OPINION

Kujt i shërben djegia e mandateve të PD-së?

07:20 - 08.07.18 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Megjithëse kauza e shembjes së teatrit nuk ishte e PD-së, ajo iu bashkua, dhe tani pas tërheqjes së disa figurave të spikatura të trupës së aktorëve, ajo ka marrë peshën kryesore.
Votimi në parlament i ligjit që i hapte rrugë shembjes së tij, disa nga figurat e grupit të deputetëve të saj bënë një kundërshtim dinjitoz të ligjit, por forca e numrave të socialistëve bëri të vetën.
Pas kësaj shumë ndjekës të PD kërkojnë djegien e mandateve. Është e disata herë që e kërkojnë, dhe më shumë sesa rrjedhojë logjike e një lufte të planifikuar politike, është tregues i frustrimit të tyre.
E vërteta është që kjo maxhorancë nuk është aspak mirëkuptuese me minorancën. Hiq ato ligje si ai i dekriminalizimit, të cilat janë miratuar për shkak të presionit ndërkombëtar, për të tjerat maxhoranca nuk ka pasur shumë kuptim, por edhe opozita nuk është se nuk bën marrëveshjet e veta për ato që janë nën rrogoz.
Gjithsesi, këtë valë frustrimi, e cila është e disata, Basha është përpjekur ta kalërojë. Ndoshta për mungesë nuhatjeje politike, e cila duket që i mungon, në vend se t’i çojë në kreshendo, i ka ulur. Mbase është edhe llogaritje forcash. Ka tre vjet të gjatë përpara, të cilat nuk i japin mundësi t’i bëjë dëm Ramës. Por perceptimi është që ka një marrëveshje me Ramën, të cilën nuk e rrëzon dot me disa të shara nga podiumi i parlamentit. Njerëzit e dinë që ajo është vetëm teatër.
Nuk do ta ndihmojë as djegia e mandateve. Aq më pak për një çështje si ajo e teatrit, e cila është shumë sensibël, por bën mirë mos të komandohet nga PD-ja, e cila edhe në raste të tjera ka treguar se i le në mes të rrugës. Ata që e kërkojnë nuk e mendojnë gjatë, por është një rrugë që të çon askund dhe i heq opozitës një dritare të çmuar për t’u dëgjuar siç është Kuvendi.
E megjithatë disa gjëra duhet t’i bëjë, duke filluar nga protestat e tij duhet të jenë pak më agresive. Rama vetëm nga ajo ka frikë.
Gjithashtu, duhet të jetë më i kursyer në përdorimin e togfjalëshit “vetëm mbi trupat tanë do kaloni”, sepse është tejkonsumuar.
Dhe të godasë Ramën tek thembra e Akilit siç është lidhja me oligarkët dhe plaçkitja e buxhetit. Por tek kjo e fundit duket se ka probleme të mëdha dhe nuk i duhet kërkuar.
Këto janë vetëm disa hamendësime, sepse pak njerëz mendojnë se Basha mund të rrëzojë Ramën. Shumica shpresojnë tek vithisja e një pushteti, i cili tashmë qeveris i pakontrolluar./dritare.net




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.