MILOSAO

Vepra artistike “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” përballë Presidencës

09:10 - 01.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lulishtes përballë Presidencës i janë shtuar dy “banorë” të rinj, aq të dashur për fëmijët, Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, të cilët këtë vit kanë mbushur 40 vjeç. Dy personazhet, që kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë shqiptarëve, janë përjetësuar tashmë jo vetëm në kujtesën tonë me batuat e tyre, por edhe përmes instalacionit të ideuar dhe konceptuar nga artisti Eljan Tanini.
Vepra artistike “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” vjen si një promemorie në 40 vjetorin e botimit të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, dhe imiton letrat origami të zmadhuara, si një mënyrë për të ngacmuar memorien e të rriturve, por edhe për të nxitur fëmijët dhe të rriturit drejt librit dhe kujtimeve të fëmijërisë. Instalacioni u përurua nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ideatori Eljan Tanini dhe krijuesi i dy personazheve, shkrimtari Gaqo Bushaka.




Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi falenderoi Taninin për veprën e artit modern që i ka dhuruar Tiranës, si dhe autorin e romanit “Çufo dhe Bubi Kaçurrel”, Gaqo Bushaka, për të gjitha emocionet që ka dhuruar me librat dhe humorin e tij në fëmijërinë e çdo shqiptari. “Interesi publik për vendosjen e kësaj vepre në park, mbetet i lartë. Sa estetik, fëminor, artistik, simbolik, por edhe historik. Është e hera e parë në historinë e vendosjes së veprave të parkut në Shqipëri, ku krijohet kjo vepër arti kushtuar përrallës shqiptare që ka frymëzuar breza të tërë fëmijësh dhe të rriturish”, tha Seferi.

Artisti Eljan Tanini theksoi se “Çufo dhe Bubi Kaçurrel”, kanë ndikuar dhe vazhdojnë të prekin ende jetët e mijëra shqiptarëve të vegjël dhe të mëdhenj me batutat e tyre, ndaj kjo vepër arti që i kushtohet të vegjëlve vjen edhe si një mirënjohje për autorin që ka krijuar dy personazhe origjinalë shqiptarë.
“Duke falënderuar përzemërsisht Gaqo Bushakën për humorin e tij fin që nuk fyen askënd, i shkruar në kohën kur Shqipëria jetonte vite të vështira, uroj shumë që këta dy personazhe të vendosur në park, të jenë një ogur i mirë për t’u kthyer më shumë te libri, te politikat mbi librin, te autorët e ndryshëm, por edhe te këta personazhe që unë mendoj se duhen lexuar patjetër nga çdo shqiptar. Çufo është simboli i shpirtit të lirë dhe aventurierit që e jeton jetën si t’i vijë e që gjithmonë gjen një zgjidhje për problemet që has”, tha Tanini.
Romani Çufoja dhe Bubi Kaçurrel është shkruar për herë të parë në vitin 1978, prandaj ky inaugurim sillet në 40 vjetorin e krijimit të tyre. Të vendosur në lulishten karshi Presidencës së Republikës, pranë Qemal Stafës, Ismail Qemalit, dhe kompleksit të Checkpoint të diktaturës, vepra artistike “Çufo dhe Bubi Kaçurrel” i kushtohet fëmijëve, që u rritën me përrallat dhe letërsinë e gjuhës shqipe.
Kjo vepër është dhuratë për qytetin e Tiranës nga Emira Zen


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.