Kronikë

Vrasja makabre e Anxhela Meçanit, ndalohet e më pas lirohet i dyshuari

12:05 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

ITALI – Një javë pas vrasjes makabre të 20-vjeçares Anxhela Meçani, e cila dyshohet të ishte punonjëse seksi, policia italiane ka ndaluar tri ditë më parë një person. Bëhet fjalë për një 63-vjeçar italian, i dyshuar si klienti i fundit i të resë shqiptare që u hodh nga një makinë në lëvizje mbrëmjen e së dielës së kaluar në Torino. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se është sekuestruar edhe makina e italianit me banim në një provincë të Cuneos. Dyshohet se klienti e ka vrarë Anxhelën, pasi nuk donte të paguante paratë pas shërbimit. Pasi Anxhela i kërkonte me ngulm paratë, ai e ka shtyrë atë jashtë. Gjithçka është zbuluar nga kamerat e sigurisë. Ndërkaq, ndalimi dhe marrja në pyetje për disa orë i 63-vjeçarit italian nuk ka dhënë rezultatet e shpresuara nga hetuesit e çështjes. Pas një nate të tërë të kaluar në polici, 63-vjeçari është lënë i lirë, pasi për momentin autoritetet italiane nuk kanë mundur të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për arrestimin e tij.




Pavarësisht lirimit të të dyshuarit, policia e vendit fqinj vijon hetimet për të kuptuar rolin që ka pasur 63-vjeçari në këtë krim, për të kuptuar mbi të gjitha si vdiq Anxhela, nga kush u përplas dhe përse. Ndryshe nga sa u dyshua dhe raportua në fillim se 20-vjeçarja shqiptare u dhunua barbarisht dhe më pas u hodh në rrugë nga një makinë në ecje, rezultatet e autopsisë i kanë hedhur poshtë të dyja këto versione. Sipas autopsisë së kryer nga mjeku italian Roberto Testi, caktuar nga prokurorët publikë Anna Maria Loreto dhe Livia Loçi, të cilët po hetojnë lidhur me rastin e shqiptares, ka rezultuar se ajo nuk është dhunuar para se të hidhej nga makina, shkruan “Torinotoday”. Sipas mjekut ligjor, e reja është përplasur nga një automjet, që më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kjo shpjegon edhe frakturat e shumta të gjetura në trupin e së resë, që duket se janë bërë nga impakti i përplasjes e jo nga dhuna dhe hedhja në rrugë. Kur u transportua për në spital, Anxhela mësohet se u foli mjekëve për një klient, që ndoshta nuk e kishte paguar dhe i tha se kishte rënë nga një automjet. “Ai burri nuk më pagoi, pastaj rashë”, mësohet të ketë artikuluar e reja. Kjo dhe rezultatet e autopsisë ngrenë hipotezën se klienti i së resë nuk ka pranuar ta paguajë dhe e ka zbritur atë nga makina. Më pas është nisur me shpejtësi duke e marrë përpara e duke e lënë për të vdekur në rrugë. Ishte një udhëtar i rastit që e gjeti të renë, por Anxhela vdiq më pas në spital. Falë tabulateve telefonike dhe pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë në rrugë, hetuesit mbërritën tek 63-vjeçari.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.