Kryesore

Përballë shiut dhe zjarrit. Ndaj Piramida duhet të jetë Bibliotekë Kombëtare

14:55 - 01.07.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Do duhej shiu i rrëmbyer në Tiranë, kushtet e vështira ku ruhen librat dhe ngushtësia e mjediseve të Bibliotekës Kombëtare, që njerëzit të kuptonin dhe njëherë emergjencën e saj. Këtë herë, drejtoresha e institucionit, ka qenë disi pa doreza. Nuk kemi ambiente, kushtet janë të vështira, ishte me pak fjalë ajo që parashtroi në këto orë të vështira. Ndërkaq, nuk ka mundur t’i shpëtojë politikës dhe akuzave ndaj saj gjendja aktuale e Bibliotekës Kombëtare. Siç mund të merret me mënd i akuzuari kryesor ishte kryeministri i vendit dhe jo pa faj dhe instancat e tjera, duke mos lënë pa përgjegjësi dhe drejtoreshën aktuale, që në fakt ka kohë që apelon, por asnjëherë si ditët e fundit. Asgjë nuk i shfajëson njerëzit e piramidës socialiste, por edhe paraardhësit e tyre demokratë për të gjithë atë që po ndodh me këtë institucion, mbi të gjitha indiferencën për të dhe larjen e duarve për fatin e saj.




Për ironi të fatit, mbase njerëzit e Ministrisë së Kulturës nuk janë fajtorët kryesorë të kësaj gjendje aktuale, porse neglizhenca e tyre skajore dhe mbi të gjitha mos ngritja e zërit në kohën e duhur, që do të thotë marrja e masave, i bën po kaq fajtor.
I habitshëm ka qenë zëri i Presidentit Meta që u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente në mënyrë që të parandalojnë përsëritjen e një situate të ngjashme në të ardhmen. Sikur të jetë një burokrat i ndonjë shteti, që s’ka lidhje me Shqipërinë, ashtu ka folur edhe njeriu që ka qenë në kupolën shqiptare të politikës në të gjithë dekadën e fundit.


Pak ditë më parë, reshjet e dendura në kryeqytet, shkaktuan përmbytjen e katit të parë të Bibliotekës Kombëtare. Prania e ujit, për të cilën ka ende mëdyshje për shkaqet, në një nga sallat e institucionit në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), ka shkaktuar lagjen dhe dëmtimin e materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet më të ulëta të sallës.
Në këtë rast, Biblioteka Kombëtare, duke parë edhe parashikimin e kohës shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë. Sërish, Biblioteka Kombëtare siguroi se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i Vlerave të rralla dhe Arkivi i librit e i periodikut shqip. Madje, me shumë optimizëm është kumtuar se janë tharë një përqindje e madhe e librave dhe materialeve. Por mënyra e tharjes ka treguar hapur vështirësitë e institucionit dhe më kaq kushtet e mjerueshme të librit tonë.

 

Larg këtyre, është koha që Ministra e Kulturës duhet të kapë momentin dhe të krijojë mundësinë që Biblioteka Kombëtare duhet të shkojë medoemos në një vend, që i përgjigjet stadit të sotëm të kulturës shqiptare. Apeli ynë i vazhdueshëm ka qenë te Piramida. Jo thjesht për hapësirën, por përgjithçka, që ky institucion paraqet. Në atë që mund të përcjellim në këtë apel, është fakti se kjo mundësi zhvendosje mund të përmirësojë jo thjesht punën e kësaj biblioteke që gjendet tashmë jashtë mundësive të saj, por i jep këtij institucioni të gjitha hapësirat që të rivitalizohet. Mbi të gjitha kuron simbolikën e Piramidës në një drejtim utilitar.
Është në nderin tonë, që me shkatërrimin e frikshëm që i kemi bërë këtij institucioni, siç ka ndodhur me Piramidën, të mos mendojmë ta kthejmë në një identitet krejt të ri. Të mendosh e bastarduam deri në nivele groteske duke i hequr pllakat mbuluese të mermerit dhe tentuam t’i zëvendësonim me pllaka qeramike, nga ato që përdoren në tualete. E ndamë për lloj-lloj funksionesh. Më “guximtarët” e PD-së, përfshirë kupolën e saj, donin ta shkatërronin fare sepse quhej simbol i komunizmit dhe madje dolën lloj-lloj njerëzish që mbartnim argumente për prishjen e saj. U nis për salla teatri, por nuk përfundoi dot, paçka se një sallë u ndërtua. Më shumë akoma, është bllokuar prej vitesh, pa asnjë lloj përgjigje nga instancat që e menaxhojnë. Derisa së fundi, ka ardhur ideja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ta kthyer në qendrën më të madhe të teknologjisë në rajon. Ky është një paradoks i ri në zhvillimet tona, kur mendon se flitet për një vend që është i fundit për sa i përket zhvillimit ekonomik në rajon, e bash ky me këtë Qendër synon t’i paraprijë inovacioneve me zhvillimin e infrastrukturës moderne.



Ndërkohë Biblioteka vuan mungesën e hapësirave të saj, kurse vetë Kryeministri, kohë më parë në postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, binte dakord se Biblioteka Kombëtare vepronte në kushte të pa përshtatshme. Dhe, zgjidhjet për të ishin nga më të habitshmet, ku theksojmë ajo që erdhi me një plan rregullues (me konkurs ndërkombëtar) i cili e sugjeronte Bibliotekën Kombëtare të inkastrohej brendësisë së atriumit të Muzeut Kombëtar, duke ia shfrytëzuar të gjithë hapësirën brenda institucioni. Duke u ngritur si kullë, ajo do të dominonte Tiranën, por edhe do përshfaqte sipas ideatorëve fuqinë e institucionit. Paradoksi që vinte nga zgjidhja e arkitektëve të huaj e llogariste hapësirën e brendshme të muzeut pa funksion. Asokohe, atriumi i Muzeut Kombëtar shërbente edhe si vend muzeal për armët trofe të Luftës së Dytë Botërore. Po e Ramës si kryetar bashkie ishte edhe që parlamenti të shndërrohej në teatër kombëtar. Të tjerë dhanë alternativa të tjera, por të gjitha të diktuara nga politika dhe orekset e njërit apo krah të politikës.
Për fatin e saj tragjik, Piramida nuk u bë dot muzeu i Enver Hoxhës, nuk u bë dot Qendër Ndërkombëtare e Kulturës, nuk arriti të bëhej dot Parlamenti i ri shqiptar, nuk u prish fare, ashtu si me shumë gjasë e ka të vështirë dhe nuk do të bëhet dot kurrë Qendër Inovacioni, siç e propozon Kryetari i Bashkisë Tiranës, por ka gjasë që me kakofoninë e zërave të mbetet një gërmadhë dhe kujtimi më i madh i gjallë i socializmit në vend.

Shiu dhe zjarri, që kanë qenë aq të afërt me Bibliotekën Kombëtare kohët e fundit por edhe bjerrja e sallave të këtij institucioni kanë sjellë si rast imediat, që këtij institucioni t’i konsiderohet si vend strehim vetë Piramida. Të paktën tashmë është harruar ajo habia që do krijonte Kulla e Bibliotekës brenda muzeut, teksa Piramida me hapësirat e saj arkitektonike, por edhe me aksesorët shtesë mund të bëhet një vend që të jetë destinacioni i dekadave të ardhshme të këtij institucioni. Bibliotekës i takon si institucion, një godinë që të përligjë nderin e Shqipërisë dhe asaj që fjala shqipe ka dhënë për ekzistencën e shqiptarëve.
Ndaj, shiu mund të quhet si ogur i mirë për kthjellimin e administratorëve të kulturës shqiptare. Biblioteka Kombëtare duhet të shkojë aty ku i takon pesha e rëndësisë së vet… te Piramida.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.