OPINION

Nga frenimi te zgjidhja e krizës

07:30 - 10.06.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para tre javësh, forcat e policisë belge në ndjekje të një furgoni me refugjatë shtinë dhe vranë Mawdën, 2 vjeçaren kurde irakiene. Kjo ngjarje shkaktoi një stuhi të vërtetë politike në Belgjikë, sepse është tejet e dhimbshme që një fëmijë që i ka shpëtuar luftës në Irak të vritet nga policia në një shtet europian si Belgjika.




Veç Mawdës fatkeqe, që azilkërkuesit «nuk duhen futur në një thes» si kriminelë, se ata vijnë për t’i mbijetuar urisë, skamjes, dhunës dhe persekutimit e tregoi dhe gjesti heroik i të riut malian 22 vjeçar Maoumato Gassama që më 26 maj shpëtoi një fëmijë 4 vjeç në një lagje të Parisit duke u kacavjerrë me guxim të paparë në katin e katërt. Ky veprim u përshëndet nga gjithë Franca; Presidenti Makron e priti, i dha shtetësinë franceze që maliani e kërkonte nga shtatori i kaluar dhe u punësua si zjarrfikës.

Në kontrast të plotë me këto dy raste, javët e fundit në Gjermani ka plasur skandali i azilit; zyra përkatëse BAMF në Bremen ka abuzuar me 3.000 dosje të azilkërkuesve, duke shkelur më të dyja këmbët ligjet dhe procedurat më elementare zyrtare. Për pasojë, gjatë dy viteve të fundit kanë përftuar leje qëndrimi dhe një numër jo i vogël të dyshuarish, si kriminelë, terroristë, islamikë dhe keqbërës të tjerë. E ndërsa në Berlin po luhet «pingpongu» institucional për hedhjen e fajit dhe përgjegjësisë, po shtohen me shpejtësi zërat politikë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë skandal; hije të shumta dyshimi për këtë skandal janë hedhur dhe mbi vetë Kancelaren Merkel.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit është rigjallërimi dhe përshkallëzimi i «Rruga e Ballkanit» për mijëra azilkërkues që tanimë ka prekur dhe vendin tonë duke ngritur një sërë shqetësimesh dhe pikëpyetjesh serioze. 

Si për ta vështirësuar më tej situatën në këtë rajon, falë dhe qëndrimeve anti-migracion, disa ditë më parë në Sloveni rierdhi në pushtet partia e djathtë nacionaliste e kryeministrit Jansa «shok armësh» me Orbanin.

Ndërsa zgjidhja e shumëkërkuar e kësaj krize duket vërtet luks pas krijimit të së parës qeveri populiste në një vend të madh anëtar dhe bashkëthemelues të BE-së si Italia; madje, qeveria e saj e re ka vënë në diskutim dhe vetë menaxhimin e kësaj krize sipas standardeve të njohura ndërkombëtare. Si hap i parë pritet të jetë dëbimi i gjysmë milionë azilkërkuesve, aksion ky gjithsesi «shumë më i lehtë për t’u thënë, se sa për t’u bërë»

Mjaftojnë këto raste për të treguar se sa të vështirë e patën misionin e tyre ministrat e Brendshëm dhe të Azilit të 28 vendeve të BE-së që në fillim të javës u mblodhën në Luksemburg; bëhet fjalë për përgatitjen e strategjisë së re të shumëpritur të azilit dhe migracionit që do të marrë vulën përfundimtare gjatë samitit të saj më 28 – 29 qershor.

Ky takim u zhvillua në kushtet kur në mungesë të alternativave bindëse për një zgjidhje tërësore qysh në burim të krizës së azilit janë përmendur dhe sugjeruar shembuj të ndryshëm e të diskutueshëm.

Kështu, modeli apo strategjia australiane «No way» synon minimizimin e skajshëm të pranimit të azilkërkuesve në atë vend, duke i paraseleksionuar ata në dy qendra të mbyllua pritjeje jashtë territorit australian.

Një ndër personalitetet më aktivë dhe që shkakton polemika në këtë drejtim, sekretari Federal belg i Shtetit për Azilin, Theo Francken ripërsëriti idenë e mëparshme se Belgjika do të studiojë mundësinë e zbatimit të këtij modeli. Pak a shumë të njëjtën gjë ka deklaruar së fundi edhe qeveria daneze për mbajtjen e azilkërkuesve diku në një vend tjetër që të jetë jo tërheqës për azilkërkuesit, përpara se të marrin vizën e hyrjes në Danimarkë.

Mirëpo, disa organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të azilkërkuesve në Belgjikë dhe gjetkë e kanë kundërshtuar këtë model.

Sipas tyre, ai bie në kundërshtim të plotë me Konventën e Gjenevës të vitit 1951 dhe Deklaratën e Nju Jorkut të 12 Shtator 2016. Kjo e fundit i detyron vendet anëtare të pranojnë pa diskriminim azilkërkuesit për shkaqe lufte, persekutimi, fatkeqësi natyrore, ndryshimeve klimatike dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtarisht të njohura të njeriut. Deklarata e Nju Jorkut kërkon dhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Problemi i parë me këtë model ka të bëjë me shpenzimet marramendëse për identifikimin, pranimin dhe integrimin e azilkërkuesve të ardhur në vende të ndryshme që fare mirë do të ishin përdorur për qëllime të tjera të dobishme. Kështu, Australia ka akorduar një buxhet prej 3 miliardë euro për pesë vjet, kurse Gjermania në katër vitet e ardhshme do të shpenzojë plot 80 miliard euro!

Shqetësimi tjetër është koncepti dhe praktika e pranimit selektiv të elitave ose «kremit» të azilantëve, siç e ve në dukje dhe instituti i mirënjohur australian «Lowy». Sipas «No way» në Australi pranohen vetëm emigrantë të bardhë, me nivel të lartë kualifikues dhe të rinj, por jo të tjerë.

E keqja më e madhe e këtij sistemi diskriminues është se largon trurin dhe elitën e vendeve të prapambetura që mbeten pa «motorin» e përparimit.

Ndërkohë, kriza dhe tema të tilla të nxehta nuk mund të trajtohen e ca më pak të zgjidhen me receta dhe formula sempliste; as me urdhra administrativë dhe me «një të rënë të shkopit»; ca më keq me dëbime masive, ndërtime kampesh dhe muresh duke i hedhur në det azilkërkuesit, por me strategji afat-gjata që fillojnë në vendet e origjinës.

Në këtë proces, krahas shtetit dhe qeverisë, përvoja tregon rëndësinë e madhe të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe nismat qytetare. Këtu shquhet Belgjika, ku gjatë dy viteve të fundit është krijuar «Platforma qytetare» me mbi 30.000 anëtarë. Krahas të tjerash, ajo siguron çdo darkë ushqim dhe fjetje për 400 azilkërkues pa dokumente. Për këtë ndihmesë të jashtëzakonshme, kjo nismë u nderua me çmimin «Bruksel 2017». Kurse në Holandë, është krijuar Partia «Denk», e cila përfaqëson dhe mbron interesat e refugjatëve dhe popullsisë me origjinë të huaj ndaj sulmeve që vijnë nga forcat e ekstremit të djathtë. Ajo ka fituar në shumë komuna në Amsterdam dhe shpreson të shtrihet dhe në vende të tjera dhe në zgjedhjet e Parlamentit Europian të vitit 2024.

Nisur nga sa sipër, parakushti kryesor për vënien në rrugën e zgjidhjes së kësaj krize është krijimi i një klime dhe mjedisi sa më miqësor ndaj azilantëve, me një vizion të ri dhe vullnetin e duhur politik, pa «sajesa dhe arnime ligjore» Dhe jo siç ndodh në disa botime antiimigracion, sidomos në best seller «Vetëvrasja e Europës» të oksfordianit 38 vjeçar Douglas Murray; kur ky i fundit shkon deri aty sa të pohojë se « për shkak të emigrantëve, europianët kanë humbur vendlindjen!»

Kritika të shumta ndaj metodave sempliste dhe populiste në këtë fushë, që synojnë kryesisht kontrollin, largimin dhe dëbimin me forcë të emigrantëve ka dhe në Gjermani. Kohët e fundit, Seehofer, ministri i Brendshëm Federal dhe lideri i CSU-së bavareze ka propozuar ngritjen e disa qendrave pritëse «Anker» ku brenda gjashtë muajve do t’u jepet përgjigja azilkërkuesve me dokumente, ndërsa ata që janë pa të tilla, do të presin deri në 18 muaj përpara vendimit përfundimtar.

Edhe ky propozim, ka hasur në shumë kritika dhe kundërshti, sepse nuk ndihmon zgjidhjen me rrënjë të problemit, pengon integrimin dhe nuk jep garanci për mosardhjen e refugjatëve të rinj. Veç shqetësimeve lidhur me azilkërkuesit e sëmurë, të moshuar, fëmijë, gra, etj.

Propozimi tjetër i kundërshtuar është ndërprerja e fondeve të bashkëpunimit për zhvillim për vendet që nuk pranojnë të marrin mbrapsht shtetasit e tyre. Mirëpo, sipas shumë ekspertëve dhe forcave politike, kjo nuk zgjidh gjë, madje e acaron më shumë këtë krizë. Sepse sot shtrohet çështja si të ndihmojmë dhe më shumë financiarisht vendet e origjinës, me qëllim që të përmirësohet niveli i jetesës dhe të shmanget fenomeni i azilit; por, shkurtimi i fondeve për zhvillim do të përkeqësojë më tej gjendjen në ato vende e për pasojë mund të priten valë të reja dhe më të mëdha emigrimi.

Në fakt, ky propozim është bërë dhe nga kryeministri hungarez Viktor Orban. Për këtë qëllim, ai ka propozuar përfshirjen e një klauzole dhe në Kushtetutë dhe i ka kërkuar BE-së që të mos akordojë asnjë cent për azilkërkuesit dhe politikat migratore. Në rast të kundërt, ai ka deklaruar se nuk do ta votojë buxhetin e saj të ri!

Ndaj, sot çështja themelore që pret përgjigje duke filluar nga Samiti i BE-së në fund të qershorit është se si mund të kontribuojnë shtetet, jo vetëm për kontrollin/menaxhimin e krizës, as për mbylljen e portave të brendshme dhe të jashtme të Europës apo duke e transferuar krizën jashtë saj; por për zgjidhjen e saj të qëndrueshme, me programe, strategji dhe veprime tërësore dhe afat-gjata. Vetëm kështu nuk do të ketë me riclikim të kësaj krize të pashembullt ose shfaqjen e saj në forma të tjera të rënda.

Për këtë, krahas ndihmës dhe bashkëpunimit me vendet e origjinës, suksesi kërkon forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh dhe sidomos në kuadrin e BE-së dhe organizmat përkatëse të OKB-së; sepse asnjë vend i vetëm nuk mund të zgjidhë këtë problem madhor. Mirëpo, tendencat negative të nënvleftësimit të multilaterizmit e për pasojë të këtyre grupimeve nga ana e forcave nacionaliste dhe mbylljen hermetike të Evropës, në vend të zgjidhjes në fjalë, mund ta kthejnë këtë synim në «wishful thinking» ose «dëshirë të mirë» dhe asgjë më tepër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.