OPINION

Ndryshime premtuese në Madrid

07:20 - 15.06.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në fillim të muajit qershor, për shkak të tam-tameve që shkaktoi krijimi i qeverisë së parë populiste në Romë, dukej se pakkush po shihte ndryshimin tjetër cilësor edhe në Madridin zyrtar. Më 2 qershor atje po krijohej qeveria e re e 46-vjeçarit madrilenas, Pedro Sançez, socialist karizmatik, ekonomist dhe komunikator i shkëlqyer edhe në anglisht/frëngjisht. Ngjitja e tij pas disa peripecish politike ishte vërtet spektakolare. Dy vjet më parë, pas dështimit për të drejtuar një koalicion të ri qeveritar dhe për t’i mundësuar sfidantit konservator Mariano Rajoy krijimin e shumicës, Partia Socialiste Puntore (PSP) e Sançez abstenoi në votimin parlamentar; pas kësaj, i ndodhur përballë trysnisë në rritje, ai dha dorëheqjen nga kreu i PSP-së dhe dorëzoi mandatin e deputetit. Mirëpo në zgjedhjet e reja në shtator 2017, Sançez mposhti dy kundërshtarët dhe u rizgjodh në krye të PSP-së.




Muajin e kaluar, pas skandalit të bujshëm të financimeve të paligjshme që përfshiu Partinë Popullore në pushtet, shfrytëzimit të dobësive dhe vështirësive të momentit te gjithë partitë e tjera  dhe me manovra të mençura taktike, Sançez krijoi me vizion dhe guxim të admirueshëm politik shumicën e nevojshme parlamentare, rrëzoi Rajoy-n e dhe u zgjodh kryeministri i shtatë pas rënies së diktaturës së Frankos.

Ky virtuozitet politik i Sançez në një peizazh tejet të ngarkuar politik, nacionalist, populist dhe separatist si në Spanjë, siç ka filluar të vlerësohet, meriton të theksohet sepse një qeveri të tillë pakice nuk mund ta krijonte dhe ta mbante në këmbë disa muaj më parë as emblematikja Merkel dhe sfidanti i saj, Martin Schulz në Gjermani.

PSP-ja e Sançez ka vetëm 84 nga 350 vende në Parlamentin spanjoll; për pasojë, ai ka shumë pak hapësirë veprimi politik. E megjithatë, ai po tregon se më shumë rëndësi kanë qëndrimet dhe idetë e reja; veçse kur ngjallin besim, frymëzim dhe optimizëm; tre elementë madhorë këta, që i kanë munguar jo vetëm Spanjës, por edhe social-demokracisë evropiane. Siç e kemi përmendur me hollësi në një shkrim të mëparshëm, katastrofat zgjedhore në Francë, Austri, Gjermani, Sloveni dhe tani së fundi në Itali e kanë futur social-demokracinë evropiane në një udhëkryq historik.

Pikërisht në një situatë të tillë, Sançez e ka nisur misionin e tij me guxim, entuziazëm, fleksibilitet por edhe me hapa/veprime konkrete reformatore; ndonëse as dy javë në pushtet, duket qartë se Sançez po ripërtërin shpresat politike për Spanjën, për social-demokracinë e saj dhe më gjerë. Natyrisht, këtë e bën dhe duke akomoduar pozicionet e palëve aleatëve, që të jetë sa më efektiv në pritje të zgjedhjeve të parakohshme që ende nuk i ka shpallur.

Më konkretisht, në Spanjë, por edhe në Evropë ka për herë të parë një ekip qeveritar me jo pak, por njëmbëdhjetë gra dhe gjashtë burra me personalitete dhe ekspertë kryesisht jopartiakë; vazhdimin e kursit pro-evropian Sançez e ka përforcuar duke caktuar Ministër të Jashtëm, Josep Borell, ish-President i Parlamentit Evropian më 2004-2007, ndërsa ministre të Ekonomisë, Nadia Calvino, deri tani drejtore e Përgjithshme e Buxhetit të BE-së; ministër të Shkencës, astronautin Pedro Duque, etj.

Sançez ka shpallur menjëherë reforma të mirëpritura në luftën kundër korrupsionit të zhvilluar shumë vitet e fundit; kjo ka nisur me vepra e jo me fjalë. Kështu, u mirëprit akti i tri ditëve më parë, kur Maxim Huerta, ministri i ri i Kulturës dhe Sporteve, shkrimtar dhe personalitet i mirënjohur i ekranit dha dorëheqjen pas njoftimeve mbi një gjobë të 10 vite më parë ndaj tij për shmangie të evazionit fiskal. Huerta deklaroi se e kishte shlyer me kohë detyrimin përkatës, që ishte gjithsesi një keqkuptim, por megjithatë po largohej që të mos linte as hijen më të vogël të dyshimit mbi integritetin e qeverisë Sançez; reforma të tjera pritet të fillojnë shumë shpejt në fushën e barazisë gjinore, punësimin dhe shtimin e përfitimeve ekonomike etj., duke thithur kësisoj pjesë të gjera të elektoratit spanjoll të zhgënjyer nga politika e tashme tradicionale.

Qeveria e re ka dhënë shenja dhe mesazhe konkrete edhe për trajtimin e drejtë dhe zgjidhjen e krizës me separatistët katalanas. Për këtë qëllim, Sançez ka premtuar fillimin e një reforme të thellë kushtetuese, për shtimin e ndjeshëm të kompetencave rajonale; sidomos me Katalonjën, “zemrën” ekonomike, kulturore dhe turistike të Spanjës.

Ndërsa në arenën ndërkombëtare, politika spanjolle u vlerësua këto ditë kur pranoi të ankorohet në Spanjë anija me 629 emigrantë në anijen “Aquarius” që endej në det, pas refuzimit nga Malta dhe qeveria e re populiste italiane.

Falë këtyre dhe masave e reformave të tjera në proces, qeveria e re spanjolle premton të shtrijë ndjeshëm rrezen e veprimit, aleatët dhe partnerët, falë dhe lidershipit bindës; ajo po ngjall entuziazëm dhe optimizëm përballë forcave populiste të pranishme edhe në Spanjë. Megjithatë, problemet dhe sfidat janë serioze e të shumta dhe ky është vetëm fillimi; por siç thuhet rëndom, “fillimi i mbarë është gjysma e punës”.

Si një ndër vendet më të mëdha të BE-së, performanca pozitive e qeverisë “Sançez” është me shumë rëndësi jo vetëm për Spanjën si vend aleat, partner dhe me shumë kontribute për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe të gjithë Evropën dhe të ardhmen e saj. Veç kësaj, PSP-ja spanjolle është ndër partitë social-demokrate, që sot për sot “numërohen me gisht” në pushtet, kësisoj fitorja e saj në zgjedhjet e ardhshme evropiane do të ishte ngjarje me rezonancë të theksuar politike ndërkombëtare.

Arsyet për këtë besim janë të shumta jo vetëm nga sa u tha më lart, por edhe vetë tradita e shquar PSP-së 140-vjeçare, ndër më të mëdhatë e kontinentit. Ajo ka qenë mëse njëherë në krye të situatave në momente të zymta dhe vendimtare. Kështu, në vitin 1982, kur e djathta dominonte pothuajse në të gjithë Evropën, ishte social-demokrati i shquar spanjoll, Felipe  Gonzales, që me fitoret e tij plebishitare qeverisi deri në vitin 1996, duke çelur epokën e re social- demokrate në Spanjë dhe në Evropë. Po ashtu, në vitin 2004 ishte socialisti tjetër i mirënjohur, Zapateros që vazhdoi për shtatë vjet historinë e suksesit dhe tani Sançez i ka gjasat që të jetë “i treti, i vërteti”.

Mësimi i madh që del nga ky model dhe lider i ri politik në moshë, por sidomos në mentalitet dhe stil lidershipi edhe për forcat tona politike të çdo krahu është se suksesi realizohet edhe në rrethanat më të vështira, kur gjithçka fillon nga krijimi i frymës, entuziazmit dhe optimizmit të duhur, që të tërhiqen në masë të gjitha shtresat, kategoritë dhe moshat e popullsisë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.