. Konjuktivit, psoriasis, dekubitus.


Të tjera:
– lëndime sportive, përgatitje atletike,
– për të stimuluar sistemin imunitar,
– për përmirësimin e muskujve dhe kyçeve të lënduara, për të zbutur dhimbjet e kokës,
– për promovimin e relaksimit, për të lehtësuar dhimbjet e punës.
Terapia me ujë të ftohtë nuk është për të gjithë:
Sëmundjet e rënda të zemrës dhe mushkërive paraqesin rrezikshmëri. Presioni i mundshëm i gjakut që shkaktohet nga uji i ftohtë mund të jetë i rrezikshëm në persona me tension të pakontrolluar të gjakut. Megjithatë praktikuesit thonë se hydroterapia mund të jetë e sigurt në hipertensionin arterial të lehtë 150-160/100 mm Hg, sidoqoftë duhet të kryhet një studim nga mjeku para kurës me ujë të ftohtë. Terapia me ujë të ftohtë te njerëzit e dobët, të hollë duhet të bëhet gradualisht. Terapia me ujë të ftohtë duhet të shmanget te sëmundjet akute, në dhimbje prapa kokës, në arterioskleroz, në sëmundjen e Reynaud.

Shkenca moderne
konfirmon përfitimet në mjekimin me ujë të ftohtë
Në ftohje të shpeshta, në pagjumësi dhe sëmundje si me sipër, rrit funksionin imunitar, ul inflamacionin, ul dhimbjen. Rrit rrjedhjen e gjakut, metabolizmin, përmirëson sindromën e lodhjes kronike, balancon ciklin e gjumit dhe zgjimin.
Hydroterapia – mjekimi me ujë është 3 lloje:
1. Uji i ëmbël (comun), përdoret me banjë (të ngrohtë, të ftohtë, të alternuar) dhe me pije. Këtu futet Pusi Uji Ftohtë. Ka afërsi në përbërje dhe për pije me ujin e Glinës (Gjirokastër) porsi stacion për banjë është unikal në vendin tonë me temperaturë shumë të ulët 3OC, me efekte të jashtëzakonshme e të pakrahasueshme me asnjë burim tjetër në Shqipëri dhe më gjerë për shërimin e sëmundjeve.
2. Ujërat termale – termoterapi. Burime me temperaturë të lartë (të nxehta) që vijnë nga thellësia e tokës dhe marrin me vete kripëra minerale dhe gazra. Qendra baleare termale në Shqipëri ndodhen në llixhat e Elbasanit, llixhat e Peshkopisë, në Leskovik, Benjë Përmet.
3. Ujëra minerarë. Ky ujë vjen nga burime të tokës dhe ka sasi më të mëdha kripërash minerare se uji i zakonshëm. Më të rëndësishëm janë përmbajtja gaz sulfuroz, karbonate-sulfate dhe radon radioaktiv. Llixhat e Elbasanit, Peshkopisë, Leskovikut dhe Benjës janë ujëra termalë dhe minerarë.
Ujërat minerale, oligominerale zakonisht përdoren nga goja, në mëngjes esëll një bardhak duke e shtuar në vazhdim. Përdoren për banjën në inflamacione të lëkurës. Të njohura janë burimet në ishullin Elba, Scarperia (Firence), Comano (Trento). Ujërat sulfurozë përmbajnë squfur. Më shumë përdoren për banjë, por edhe për pije me aerosol apo irrigacion. Të përmendur janë Albulae (Roma), Rapolano (Siena), Santa Cesarea (Leçe), Porretta (Bologna), Aachen (Gjermani), Aix-les Bains (Francë).

Mekanizmi i veprimit të hydroterapisë
Në të 3 llojet e banjave, në ujin e ëmbël (komun), me ujërat minerarë, me ujërat termalë veprojnë faktorët e mëposhtëm:
– Faktori mekanik: Luan rol ndryshimi i forcës së gravitetit të organizmit në banjë. Trupi i nënshtrohet humbjes së peshës e për pasojë, lëvizshmëri e madhe e kyçeve. Ky lirim i lëvizjeve ka rëndësi të madhe për ushtrimet nën ujë, sidomos pas paralizave. Presioni i ujit më shumë manifestohet në regjionet me inde të buta si: lëkura, indi konjuktival, vazot e gjakut, pareti i barkut, që transmetohet në organet e brendshme e në diafragme. Në mushkri rivendoset gjendja e ekuilibrit me eliminim të ashtuquajturit “ajri rezervë”. Po jo në efizemën pulmonare, në isuficiencën kardiake dmth., në këta të sëmurë nuk tolerohet. Hedhja e gjakut në aortë shtohet 25%, por zemra duhet të jetë e shëndoshë, të disponoje rezerva energjetike.
-Faktori termik: Vepron mbi lëkurë në 2 mënyra: nëpërmjet një stimuli direkt mbi nervat dhe vazot e gjakut dhe nëpërmjet mbi terminacione nervore të termoreceptorëve. Kjo ndodh edhe për faktin se banja liron substancë aktive që gjenden në lëkurë dhe që prodhojnë një diladacion të vazave të lëkurës, një rritje të lëvizjes së gjakut dhe ndryshim të temperaturës së lëkurës, gjë që provokon një zbrazje të rezervës së gjakut të brendësirave. Me rrugë neurovegjetative ndodh stimulacion i proceseve të shkëmbimit, një ndryshim në reaksionet e gjakut dhe rritje eksitabilitetit neuromuskulor. Këto spostime të vogla të “ekuilibrit acido-bazik” të organizmit janë të rëndësishme, sepse stimulojnë të tjera procese si glandulat me sekrecione të brendshme.
-Faktori kimik: Ky vepron nëpërmjet lëkurës në mekanizmin “perspiratio insensibilis” dhe pirjes së ujit nga një bardhak çdo mëngjes esëll. Këtë e vazhdon në shtëpi, pasi kthehesh nga banja për 10-15 ditë. Efekti ndodh nga veprimi i elementeve kimikë, por edhe radioaktiv në banjë, si psh. radiumi, i cili konsiderohet si më i përshtatshëm dhe është në përdorim edhe në spitalin onkologjik, por sigurisht me një dozim ekzakt. Njihet efekti dhe i kobaltit – kobalto terapi, i jodit radioaktiv, apo i radio jodit në formën e pirjes. Ujërat që përmbajnë radium torium mund të përdoren nga goja. Kanë përdorim në artritizëm, reumatizëm, neurite, uricemi, sëmundje endokrine, insuficiencën e vezoreve, tiroides, gjëndrave surenaleve, sterilitet femëror, distoni nervore, sëmundje të lëkurës. Stacionet termale ndodhen në Laurisia, ishulli Ischia, Merano-Montecatini (Itali), Baden-Baden (Gjermani), Luchon (Francë).
Veprimi kimik dhe radioaktiv nëpërmjet lëkurës. Ndodh shkëmbimi i joneve (atomeve me ngarkesë elektrike) me ngarkesë të kundërt (jone pozitive ose katione, jone negative ose anione), ndërmjet organizmit dhe likuidit të banjës. Ky shkëmbim i joneve nëpërmjet lëkurës paraqitet si fenomeni i hydroterapisë, bën që të ndryshojë bilanci mineral i organizmit. Këmbimi i joneve “transmineralizimi” kryhet me anë të mineralizimit (asimilim i mineraleve) dhe demineralizimi (eliminim i mineraleve). Minerale gjinden në formën e particelave të vogla, gjurmëve e për këtë quhen “element oligodinamik”. Ndër ta, kryesorët janë metalet e rënda (hekuri, bakri, etj). Ata kanë funksione të rëndësishme jetësore në organizëm, kanë një rol të rëndësishëm në mbajtjen e shëndetit e në shërimin e sëmundjeve, veçanërisht në afeksionet inflamatore dhe infektive. Shumë burime ujërash kurues përmbajnë të tilla substanca dhe veprimi i terapisë me ujë në balneoterapi i atribuohet pjesërisht edhe prezencës së tyre në ujë. Por duhet ditur se një konsumim i tepërt i metaleve të rëndë mund të shkaktojë helmim, gjë që në trajtimin balnear ky rrezik nuk ekziston.
Veprimi hormonal: Uji i ftohtë liron në trup substancë endorfine dhe citokininë. Lirimi i endorfinës në organizëm gjatë banjës aktivizon nervat sensorë që shkojnë në tru, stimulon sistemin autonom nervor në mënyra të ndryshme, kontrollon funksionin e pavullnetshëm të zemrës dhe frymëmarrjes. Hormoni endorfinë ul dhimbjet. Veprim të ngjashëm kanë edhe citokininat.

Studimet e kryera dhe rezultatet e analizave laboratorike te Pusi Uji Ftohtë
Inxhinier gjeolog Selim Marishta dhe analizat e ujit të kryera në ndërmarrjen hidro-gjeologjike Tiranë. Përfundimet e analizave përcaktojnë, në ujë predominojnë anionet hidrokarbonate, sulfate-klorure dhe kationet magneziale–natriumore. Mineralizimi i përgjithshëm rezulton i ulët, uji klasifikohet në ujëra të ëmbla, të freskëta dhe të lehta. Sipas temperaturës, futet në ujin e temperaturë të ftohtë, ndërsa sipas pH klasifikohet në aciditet të dobët deri në neutral. Fortësia e përgjithshme në gradë gjermane ujë shumë i butë, më e madhe se fortësia karbonate, uji klasifikohet joalkalinë. Uji ka temperaturë më të ulët në rajon dhe në të gjithë vendin tonë. Nuk grupohet në ujërat minerarë, por në ujërat e ëmbla dhe ujë i pijshëm i lehtë. Uji përmban vlera të larta të sulfateve të natriumit me pH neutral deri në acid të dobët.
Mjeku Sokrat Ziu , Higjenist – Epidemiolog dhe rezultatet e analizave të kryera higjienë- epidemiologji, Tiranë. Fortësia e përgjithshme në gradë gjermane 2,8-3 gradë , pH 7,5-8,5, uji përcaktohet alkaline i dobët. Në ujë predominojnë anionet HCO3 85.4 mg/l , sulfate 2.5 mg/l , klorure 14 mg/l dhe kationet natrium 0.04mg/l, magnesium 19.6 mg/l.
Doktor i shkencave Mahmut Xhelili dhe inxhinier kimist Bardhyl Zaimi japin analizat e kryera në laboratorin e bujqësisë. Mbizotërojnë anionet sulfate karbonate përcaktojnë mineralizim të përgjithshëm të lartë. pH 7.5-8.39 dhe ujin e klasifikojnë ujë alkaline i dobët me predominim të anioneve kloride, sulfate, karbonate. Sipas Bardhyl Zaimit, me ujin e pusit janë bërë matje me aparatura përkatëse ku vërehen emetime në atmosferë të elementeve kimike të radiumit, ceziumit dhe stronciumit të cilat kanë edhe veti radioaktive. Ky autor ka provuar duke pirë për 15 dite ujë nga pusi i ftohtë dhe duke evituar pirje uji nga burim tjetër. Efekti ka qenë njëlloj si me procedurën e banjës. Uji i pusit ka temperaturë më të ulët se të gjitha burimet në Shqipëri. I matur në periudhën e banjës (Top-Channel Albania, gusht 28.2016 ) temperatura e ambientit ishte 14oC, ndërsa e ujit të pusit 3oC. Sipas “Nouveau Larousse medical illustre’ fq.113. Sipas temperaturës, ujërat klasifikohen: 0-5oC – banja e ngrirjes, 5-10oC banja shumë e ftohtë 10-15oC.
Ramazan Bici, specialist dhe drejtues i Agjencisë dhe grumbullimit të bimëve mjekësore në Lenie jep të dhëna për shpërndarjen, gjendjen e tyre në Liqenin e Zi dhe zonat rreth tij si: Zona Uji i Ftohtë, Aisht e Zezë, mali Lenies, Rrasybeg, Valamare, Gurrëz.
Bime medicinale. Lule flete murrizi, verbaskum, lule tërfili, lule njëmijë fletë, lule agulice, lule thundërmushke, fletë hithri, fletë ferre e butë, lule basami, herba zhumbric, rigon, herba majaselli, çaj mali, rrënjë sanzi, shpatore, rrënjë shtare, rrënjë belladoni, rrënjë shpendre, kokërr trëndafili të egër, murriz, mollë e egër, dëllinjë, salep, xhirrokull.
Mendoj se studimet e thelluara klinike dhe kërkimet laboratorike duhet të vazhdojnë për të zbuluar mrekullinë e këtij pusi natyral çudibërës për shërimin e shumë sëmundjeve dhe rekreacionin e të gjitha grupmoshave.

Pusi Uji Ftohtë, Liqeni i Zi, Mali Valamare, Mali Lenie, monumente natyrale me vlera dhe bukuri të rrallë.
Mali Valamare, Liqeni i Z, Moçale me vendim të KM nr.676, datë 20.12.2002 për nga vlerat dhe rëndësia janë shpallur “zona të mbrojtura të monumenteve natyrore”.
Pusi Uji Fothtë ndodhet 4 km në vije ajrore në lindje të fshatit Shënepremte dhe 300 m nga Liqeni Zi, në lartësi 1740 m mbi nivelin e detit. Liqeni i Zi është i veçuar nga 14 liqene që kanë origjinë akullnajore, të cilat ndodhen në verilindje të tij në fushën e Valamares dhe pranë malit të Valamares me lartësi 2373.4 m mbi nivelin e detit, më i larti në qarkun e Elbasanit. Këto liqene pas shkrirjes së akullnajave u mbushën me ujë, të cilët me ngjyrën karakteristike blu janë njëri më i bukur se tjetri.
Liqeni i Zi është i vendosur midis fushës Ymer Beut në lindje dhe malit Lenie në jug. Sipërfaqja rezulton 1.968ha dhe lartësia 1684m mbi nivelin e detit, me vije bregliqenore rreth 550m. Përreth liqenit shtrihet fusha e liqenit të Zi, fushë livadhore malore. Aty kullosin tufat e deleve dhe kopetë e kuajve. Në këtë fushë, pranë kroit me ujë të ftohtë brisk të liqenit. Ne, djalëria e fshatit kalonim netët e stinës së verës, bënim gara me kuaj e me mushka, prisnim barinjtë të zbrisnin e t’i fusnin në vatha delet nga malet përreth. Në këtë fushë po ngrihen hotele, do bëhet shoqëri, shëtitje e të sëmurëve dhe punonjësve, pse jo dhe studime mjekësore për ndryshimin në ecje, në përmirësimin fizik e funksional nga efekti banjë uji i ftohtë. Rreth fushës së liqenit në formë gjysmë rrethore ndodhen pyjet e ahut në jugperëndim me një freski të papërsëritshme në brendësi të tyre, me monopate, me dy përrenj malor që sjellin ujin në drejtim të fshatit dhe me një burim ujë të bollshëm në Ujësiras. Ne VL fillon brezi i pishës në lartësinë 1700m mbi nivelin e detit dhe mbi këtë nivel fushat alpine dhe subalpine me liqenet që përmendëm më sipër.
Banjat në pusin e ftohtë janë një mrekulli, por në këtë ambient ajo plotësohet dhe nga faktorë të tjerë si klima, lartësia dhe të gjithë faktorët meteorologjikë që veprojnë mbi trupin e njeriut. Influencat fotokimike të prodhuara nga drita termike dhe aerokimike, nga përmbajtja e minerale, lagështia, oksigjeni, ozone. Gjithashtu influencojnë mbi organizmin, presioni atmosferik, korrentet e ajrit bile dhe radiacioni kozmik. Në këtë ambient shëtitje në malin e Rasybekut me ahe të larta, me ajër të lagët e të freskët, me shtroje gjethe shekullore, me një aromë që të hap mushkëritë, një shëtitje në pyllin me pisha që të mbush me oksigjen dhe ozon. Një shëtitje në liqenet mbresëlënëse, fushat dhe shpatet e maleve shoqërohet me një aksion të fortë mbi trupin dhe psikikën e njeriut. Një banjë ajri në shi është kënaqësi dhe ka një veprim tonifikues dhe rifreskues.
Mjek kirurg


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.