OPINION

Universitet privat apo publik?

07:30 - 05.06.18 Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Debati për zhvillimin e universiteteve jo rrallë reduktohet nëndarjen e tyre në publikë e privatëdhe më pas, në shtjellimin e argumenteve dhe listimin e karakteristikave që i japin secilit grup, më shumë a më pak vlera. Një karakteristikë tjetër e debatit është synimi për t’i rreshtuar të dy llojet e universiteteve në dy llogore të kundërta, ose në dy kampe kundërshtare, ndërkohë që në pjesën më të madhe të vendeve është krejt e kundërta, sepse krahas synimit për ndërkombëtarizimin e tyre në nivel rajoni, bëhen gjithnjë e më shumë përpjekje për shkëmbime programesh e studentësh në nivel kombëtar.
Në këto radhë, synimi është pasurimi i këtij debati nga këndvështrimi i studentëve dhe moderimi nga pozitat komode të analizës së përgjigjeve të tyre.
Për këtë arsye, 179 studentëve të vitit të parë akademik 2017-2018, që ndjekin studimet me kohë të plotë në dy universitete publike: në Universitetin e Tiranës, konkretisht në Fakultetet Juridik dhe Ekonomik, si dhe në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, konkretisht Fakultetin e Shkencave të Edukimit, iu kërkua t’i përgjigjeshin pyetjes se pavarësisht universitetit e programit që po ndiqnin, kë do të preferonin ndërmjet një universiteti publik dhe një universiteti privat. Preferenca identifikohej duke zgjedhur në një pyetësor, ndërmjet opsionit privat apo publik. Akoma, për secilën preferencë, studentëve iu kërkua të listonin, në mënyrë narrative, jo më shumë se tri arsye. Paraprakisht, gjej rastin të falënderoj shumë njerëz që më mbështetën në zhvillimin e tij, ndërkohë që theksoj dëshirën për të pasur përgjigjet e sa më shumë studentëve në universitete të tjera dhe përpiluar një hartë sa më të detajuar të zgjedhjeve të tyre. Gjithsesi, këto të dhëna paraprake janë të mjaftueshme për të hedhur bazat e një teorie.
Nga përgjigjet, 69.8% (ose 125 studentë) pohojnë se zgjedhin universitetin publik, ndërsa 30.2% (ose 54 studentë), pohojnë se do të preferonin të vazhdonin studimet në një universitet privat. Interesante është varësia e vendndodhjes gjeografike së universitetit, me preferencën e studentëve në zgjedhje. Kështu, nga 57 studentë të Fakultetit Juridik, Tiranë, vetëm 5 ose 8% pohojnë se do të preferonin të ndiqnin një universitet privat; në Fakultetin Ekonomik, Tiranë, nga 60 studentë, 22 prej tyre ose 37% pohojnë se do të preferonin të ndiqnin një universitet privat; në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, Shkodër, nga 62 studentë, 27 prej tyre ose 44% pohojnë se do të preferonin një universitet privat. Trendi i dëshirës për të vazhduar studimet në një universitet privat, që rritet me largimin nga kryeqyteti dhe në pamje të parë duket se është funksion vetëm i vendndodhjes, është një tregues edhe i cilësisë së vetë universitetit: sa më shumë dëshirë të kenë studentët të zgjedhin një universitet të një lloji tjetër, aq më të pakënaqur janë me cilësinë që u ofrohet.
Sa u takon arsyeve që zgjedhin dhe justifikojnë preferencat e studentëve, ndryshe nga sa besohet, tradita dhe historia e universitetit publik (alias shtetëror) nuk përbëjnë arsye kryesore për zgjedhje. Dhe as profesionalizmi!
Arsye kryesore është tarifa e ulët e shkollimit. Zgjedhja për shkak të tarifës së ulët të shkollimit e një universiteti publik paraqitet në këto shifra: nga 125 studentë që preferojnë universitetin publik, 31.2% (ose 39 studentë) nuk e listojnë fare si arsye tarifën, ndërsa për 62.4% (ose 78 studentë) tarifa është një nga arsyet, në mos e vetmja dhe 8 prej tyre nuk i përgjigjen pyetjes. Për grupin e dytë, në mënyrë më të detajuar, përgjigjet janë: 40% (ose 31 studentë) e listojnë si arsye të parë, 32% (ose 25 studentë) e listojnë si arsye të dytë, 7.8% (ose 14 studentë) e listojnë si arsye të tretë dhe 18% (ose 7 studentë) e listojnë si të vetmen arsye (8 studentë nuk i përgjigjen kësaj pyetjeje). Është interesant fakti që të gjithë studentët që preferonin të ndiqnin një universitet privat, i kishin plotësuar me shumë rregull dhe në mënyrë të detajuar arsyet që shpjegonin zgjedhjen, ndërkohë që të vetmit studentë që nuk i kishin plotësuar ishin ata që zgjidhnin një universitet publik.
Arsyeja që renditet e dyta në zgjedhjen e një universiteti të këtij lloji është profesionalizmi: 49.2% e listojnë si arsye. Arsyeja e tretë është besueshmëria, që referon vlerën e mirë të diplomës në tregun e punës dhe njohjen e saj: 55 studentë, ose 30.7% e kanë pjesë të arsyeve pro. Tradita dhe historia e universitetit publik, ndryshe nga sa mund të mendohet listohet si arsye për ndjekje nga vetëm 3.4%.
Në rastin kur zgjidhet si preferencë një universitet privat, profesionalizmi renditet si arsyeja kryesore, ndonëse në përqindje më të ulëta: 19.6% e tyre pohojnë zgjedhjen e privatit për shkak të profesionalizmit. Në këtë grup u përfshinë arsye të tilla, si: teknika më të avancuara dhe më efektive në mësimdhënie, më shumë mundësi për aktivitete, merr notën e merituar, studentët trajtohen si kolegë, studentët kanë vëmendjen e duhur dhe vlerësohen për aftësitë që kanë, janë seriozë, raport më i vogël student/pedagogë si dhe pjesëmarrje në universitete. Si arsye e dytë e fortë u renditën kushtet në universitetet private me 14%, ndërsa arsye e tretë u listua besueshmëria me 7.8%. Arsyet e vendit të tretë përbëhen nga pohime të kësaj natyre: lidhje e bashkëpunim me jashtë, krijohen kushte për punësim, më pak stres, informacion në lidhje me tregun, më shumë siguri (diploma e publikut nuk njihet në shumë vende të botës – diploma e privatit njihet jashtë), më shumë drejtësi, plotëson nevojat dhe merr parasysh të drejtat e studentëve. Grupi i vendit të fundit të arsyeve, përbërë nga vetëm 8 studentë ose 4.5%, është shumë i veçantë dhe karakteristikë vetëm për zgjedhjen e këtij lloj universiteti. Sipas perceptimit të studentëve, zgjedhja e një universiteti privat lidhet edhe me faktin që “provimet merren më kollaj”, sepse në shtetëror pedagogët të marrin inat dhe ka korrupsion, ndërsa privati nuk ka korrupsion.
Pohimet e studentëve ndihmojnë për ta parë situatën në terma më konkretë. Ndërsa duke krahasuar universitetet private me ato publike, jemi më të qartë dhe të ndërgjegjshëm se çfarë nuk është bërë, ose është bërë e vazhdon të bëhet keq.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.