EKONOMI

Ndërhyrja në treg, BSH bleu 19.3 mln euro në tremujorin e parë

16:30 - 04.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Banka e Shqipërisë ka blerë 19.3 milionë euro në tregun valutor vetëm në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga banka qendrore mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, në dy ankandet e zhvilluara në shkurt dhe mars shuma e blerë ka shkuar edhe përtej parashikimeve. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë pati blerë 71.2 milionë euro në tregun valutor, në kuadër të procesit të rritjes së rezervës valutore. Pavarësisht nga kjo kërkesë e konsiderueshme, zhvlerësimi i euros ka vijuar, si në tremujorin e parë, ashtu edhe në tremujorin e dytë, madje me ritme më të larta.




Ndërhyrjet në tremujorin e dytë do të bëhen publike me rreth tre muaj vonesë, ashtu siç është praktikë e Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, në kalendarin e ndërhyrjes banka qendrore ka pasur të planifikuara tri ankande të tjera për blerjen e euros, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Veç këtyre ndërhyrjeve të planifikuara më parë, në muajin qershor janë zhvilluar edhe operacione të tjera për blerje valute, të orientuara shprehimisht në frenimin e mbiçmimit të lekut kundrejt euros. Kjo u vendos në mbledhjen e qershorit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me argumentin që forcimi i shpejtë i lekut po neutralizonte presionet e jashtme inflacioniste.

Së fundmi, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë duket se kanë arritur ta stabilizojnë kursin e këmbimit të euros pranë nivelit të 126 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, euro u këmbye të martën me 125.88 lekë. Duke filluar nga java e kaluar, luhatjet në kursin euro-lek kanë qenë të papërfillshme dhe, të paktën për momentin, synimi i bankës qendrore është arritur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.