Rusi 2018

“CR7”: Duam vendin e parë në grupin tonë

14:04 - 21.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kristiano Ronaldo është një “përbindësh”, sepse për të dytën ndeshje radhazi në këtë Kupë Bote merr për dore skuadrën e tij. Shënon, nervozohet dhe në fund të sfidës jo vetëm i dhuron Portugalisë 3 pikë, por në të njëjtën kohë shkruan emrin e tij me germa të arta në historinë e futbollit. Më saktë, nga pasditja e djeshme është ai “mbreti” i golave në Europë, për sa u përket atyre të shënuar me bluzën e përfaqësueses. “CR7”, me goditjen e radhës së bërë dje, u ngjit në kuotën e 85 golave, duke kaluar kështu Ferenc Pushkashin, që kryesonte me 84. Në këtë mënyrë, 33-vjeçari luzitan merr fronin e goleadorëve të kontinentit të vjetër dhe për t’u ulur edhe në atë Botëror tashmë i duhet të kapë vetëm iranianin, Ali Daei, me 109 realizime. Sigurisht që ky rekord personal e gëzon shumë Kristiano Ronaldon, por ai është i përqendruar mbi të gjitha te ky udhëtim në Rusi, nga i cili vendos edhe objektivin. “Kalova Pushkashin? Është bukur kur shënon, por akoma më shumë kur vendos edhe një rekord të tillë, sepse po flasim për një legjendë. Personalisht jam shumë i lumtur për këtë arritje personale, por mbi të gjitha jam i lumtur për tri pikët. Ishte shumë e vështirë kundër Marokut, por ndryshe nga e kaluara, Portugalia tashmë di të mbrojë mjaft mirë.




Është e vërtetë që nuk ishim perfekt, madje na mungojnë ende mjaft gjëra për të korrigjuar, por e rëndësishme është që me këto tri pikë do e presim më të qetë sfidën e fundit në grup dhe duam që ta mbyllim në vendin e parë. Lënia e mjekrës? Lindi nga një shaka me Kuarezmën. Përpara ndeshjes me Spanjën, ishim të dy në sauna dhe ndërsa po eksperimentoja me mjekrën u ktheva nga ai dhe i thashë: ‘Nëse shënoj kundër Spanjës, do ta mbaj deri në fund të turneut’. Dhe me sa duket më solli fat, ndaj do ta mbaj deri në fund të Botërorit”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.