MILOSAO

Lidhja e Prizrenit kujtohet në Kostancë të Rumanisë

16:20 - 01.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Arkeologjisë së Konstancës, në Rumani, së bashku me Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), zhvilluan konferencën shkencore me rastin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me pjesëmarrjen e universitarëve dhe historianëve rumunë.
Konferenca u përshëndet nga deputeti i Parlamentit të Rumanisë, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Rumani, Bogdan Alin Stoika. Deputeti Stoika foli për numrin e madh të aktiviteteve që ka ndërmarrë ALAR për promovimin e historisë, kulturës dhe artit shqiptar, sidomos gjatë këtij viti. Gjithashtu ai në fjalën e tij theksoi se “Rumania luajti një rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, vendi ku është zhvilluar aktiviteti politik i shoqërive patriotike shqiptare, ku janë botuar veprat e shkrimtarëve më të rëndësishme të Rilindjes, librave dhe gazeta të ndryshme, duke filluar me abetaren e Naum Veqilarxhit, librat e Naim Frashërit, Lasgush Poradecit etj”.




Më pas e mori fjalën historiani dhe shkrimtari Dr. Liviu Lungu, me origjinë shqiptare nga nëna, dhe me katër romane të botuara në gjuhën shqipe. Historiani i mirënjohur Liviu Lungu theksoi përpos të tjerash se: “Lëvizja kulturore e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si vetëdije kulturore, si dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si vetëdije politike, janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, të cilat përgatitën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.” Dr. Liviu Lungu theksoi se ishte zgjedhur pikërisht Konstanca për këtë veprimtari të rëndësishme, për shkak të kontributit të vyer të komunitetit shqiptar të Konstancës gjatë Rilindjes Kombëtare, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë. Në qytetin e Konstancës u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe, ku Asdreni ishte mësues i saj. Këtu u ngrit “Tipografia Albania”, në të cilën u botuan libra të rëndësishëm të kulturës shqiptare, periodikë në shqip dhe tekste shkollore për nevojat e shkollave shqiptare.

Prof. Dr. Daniela Busa, e njohur si specialiste e historisë moderne të vendeve të Evropës Juglindore, punonjëse shkencore pranë Institutit të Historisë “Nicolae Iorga”, mbajti kumtesën: “Shqipëria në një kontekst zonal dhe europian”. Studiuesja e mirënjohur iu referua kontekstit historik europian, në të cilin u themelua Lidhja e Prizrenit, duke e ndalur në vendimet e marra, në luftën për mbrojtjen e territoreve shqiptare, deri tek shtypja e saj nga forcat otomane. Prof. Dr. Buse theksoi rëndësinë historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila shënoi fazën pararendëse të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912.
Marius Dobrescu, përkthyes i veprës së Kadaresë në rumanisht, shkrimtar dhe gazetar, bëri një paraqitje të historiografisë shqiptare mbi këtë eveniment, duke u ndalur veçanërisht në kronologjinë e dhe rrethanat historike të Lidhjes së Prizrenit.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë universitarë, studiues të historisë, anëtarë të komuniteti historik të shqiptarëve të Konstancës, por dhe studentë shqiptarë që ndodhen me studime në Universitetin “Ovidius” të Konstancës.
Kujtojmë se Muzeu i Historisë dhe Arkeologjisë së Konstancës ka qenë vendi ku janë zhvilluar një sërë aktivitetesh me personalitete të letërsisë së sotme shqipe, si Visar Zhiti, Rita Petro etj, organizuar nga Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë.
Përgatiti M. Skënderi
Bukuresht


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.