MILOSAO

Një festival për Ballkanin, kulinarinë dhe të rinjtë

12:35 - 01.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni –P ara 8 vjetësh, një grup i pasionuar artistësh, gazetarësh dhe njerëz të fushave të ndryshme por me interesa kulturore të mëdha, inincuan një festival ndërkombëtar në qytetin e Pogradecit. Pa shumë bujë por me një interes mirëfilli për të shtuar jetën kulturore të Shqipërisë, ata me kohë i shtuan dhe atribute të tjera krijesës së tyre, në përshtatje me kohën dhe realitetet. Merita e tyre ishte se fokusin e drejtuan drejt Ballkanit dhe sidomos brezit të ri.
Në veprimtarinë e tyre ata kanë përfshirë shumë elementë, që fillojnë nga workshop-et me personalitete, përcjelljen e traditave dhe shfaqjen e filmave në kategori të ndryshme. Falë të gjithë këtyre elementeve, Shoqata Art-Im-Pulse, e cila e menaxhon këtë aktivitet, e ka kthyer qytetin juglindor në një qendër kulturore në muajt e verës dhe më shumë se kaq në një pikë tërheqje turistike-kulturore.
Një nga gjetjet më interesante të aktivitetit është që kultura e këtij festivali ka gjetur pika përkimi me kulinarinë dhe kjo e fundit është shtylla e dytë e identitetit të këtij festivali dhe ndoshta ajo që i jep një përcjellje shumë interesante por edhe tërheqje.




Në vitet e ekzistencës së tij dhe në përpjekjen e madhe për të krijuar traditën, ajo është përballur jo thjesht me vështirësitë e zakonshme financiare të realizimit, por edhe shpesh me përpjekjet e organizatorëve të saj për të qëmtuar përmbajtje sa më bashkëkohore për aktivitetin e vet.
Të rinjtë është një nga elementët shtesë dhe tepër identitar të aktivitetit, që edhe në këtë edicion kanë jo thjesht pjesëmarrje, por edhe përfshirje të plotë. Tek e fundit, një nga qëllimet e organizatorëve është jo thjesht zbutja e barrierave të vendeve të Ballkanit, përmes projektimit të filmave, por përfshirja e tyre. Dhe, realisht duhet vlerësuar ideja që pothuaj çereku i prodhimeve janë produkte të të rinjve nga shkollat e filmit në Shqipëri, Rumani, Serbi, Maqedoni etj.

Po ashtu, në një formë organizimi modern, është gjetur ideja e inkurajimit përmes projekteve të prezantuara. Kështu, p.sh. “Balkan Story”, formati i ri, do ketë konkurrimin e tetë projekteve, që do të prezantohen nga vetë autorët dhe Juria e festivalit do të përzgjedhë fituesin, i cili me skenarin e tij fitues do ketë mundësi të zhvillojë projektin.
Nga ana tjetër duhet të theksohet se kohë-organizimi i këtij aktiviteti përkon me kohën kur qyteti i Pogradecit kthehet në një pikë shumë atraktive turistike, ku duhet llogaritur se atributet kulturore-kulinare të tij i japin një rëndësi të veçantë. Dhe, e fundit, organizatorët kanë menduar si për çdo vit që të ftojnë një grup artistësh të njohur të vendit, që janë figura ikonike të kulturës dhe me anë të të cilëve shpaloset dhe kujtesa e gjallë e kulturës së vendit.
Grupi i ngushtë i organizimit, i përbërë nga Gerta Qurku, një organizatore e mrekullueshme e infrastrukturës së këtij festivali; Eno Milkanit, që bën punën përzgjedhëse dhe të mundimshme artistike; bashkë me kontributin e madh të gazetarit, skenaristit dhe publicistit Fatos Baxhaku premtojnë për një aktivitet interesant dhe me shumë pretendime.

Festivali Ballkanik i filmit dhe kulinarisë i afrohet dekadës

Nga data 2 korrik deri më 7 korrik 2018, shoqata Art-Im-Pulse organizon në kinemanë e Pogradecit edicionin e VIII të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (B3F), i vetmi aktivitet kulturor ndërballkanik në Shqipëri. Marrin pjesë me krijimit e tyre qindra artistë nga të gjitha vendet e Ballkanit. Gjatë këtij edicioni do të projektohen 75 filma të gjinive: metrazh i gjatë, i shkurtër, filma eksperimentalë, filma të animuar. Gati një e katërta e filmave janë krijime të rinjsh nga shkollat e filmit në Rumani, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, etj.
Filmat e gjatë në konkurrim janë “Dita zë fill”, Genti Koçi, Shqipëri; “Martesa”, Blerta Zeqiri, Kosovë, “Sekrete nga e kaluara”, Rasit Gorgulu, Turqi; “Omnipresent” Ilian Djevelekov, Bullgari.
Në kuadrin e vitit jubilar në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut do të projektohen filmi “Skënderbeu”, versioni i restauruar, dhe “Një kafe me Skënderbeun” nga Piro dhe Eno Milkani.

Për herë të parë këtë vit do të organizohet dhe “Balkan Story”. Tetë projekteve do të prezantohen nga vetë autorët dhe Juria e festivalit do të përzgjedhë një fitues I cili do të fitojë 500 euro për zhvillim të mëtejshëm të skenarit. Këto para autori mund ti përdorë për përkthim të skenarit apo fazë përgatitore të filmit.
Në bashkëpunim me World Vision, programi “Reporter”, në kuadër të festivalit do të organizohet një shkollë verore filmi me pjesëmarrjen të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova. Ekspertë me përvojë do të trainojnë të rinjtë në lidhje me pasqyrimin e tematikave të mprehta sociale. Një çmim special është parashikuar për punën më të mirë të të rinjve.
Çmimet e festivalit do të caktohen nga një juri ndërkombëtare, joballkanike, me pjesëmarrës të figurave të njohura të ekranit nga SHBA, Franca, Anglia, Italia, Austria, Spanja.
Të ftuar nderi të festivalit janë figura të njohura të kinemasë shqiptare: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Ema Andrea, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj etj.
President nderi i festivalit është i mirënjohuri Viktor Zhusti.

Për “Art-Im-Pulse”, festivalin e bukur të Pogradecit

Përmbledhje

Ky festival filloi në vitin 2011 me idenë për të mbledhur krijuesit e filmave dhe artistët nga vendet e Ballkanit për të ndarë dhe shkëmbyer përvojat e tyre. Aktiviteti pati mbështetjen e madhe të Bashkisë së Pogradecit dhe kështu filloi Festivali i Filmit dhe Kulinarisë në Ballkan. Të ftuarit e parë theksuan vendndodhjen e mrekullueshme të qytetit për të mbajtur një festival të tillë. Natyra, Liqeni i Ohrit, qyteti i Pogradecit dhe ai i Ohrit janë një kombinim i mrekullueshëm për një ngjarje të tillë. Çdo gjë ndodhet në qendër, kinema, restorante, hotele dhe objekte të tjera janë në një distancë në këmbë, kështu që është e pamundur të humbasësh askënd apo ngjarje. Të gjitha ngjarjet u nënshtrohen syve kurioz të njerëzve lokalë që janë gjithashtu pjesë e shfaqjeve dhe ngjarjeve të tjera, që zhvillohen në qytetin e tyre. Filmat, muzika, artizanët vendas, kuzhinat etj, përhapen në të gjitha mjediset e qytetit. Ballkani është krejtësisht prezent në atë që zhvillohet në qytetin e Pogradecit gjatë një jave. Nën këtë atmosferë të këndshme, artistë të ndryshëm nga vende të ndryshme të Ballkanit mblidhen së bashku si një shenjë e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore dhe ky është qëllimi më i madh i organizatorëve.

Kushtet e pjesëmarrjes
Çdo artist nga Ballkani ka të drejtë të marrë pjesë në festival. Filmat cilësorë, filmat dokumentarë, të shkurtër dhe ato të studentëve janë materiali kryesor i festivalit. Në mëngjes në kinema kryesisht paraqesin filma të shkurtër dhe shfaqjet pasdite i dedikohen dokumentarëve. Shfaqjet e mbrëmjes i dedikohen filmave të metrazhit të gjatë ku ka përfaqësime dinjitoze, sipas organizatorëve. Artistët inkurajohen të marrin pjesë edhe nga faqja e internetit (www.balkan3f.com) që i grish të marrin pjesë ose të plotësojnë aplikacionin për të sjellë, natyrën shumë ballkanike, gjuhën, filozofinë, fytyrat dhe zakonet, sepse ky është qëllimi i festivalit. Shkëmbimi i kulturës dhe disponimit tonë është mënyra e vetme e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Qëllimet e festivalit
Përveç shfaqjeve publike ngjarja synon gjithashtu:
shkëmbimin e kulturave ballkanike që pasurojnë jetën kulturore në qytetin e Pogradecit.
Krijimin e një mënyre të besueshme dhe zyrtare të bashkëpunimit eventual në fushën e bashkëprodhimit të filmit.
Diskutimin e skenareve të papërfunduara për zhvillim të mëtejshëm, ose për gjetjen e mënyrave të mbështetjes financiare përmes qendrave kinematografike kombëtare të Ballkanit.
Prodhimin e shkollave të filmit.
Çdo ide tjetër që do të dalë gjatë ditëve të festivalit.
Trajnimi i të rinjve, nën mbikëqyrjen e filmave profesionistë.

Pse në Pogradec?
Historikisht, kjo zonë, është e njohur për rrugët e saj tregëtare midis vendeve të Ballkanit në shekuj si Rumania, Bullgaria, Greqia, Maqedonia dhe Shqipëria që nga koha e ekzistencës së Perandorisë Osmane. Kufijtë e ujit, të cilat në një farë mënyre janë të pakuptimta midis Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë janë çelësi për të organizuar një festival të tillë në Pogradec, kjo si shenjë e respektit dhe mirëkuptimit të bashkëjetesës midis vendeve të Ballkanit. Gjithashtu qyteti i Pogradecit mbart një numër të mirë të karakteristikave shqiptare. Është gjithashtu një qytet me tradita të pasura të kulturës dhe artit dhe përmbush kërkesat dhe infrastrukturën për një festival të tillë.
Periudha e hershme e verës përkon me fillimin e sezonit turistik, kështu që prania e turistëve do të rrisë vëmendjen e publikut. Kjo është një kohë e përshtatshme për shfaqje në mbrëmje në natyrë si një pjesë magjike e jetës së filmit. Së fundi, ajo shton edhe një tërheqje tjetër në jetën kulturore dhe artistike në qytet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.