Kronikë

Burri vrau gruan në Durrës, flasin të afërmit: Vetëm ajo punonte

09:28 - 09.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Klodiana Haxhiaj – Krimi në familje trondit Durrësin. Një 42-vjeçar ka vrarë gruan e tij pas një sherri banal. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën Ana Shaholli ndodhi mbrëmë në lagjen nr.15 (zonën e ish-Kënetës) të këtij qyteti. Mësohet se 40-vjeçarja, nënë e 6 fëmijëve, dha shpirt në spitalin rajonal të Durrësit për shkak të goditjes që kishte marrë në kokë. Ndërkohë, ka përfunduar në pranga autori i dyshuar i krimit, Çlirim Shaholli. Ka qenë 42-vjeçari që ka dërguar bashkëshorten në spital. Pas sinjalizimit për vdekjen e shtetases në fjalë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që ka shokuar banorët e qytetit bregdetar. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, dyshohet që ngjarja ka ndodhur në sherr e sipër mes bashkëshortëve Shaholli. Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje, Çlirim Shaholli ka deklaruar se nuk donte të vriste gruan dhe nuk e beson se ajo ka vdekur. “Ajo që ndodhi është shumë e rëndë. Nuk dua ta besoj se ime shoqe nuk është më dhe se fëmijët e mi kanë mbetur pa nënë”, -ka thënë 42-vjeçari.




NGJARJA
Burime zyrtare nga policia e Durrësit bënë me dije se rreth orës 19:55 të së premtes, në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës ka shkuar e lënduar në kokë dhe ka ndërruar jetë shtetësia A. Sh. 40 vjeçe banuese në lagjen nr. 15. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor i dyshuar është bashkëshorti i saj, shtetasi Ç.Sh. 42 vjeç, i cili e ka goditur me mjete të forta. Shtetasi i mësipërm është shoqëruar në ambientet e policisë Durrës, i cili po pyetet mbi rrethanat e ngjarjes”,-thuhej në njoftimin paraprak të policisë. Por, pas autopsisë ka rezultuar se Ana Shaholli ka vdekur për shkak të një plage në kokë që mund të jetë shkaktuar si pasojë e rrëzimit në tokë. “Viktima është futur direkt në sallën e kirurgjisë. Pavarësisht ndihmës së dhënë, ajo nuk mundi të mbijetonte. Gruaja ka një goditje në kokë që nuk është shkaktuar me mjete prerëse, por mund të jetë shkaktuar si pasojë e rrëzimit në tokë”, pohuan për “GSH”, burime nga spitali i Durrësit. Ndërkohë, autori i dyshuar i krimit brenda familjes ka dhënë dëshminë e tij para bluve, duke sqaruar se gjatë sherrit ai e shtyu gruan dhe ajo u rrëzua me kokë në çimento.

DËSHMIA E BURRITTË VIKTIMËS
“Nuk doja ta vrisja gruan. Nuk e besoj se ajo ka vdekur. Është gjë shumë e rëndë për familjen tonë dhe për fëmijët tanë të mitur.
Ne u zumë. Ajo më shtyu dhe unë e shtyva. Nuk e mbaj mend mirë se si nisi sherri, por më duket se u grindëm për derën, jo hape ti jo hape ti, pasi ishte shumë vapë. Fëmijët nuk ishin në banesë, pasi po luanin jashtë. Mbaj mend se e shtyva dhe ajo ra me kokë në çimento. E mora në krahë dhe e çova në spital. Nuk dua ta besoj që fëmijët e mi kanë mbetur pa nënë. Ndodhi hataja”,-ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje, i arrestuari Çlirim Shaholli. Mësohet se familja Shaholli, me origjinë nga fshatrat e Korçës, por banues prej disa vitesh në Durrës jetonin në varfëri ekstreme.

FAMILJARËT
Të afërm të familjes Shaholli thanë se janë tmerruar nga vrasja e 40-vjeçares. Ata pohuan se familja prej 8 anëtarësh mbahej me rrogën e viktimës, e cila punonte në një lavanderi. Ndërsa, i shoqi ishte i papunë. “Ishim në punë kur e mësuam lajmin e kobshëm. U tmerruam se nuk e mendonim se Çlirimi do vriste Anën. Nuk kishim dijeni se ata kishin konflikte. Ai s’kishte asnjë motiv që t’i merrte jetën nënës së 6 fëmijëve të tij”,-u shpreh kushëriri dhe njëkohësisht fqinji i 42-vjeçarit vrasës, Syrja Hysenllari.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.