EKONOMI

Sejko: Kursi është stabilizuar, ekonomia në rritje

09:30 - 05.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka dhënë detaje lidhur me ndërhyrjen e fundit të jashtëzakonshme në tregun valutor. Sipas tij, arsyeja kryesore ishte për të ruajtur objektivin e inflacionit të institucionit monetar qendror. “Në momentin që pamë që kursi do ndikonte negativisht në inflacionin e pritur, mund të na çonte në një situatë në nivelin zero, morëm vendim për të tërhequr tepricën e valutës”, tha ai. Sejko shtoi se ata për momentin arritën që ta stabilizonin kursin e këmbimit, por nuk arrijnë të parashikojnë dot si do të jetë ecuria e kursit në të ardhmen. “Kemi filluar aplikimin e programit të ndërhyrjeve duke blerë në treg, e ndaluam mbiçmimin e mëtejshëm të lekut”, tha ai duke shtuar se në bazë të ecurisë, do të gjykohet sa do të vazhdojë ky program. Sejko tha se valuta që qarkullon në vend, sidomos ajo që hyn në tregun informal është praktikisht e pamatshme. Banka e Shqipërisë ka të dhëna vetëm për valutën që qarkullon në sistemin bankar, e cila është rreth 4 miliardë euro. Sejko nuk bëri të ditur një shifër, se sa është shuma me të cilën banka ka ndërhyrë deri tani. “Për programin e ndërhyrjeve, ne raportojmë në fund të çdo tremujori dhe deri tani është bërë publik vetëm tremujori i parë. Aktualisht jemi në një program ndërhyrjeje për efekt të kursit të këmbimit në inflacion – shtoi Sejko. – Më parë kemi ndërhyrë për efekt të rritjes së rezervës valutor”. Sejko tha se tregjet financiare janë karakterizuar nga një zhbalancim relativisht i fortë i raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë, të cilat kanë sjellë dhe mbiçmimin e shpejtë të kursit të këmbimit. “Në opinionin tonë, ky zhbalancim është prodhuar nga faktorë të përkohshëm të tregut valutor”.




Ekonomia
Guvernatori Genti Sejko tha se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare vijon të shfaqë trende pozitive zhvillimi. “Në veçanti, rritja ekonomike e tremujorit të parë rezultoi më e lartë se pritjet tona, ndërsa inflacioni i muajve prill e maj shënoi një rritje të lehtë krahasuar me tremujorin e parë. Tregjet financiare karakterizohen nga norma të ulëta interesi dhe tregues likuiditeti në përmirësim, por kursi i këmbimit vijon të shfaqet i fortë dhe rritja e kreditimit mbetet e ngadaltë”, tha Sejko. “Rifreskimi i parashikimeve nuk ka sjellë ndryshime të ndjeshme në trajektoret e pritura të zhvillimeve të ardhshme. Skenari bazë i pritjeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet, duke sjellë edhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Kursi i mbiçmuar i këmbimit do të tentojë të frenojë inflacionin gjatë tremujorëve në vijim, por efekti i këtij faktori pritet të jetë kalimtar. Për rrjedhojë, inflacioni do të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv, brenda vitit 2020”, -tha Sejko. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare, i shprehur nëpërmjet minimumit historik prej 1% të normës bazë të interesit dhe nëpërmjet programit të përkohshëm të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, mbetet i përshtatshëm.

Inflacioni në nivelin 2.1%
Inflacioni regjistroi vlerën 2.1% në muajt prill e maj, kundrejt normës mesatare prej 1.9% të regjistruar në tremujorin paraardhës. Nga këndvështrimi i përbërësve të shportës, rritja e inflacionit ka ardhur nga rritja e çmimeve të artikujve joushqimorë dhe e shërbimeve të strehimit. Nga këndvështrimi makroekonomik, inflacioni vijon të ndikohet në masë thuajse të njëjtë nga rritja e kostove të prodhimit dhe nga inflacioni i importuar. Megjithatë, analizat tona tregojnë se të dy këta komponentë janë prekur tashmë nga mbiçmimi i kursit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 4.45% në tremujorin e parë të vitit. Të dhënat indirekte që disponojmë sugjerojnë po ashtu për norma pozitive rritjeje gjatë tremujorit të dytë. Nga këndvështrimi sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur kryesisht nga rritja e sektorit industrial dhe në veçanti nga rritja e prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike është ndihmuar nga zgjerimi i konsumit privat, i investimeve totale dhe i eksportit të mallrave e shërbimeve, por ajo është frenuar nga rritja e importeve.

Vendimet e Këshilli Mbikëqyrës

1.Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%.
2.Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.
3. Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm vazhdimin e programit të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.