Kryesore

Pse duhet të qëndrojë godina e teatrit?!

11:35 - 08.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Janë bërë kaq shumë zëra për teatrin dhe ka kaq shumë kundërshti në lidhje me fatin e godinës saqë është e vështirë sot të përmbledhësh një rezultante. Sa zëra ka për prishjen e tij, po aq ka edhe për mosprishjen e tij. Sa zëra ka për kushtet e këqija të ngrehinës, po aq ka edhe mundësinë e restaurimit të teatrit aktual. Më e pandershmja nga të gjitha ka qenë përfshirja dhe përdorja që politika u ka bërë palëve të përfshira. Nëse do të jesh brenda protestës do të kuptosh grupet e interesit të ashtuquajtur të vogël, ata që presin të bëhen funksionarë dhe u pëlqejnë t’u shkelin syrin Opozitës apo të tjerët syresh që janë të lidhur me pushtetin e Socialistëve. Është kaq e frikshme përdorja e artistëve prej politikës dhe justifikimet patetike të shumë syreshëve, që të bëjnë të kuptosh se pse shumë prej tyre shërbenin me zell si punëtorë partie në propagandën e frikshme që bëri komunizmi ndaj njerëzve. Dhe, për fat, mjafton të shikosh kanalet i sheh shumë syresh në role aq të mira për të treguar Njeriun e Ri dhe supremacinë e komunizmit.





Po ndërtesa? Ajo është një ngrehinë e ndërtuar në kushte të caktuara, por që megjithë arsyet që shkojnë për ta prishur apo për të mbajtur, ajo i ka rezistuar kohëve, kapriçiove të tokës (Tirana ka pasur disa tërmete me magnituda të larta gjatë kohës së ekzistencës së tij) dhe orekseve të pushtetarëve. Fashistët e përdorën sipas interesave të tyre për atë edukimin e tyre specifik pas pune; Komunistët e funksionalizuan që nga kinemaja, gjyqi ushtarak dhe më në fund zuri vend si teatër; ndërsa e ashtuquajtura Demokraci përveç se teatër, edhe për bingo etj.

E veçanta e godinave të Teatrit është se paçka vlerave arkitektonike, asnjë zë potent i arkitekturës nuk i ka nëpërkëmbur ose përshkruar si të shëmtuara. Dhe, fakti se këto ndërtesa kanë mbijetuar përbën një shtesë vlerash për to dhe objektin primar të tyre. Ato janë njëjtësuar me kompleksin e ministrive, ndërsa një zë interesant i arkitekturës shqiptare, Artan Raça do të shprehej pak ditë më parë: “Teatri, ashtu si edhe Kinemaja, janë objekte që prodhojnë marrëdhënie dhe infektojnë në një masë tepër të madhe jetën e qytetit dhe të njerëzve të tij. Duke pranuar metaforën arkitekturore se përdoruesit e parë të arkitekturës nuk janë ata që e banojnë, por ata që janë jashtë saj, mund të themi se Teatri Kombëtar ka krijuar një marrëdhënie të gjatë dhe të përhershme me qytetin dhe njerëzit dhe e gjithë kjo marrëdhënie materializohet te kjo ndërtesë dhe te ky kompleks, prishja e të cilit do të merrte me vete tërë këtë histori dhe do të krijonte një boshllëk tepër të madh, që nuk mund ta mbushë asnjë masë e re betoni.
Mjafton të kujtojmë skenën e filmit “Nuovo Cinema Paradiso” të Tornatores për të kuptuar boshllëkun dhe trishtimin që lë prapa prishja e objekteve të tilla në qytet dhe në jetët e njerëzve, një metaforë kinematografike, të cilën ky qytet e ka provuar më shumë se një herë. Pra, duke gjykuar ruajtjen e këtij kompleksi si gjënë parësore, nuk jam fare i interesuar për atë që propozohet të vijë prapa.

Së pari, sepse ashtu si thotë Manzoni, jo gjithmonë ajo që vjen prapa është progres, por dhe sepse për njerëzit joprofesionistë (por nganjëherë edhe për ata), si edhe për ata që marrin vendime, simulacra e asaj që do të ndërtohet kur në pyetje është prishja apo jo e asaj që ekziston, është tepër e rrezikshme dhe joshëse. Shock and Awe, është një taktikë ushtarake e bazuar mbi demonstrimin e fuqisë dërrmuese dhe shfaqjeve spektakolare të forcës për të paralizuar perceptimin e kundërshtarit në fushën e betejës dhe për të shkatërruar vullnetin e tij për të luftuar…”.

Një nga arsyet pse godinat e teatrit, si ndërtesa të vjetra, janë tërheqëse për ne konsiderohet vjetërsia dhe forca e tyre duke qenë të pazëvendësueshme në rolin funksional që kanë fituar. Një ndërtesë që ka përjetuar atë histori përmes vetë përfshirjes së saj konsiderohet si vetë historike. Godina e ka kaluar atributin e saj. Ajo është dëshmitarja materiale e ngjarjeve të veçanta, kohëve dhe shfaqjeve të ndryshme. Godina e Teatrit është në një farë mënyre produkt i një nostalgjie për të kaluarën, që gjithnjë do të idealizohet nga brezat e ndryshme të tiranasve, por jo vetëm.

Në dukje naive për arkitektët ajo përmban elementë interesantë, që i bëjnë nder elementeve të arkitekturës së Tiranës së hershme moderne, sipas shkrimit të Raçës. Mbi të gjitha, godina e Teatrit është përfaqësuesja e një arkitekture, që qyteti jonë, do ta kishte për nder ta mbarte.
Anipse, zërat e shumtë që bërtasin për të, më shumë janë marrë me njëri-tjetrin, me luajtjen e rolit të protagonistëve sesa për një kauzë, që i takon Tiranës. Ditët po ikin dhe ndaj saj tashmë po afrohet një fat tjetër. Sikur ta ruajmë dhe ta restaurojmë, do të kishim me çfarë të krenoheshim në 100-vjetorin e Tiranës sonë. Kurse, arkitektët, po ta dinin ta restauronin si duhet, do të shpëtonin shpirtin e tyre, që në vitet e fundit e kanë shitur për lloj-lloj konjukturash. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.