OPINION

Arsyet e dështimit të protestave edhe kur kauzat nuk mungojnë

12:03 - 08.06.18 Pranvera Shehaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duhen mësuar politikanët (jo në profesion), të kuptojnë se Parlamenti është institucioni më i lartë i përfaqësimit të zërit qytetar, është tempull i konsolidimit të demokracisë si sistem ku liria dhe prosperiteti i individit i tejkalon interesat e delegatëve. Duhen mësuar se parlamenti nuk është rrjet social, ku paaftësia si politikan kamuflohet nga pëlqimet virtuale e ku mbrojtja e interesit qytetar mbetet vetëm një publikim më shumë me qëllim promovimin në politikë. Duhen mësuar se bllokimi i seancave ndërkohë që legjislativi duhej t’i nënshtrohej rishikimit të reformave dhe ndryshimeve ekonomike, sociale e politike, është shenjë inferioriteti politik dhe mungesë eksperience.




Duhen mësuar se ka një formë më të suksesshme të bojkotit parlamentar. Jashtë godinës. Aty ku për të disajtën herë, forma e vërtetë e protestës ka dështuar. Duhen mësuar se varfëria, skamja, papunësia, defiçitet në sistemin, fiskal, monetar, gjyqësor, arsimor e shëndetsor nuk janë në videot në kohë reale të të apasionuarve pas rrjeteve sociale. Duhen mësuar se fshatari dhe qytetari, që për fat të keq e hoqi shpresën edhe nga protesta pa kauza, ka votuar për të të deleguar në parlament e jo online, andaj profesionalizmin e munguar bëjnë mirë ta kërkojnë aty. Kasta që teorikisht duhej të ngrinte në nivel shoqëror nevojat e shqiptarëve kundrejt një qeverie jashtë kontrollit, duhet mësuar se aktualisht, sfidat dhe qëllimet ndërkombëtare të Shqipërisë e tejkalojnë garën për pushtetin e radhës e ky vend pas pesë dekadash izolim, prapambetje, arratisje dhe internime, e më pas përpëlitje, humbje dhe fitime, rrënime dhe ringritje, korrupsion dhe pasurim ekstrem i trafikantëve e shfrytëzuesve, ka nevojë më së shumti për integrim dhe të nesërme.

Buckminster Fuller, shpikës dhe arkitekt amerikan i shekullit të kaluar thotë: “ Nuk mund t’i ndryshosh gjërat duke luftuar realitetin. Për të ndryshuar diçka, krijo një model të ri që e bën modelin ekzistent të vjetërsuar e të pavlerë.” Këtu fillon dhe mbaron diskutimi pse protestat e lëna përgjysmë, dhe bllokimi i seancave parlamentare janë simbol i praktikave të konsumuara të cilat kanë vetëm një funksion: zhurmë boshe që nuk sjell asnjë zgjidhje, fasadë opozitare që përpiqet të justifikojë ekzistencën dhe praninë e anëtarëve të saj në parlament, dërgim i mesazheve të destabilitetit politik përtej kufijve. Ka disa arsye bazë pse protestat opozitare, prej zgjedhjeve të 2017- ës kanë pasur një produktivitet thuajse të zeruar.

Pikë së pari, të mbrosh me forcë një kauzë duhet ta besosh atë. Mbi çështjen e vëllait të ministrit kemi qëndrime kontradiktore brenda kampit opozitar (duke theksuar këtu diferencën mes së djathtës e të djathtëve dhe kësaj opozite të re nën siglën e demokratëve). Protesta e 26 majit u ngrit mbi këtë kauzë, përpos numrit të papërfillshëm të pjesëmarrësve, u vetëkundërshtua nga zëra brenda opozitës pak ditë më pas. Dhe arsyeja dihet. Sepse emri që pritet të zëvendësojë ministrin e brendshëm aktual është akoma më pak i preferuar nga opozita. Dhe pasoja cila është? Kundërshtojmë veten dhe kauzën e protestës, por vazhdojmë praktikën e bllokimit të seancave parlamentare që sjell asgjë më shumë se pak zhurmë për të enjten, por realisht s’do të ketë asnjë pasojë konkrete.

Arsyeja e dytë është se aktualisht partia demokratike, që prej zgjedhjeve të fundit, ka brenda saj deputetë dhe anëtarë që realisht e zgjodhën si parti për t’u katapultuar në politikë, pasi sistemi elektoral me listë të mbyllur bën që qytetari të votojë partinë, pa e ditur dhe pa e njohur profilin e kandidatit që do ta përfaqësojë. Këta eksponentë ndikojnë në mungesën e unifikimit të opozitës sepse tentojnë të krijojnë një marrëdhënie të afërt dhe personale me elektoratin, kërkojnë të njihen në funksion të ambicies së mëtejshme për karrierë politike. Pra, atë që duhej të kishin bërë para anëtarësimit në parti, e bëjnë tani duke përdorur vetë siglën e partisë e duke e reklamuar veten si model ndryshe. Kjo dëmton opozitën dhe deformon unitetin e saj pasi pikë së pari, anëtarët nuk ndajnë të njëjtat interesa.

Arsyeja e tretë e kësaj krize të pashembullt opozitare, i referohet mungesës së organizimit për të protestuar realisht për ato kauza që prekin drejtpërdrejt dhe çdo ditë shoqërinë shqiptare. Një popull, sado i nëpërkëmbur të jetë nga kasta politike, di mirë ta ndajë protestën për motive politike nga protesta konkrete për motive sociale dhe ekonomike, prej të cilave varet e tashmja dhe e ardhmja e qytetarëve të këtij vendi. Kujtoj se si protesta e qytetarëve të Kukësit, e ngritur mbi një kauzë të vërtetë dha rezultat, ndoshta me pasoja antiligjore për disa pjesëmarrës, por gjithsesi ishte më e suksesshme sesa tubimet e organizuara të politikanëve aktualë. Nëse nuk je i vërtetë në kauzën që mbron, dështimi është rezultat me probabilitet absolut. Fjalimi i kryetarit vërtetoi se dëshironte t’i dërgonte një mesazh Perëndimit, për të vënë alarmin e destabilitetit politik, duke harruar se ata pak që po e dëgjonin kishin ardhur me një tjetër kauzë, çështjen e vëllait të ministrit të brendshëm. Pra, atë që duhet të ishte një protestë për mbrojtjen e qytetarit shqiptar ndaj një sistemi të kapur nga krimi dhe trafiku, e la të interpretohej si një mjet i përdorur sërish për të bërë pak zhurmë e për të thënë se opozita vazhdon punën dhe detyrën.

Arsyeja e katërt buron nga një përfundim, që për fat të mirë, e vlerësoj si pozitiv për të ardhmen e këtij vendi. Tejlodhja, mosbesimi në kastën politike dhe qindra problemet që politika nuk arriti dot kurrë t’i prekë në shkallë shoqërore dhe individuale, bëjnë që shqiptarët, të majtë e të djathtë, të kuptojnë se një lojë e pistë politike kërkon të flijojë atë për të cilën shqiptarët kanë ëndërruar fort, integrimin evropian. Flijimi kërkohet në funksion të egos së marrjes së meritave, në funksion të frikës se ndoshta hapja e negociatave konfirmon fituesit e zgjedhjeve të ardhshme.

Të kesh një qeveri anti shqiptare është një sëmundje e pashërueshme politike, pasojat e së cilës zbresin nga institucionet më të larta, në nivele individuale, ku psikologjia e rrënimit të shtetit demoralizon çdo qytetar. Por, të mos kesh një alternativë të konsoliduar, të fortë dhe të besueshme kundrejt kësaj lloj qeverie, është humbje e shpresës se sëmundja e shtetit ka shërim. Është vështirë të besosh tek modelet e vjetra, por akoma më vështirë të besosh tek modelet e reja të ardhura në politikë me metoda të vjetra.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.