Rusi 2018

Spanja në krye, i merr komandën Portugalisë prej…kartonëve

10:37 - 21.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dhe ta mendosh që Diego Kosta ishte ai sulmuesi që stononte dhe nuk kishte asnjë lidhje me lojën e Spanjës së “magjistarëve”. Më mirë kështu, një sulmues i “vjetër” që shënon gola edhe me shumë fat. Kundër Iranit erdhi goli i tretë në këtë Botëror, i cili firmosi rezultatin dhe ndeshjen në 1-0 për Spanjën. Fitore që e barazon ekipin e Hierros me Portugalinë, por edhe për ta “parakaluar”… Pa Diego Kostën do të flisnim ndryshe.




MUR– Shumë e vështirë kjo nisje e Botërorit për Spanjën. Në fillim largimi i trajnerit, pastaj “uragani” Ronaldo në debutim dhe dje barrikada iraniane. Shumë e vështirë për ta analizuar taktikisht një ndeshje të tillë, sepse mbrojtja iraniane ishte e vendosur e gjitha përpara portierit dhe bëhet një kasafortë për të marrë të paktën një pikë. Dhe “çelësin” për ta hapur kërkuan ta gjenin vetëm Isko dhe David Silva. Por muri reziston deri në fundin e pjesës së parë, pa pasur shumë probleme dhe tronditje, raporton PanoramaSport.

FAT– Për fatin e spanjollëve dhe spektatorëve neutralë, në fillimin e pjesës së dytë erdhi episodi që ndryshoi ndeshjen. Rezaeian kërkon të mbyllë Diego Kostën, por largimi i tij gjen gjurin e bomberit spanjoll dhe përfundon në rrjetë. Iranianët hidhërohen sepse më parë kishin humbur një rast të artë me Ansarifard, i cili preku rrjetën e jashtme. Dhe zhgënjimi vazhdon akoma më shumë sepse u anulua dhe një tjetër gol i Taremit për pozicion jashtë loje te Ezatolahit. Por Taremi është një makth për De Gean deri në fund, i cili ishte i tronditur pas gafës që bëri me Portugalinë. Dhjetë minuta nga fundi, porta e tij u kërcënua sërish, por topi përfundoi sipër traversës. Hierro merr frymë thellë dhe Spanja fiton këtë ndeshje duke hedhur një hap të sigurt drejt fazës së 1/8-ave. Por me më shumë dyshime sesa siguri…

TË PARËT- Dhe në një grup ku gjithçka është e barabartë në mënyrë të frikshme, diferencën e bën vetëm një karton i verdhë. Pikërisht kështu. Spanja për momentin është në vendin e parë të Grupit B me pikë të barabarta me Portugalinë. Ato kanë të dyja nga 4 pikë, diferenca e golave është e njëjtë (+1) dhe golat e shënuar për momentin janë 4 për të dyja skuadrat. Gazeta “Marca” shkruan: Jemi të parët, për një karton më pak. Dhe është e vërtetë. Sepse në rast kur gjithçka është e barabartë, atëherë do të vendosin kartonët e verdhë. Spanja ka vetëm 1 karton të verdhë (Buskets kundër Portugalisë), ndërsa Portugalia ka dy kartonë të verdhë në total (Adrien Silva dhe Bruno Fernandesh). Një aspekt që do të jetë shumë i rëndësishëm edhe në ndeshjen e fundit, por Spanja tani do të kërkojë të fitojë me goleadë kundër Marokut, edhe pse forma e treguar nuk është e mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.