MILOSAO

Qiell i nëndheshëm

15:37 - 08.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një cikël i këndshëm që e përshfaq me të gjithë aftësinë e tij lirikun shqiptar. Si zakonisht temat e tij përfshijnë një hapësirë të madhe dhe kjo tregon pak a shumë dhe shqetësimet e tij qytetare dhe jo vetëm…




Nga Demir Gjergji

Njeriu:

Bota më bëri me shpirt e me mish.
Pastaj më dha mendjen, të di si ta prish.
‘18

 

KATËR ERËRA
1-Meli (nëna)
2-Derada (nënëbija)
3-Amla (bija)
4- Unë.
– Bijë!-
Të thërret jot’ ëmë.
– Maaaa!-
Të kërkon jot’bijë.
Unë nuk e di se ç’jam:
Gjysh apo fëmijë.
Katër erëra,
Fryjnë e vijnë,
Dashuritë!
1 korrik, ‘18

MËMË E BIR
Kur rritej ime më,
Unë s’kisha frymë e zë.
Qëlloi një mot i mirë,
U bëmë mëmë e bir.
Sot nëna thellë fle,
Unë endem përmbi dhé.
Dhe qenka kaq e lehtë,
Kjo lojë vdekje-jetë!

DORËSHKRIM
Si të ta nis në dorëshkrim këtë vjershëz,
Me bojën e freskët pikuar prej penës
Dhe shkronjat radhitur me urdhër të zemrës
Si kardiogramin e fundit mbi letër,
Si të ta nis?
Shkenca ende këtu s’ka mbërritur,
Fatkeqësisht!

HAMLET I HARRUAR
I sigurt për zgjimin, përhumbet në gjumë,
Zgjohet me frikën, se s’do flerë më kurrë.

JE
Ti je fusha tej, në male,
Çeltinë je, midis korijes,
Je mëngjesi thellë mesnate,
Fundi je, këtej fillimesh.
Heshtje hesht në fund të fjalës,
Dritë ndrit ti, lot për lot.
Etja je, përposh ujëvarës,
Bota, kur s’do ketë botë.
Më je udha për gjithkund,
Unë, përtej meje je.
Je liria që më mund,
Je gjithçka që jam atje!
Je e nuk e di se ç’je!

ZHGËNJIMI
Fshehur vetes vetëm hesht,
Mister brenda në mister,
As vjet atij, as këtë vjeshtë,
S’i dhe një shpresë, një shenjë s’i merr.
Zhgënjyer keq ai nga ti,
Pasqyrat sheh me neveri,
Si qiell i kthjellët, i pafund,
Kur veten gjen përmbys në llum.
SYRI I NJERIUT
Nën sytë e njeriut, lakuriq kjo botë,
Nga Poli i Veriut, deri në Bangok.
Që nga elefanti, te bacili kok,
T’i fshihen atij, mundohen më kot.
Qeniesh, vendesh, sendesh, honeve të zinj,
Xhunglave, nëndetesh, tutje në asgjë,
Si pishtar zjarrvënës sulet syri i tij,
Zhvirgjëron enigma gjer në ADN.
Pas kobesh kozmike, tërmet e taifun,
Që botën nuk mundën ta venë përfund,
Është syri i njeriut që sulet gjithkund,
Ta ktheje planetin në hi e në shkrumb!

PËRMBAJTJE E FORTË EROTIKE
Fëmijët lënë dërrasën e zezë,
Fshehin shkumësat e bardhë,
Nxjerrin thëngjijtë e zinj,
Vizatojnë në murin përballë,
Figura porno me “llafe turpe”.
Pas murit që vetiu bie,
Një pamje e nxehtë dashurie…
Skenën me seks,
Prindërit e fshehin me pullë të kuqe…

FLUTURIM NË ËNDËRR
Unë po ulem, shkoni ju pata!
Nga poshtë me joshin ç’pata e s’pata.
Ikni, o pata nga dimrat e ftohtë,
Andej nga beharët ia behin mbi botë.
Shkoni, o pata me klithma të trishta,
Mua më presin pista të pista!
Më lini të bie dhe ikni, o pata,
S’më mbajnë më mua as frymë e as flatra.

DRITË E FSHEHTË
Kjo kometë në qiell të qetë,
Nga është nisur, ku do sosë?
Akull ngrin, a zjarr po djeg?
Ç’fat po mbjell nëpër kozmos?
S’di askush asgjë për të,
Veç asaj flurudhe drite,
Ç’është e ç’gjëmë pas po lë,
Tek harbon mes galaktike?
Heshtë e verbër, kjo kometë,
Nisur që andej nga ti,
Rend drejt meje ditë e net
Dhe nuk dihet kur do mbërrijë.
Kjo kometë, dritë e fshehtë,
Ardhur tej, nga sytë e tu,
7 yj larg e tej 7 jetë,
Feks në sytë e mi, këtu.

KËTEJ E PËRTEJ
Kjo verë e këtejme, ajo e përtejme…
Dhe shira, dhe akuj në mes.
Ç’të sjell kjo verë sivjetme,
Nga tjetra që vdes në kujtesë?
Të sotmet këtu, të djeshmet ku vanë?
Një natë-greminë i ndan.
Ç’do t’i kërkoje ditës matanë,
T’ia mbillje të sotmes fidan?
Një engjëll-bebush dhe djalli thinjosh,
Një jetë njeriu në skaje i mban.
Ç’do t’i kërkoje fëmijës lëmoshë,
T’ia shkundje djallit me thinja temjan?
Ti, syri me lot, unë, buza me prush…
Dhe ja Big-bengu i puthjes ndërmjet:
Zbret loti, takohet me buzën në gushë,
Si moti me mot, si jeta me jetë.

“FRIKA NGA ATDHEU”*
Atdheut ia ka mbyllur portën nga jashtë
E s’guxon të kthehet sërish, ta hapë,
Ndonëse nëna dergjet brenda dyfish,
Ndonëse lumi ulërin nën urë si bishë,
Ndonëse ylberët janë lidhur fjongo zije,
Ndonëse yllnesha s’del më në bjeshkë e korije.
Ndonjëherë kalëron ëndrrën,
Shkon e këqyr kyçet e ndryshkur,
Mos po këputen!
Më trim se kaq,
S’e bëri dot nderi.
————-
*)- Titull libri i Skënder Buçpapajt.

UDHA
Në mesin e udhës
Hapin e mbaj.
Pyes:
Kush është më larg;
Fillimi a fundi i saj?

PEIZAZH PERËNDIMI
Lëkurë e rëndë, hija e malit…
Lëkurë e njomë mbi dremitjen e fushës,
E saporrjepur nga trupi i kolmët e drenushës,
Ende i ngrohtë në çaponjtë yjorë te Arushës!

ARDHJA E NATËS
Ra edhe kjo natë…
Gruaja në shtrat,
Burri në mërgatë,
Njihen në baladë.

GJUMI I ZONJËS SË LARTË
Drita e ditës së ngratë, papritur ka rënë në çark
Qerpikëve, qepallave të saj!
Nata shtrihet sa gjerë e gjatë,
Si zonja e lartë, e vetme në shtrat.
Tani gjithçka mund të jetë gjithçka;
Ishulli i farit të fikur, gjoks i fryrë virgjëreshe,
Zajet në fundin e ujit, rruzuj të nxehtë dhembjeje,
Kryqi i katedrales, zog i zi mungese,
Lulet mund të mbyllen si mitra të mbjella shprese…
Gjithçka mund të sundojë gjithkund e mbi gjithçka,
Për aq sa zgjat në natë, gjumi i zonjës së lartë, fillikat në shtrat!

KOZMETIKË
Burrat rritin mjekrat,
Për t’u dukur trima në luftë,
Gratë heqin vetullat,
Për t’u shfaqur hijshëm në rrugë.
Pas shëtitjesh dhe betejash,
Gratë me frikë prekin mjekrat,
Burrat shohin egër vetullat.

SORKADHJA
Asnjë armë për vetëmbrojtje,
As çataj, as helm e as thonj.
Për syrin, e hijshme,
Për gojën, e shijshme.
Pre i lehtë bishash,
Korijes me kurthe kalon!

ROMANCË NË MAJ
1.
Mollë të bryllët vjeshte të kafshoja dje,
Gështenjë me vile lulesh,
tani je atje.
Dje, ah i shembur isha përmbi ty,
Sot, bli i rënduar me pjalm e me yj.
Të dy kundërmojmë ende dashuri!
2.
Nesër gështenjat do të vishen me gjemba,
Blirët do t’i fikin yjet nëpër rremba.
3.
Pasnesër ndër ne do të digjet vera,
Do të shkundet vjeshta,
Dimri do t’i fshehë me blirë e gështenja.
Ne do kundërmojmë vetëm dashuri.

PAS-PARA-PASQYRA
-Në zinë e Flutura Açkës-
Këtej
Drita të bën ty,
Në zi,
Me gjëmën në sy.
Në mes të mesit,
Zot pas qelqit,-
Bromuri i argjendit!
Matanë, ai:
Fati i zi,
Në terr-pusi.
Andej-këndej,
Si nëpër qiej,
Jerini* shenjt,
Shkon e kthen.
Fara i dritës,
Miroset mitrës!
*) I biri

RONDO ME 7
7 vitet që na ndanë;
7 male në revan,
7 dete uragan.
7 fjalë si Ti
te një fjali.
7 nota ranë
mbi pentagram.
7 ngjyra, botë
te tablotë.
Përmbi fjalë,
Në romancë,
Nëpër ngjyra
U ripamë!
Në 7 ditë, te një javë,
Mbijmë bashkë
Nga një bërthamë.
7…7…7…7…7…7…7!

SKENËZ
Në sytë e fëmijëve, fëmijët ishim ne,
Që s’ditëm se ç’bëmë: të pashë a më pe…

FSHEHJA NGA VETVETJA
Ka ende vende sot kjo botë,
Të shkosh e të mos dish ku je,
Mjafton të kyçesh në një kod,
Të mbretërosh sovran atje.
Kërko, se do ta gjesh patjetër,
Një guvë, ku hyn e kush s’të nxjerr,
Siç mund të jetë një gënjeshtër,
Që s’ka rëndësi, se kush e tjerr.
Ka plot enigma galaktika,
Ku mund të arratisesh lehtë,
Pa të kërcënuar frika,
Nga drita që ngado të ndjek.
Kudo ka skuta plot ky Dhé,
Për shembull, thellë në jetën Tënde,
Te loti yt të lypësh strehë,
Dhe të mos dish mëngjes e mbrëmje.
Pra paska ende vende Toka,
Si eremit të fshihesh paq,
Të rrosh me pinguinë e foka,
Ku shpirti yt aurorat shfaq.
E vetmja gjë që s’e bën dot,
Na qenka fshehja nga vetvetja,
Ku as vetmia s’të del zot,
As muret, heshtja dhe as vdekja!

FËMIJËRIA
Ikën etërit,
të vjetrit!
Me baltë e bar u veshën.
Fëmijërinë time,
E morën në kujtime,-
Qiell të nëndheshëm

SHËTITJE NË PARKUN “GARTEN MÜNCHEN”
Kur e ku ka qenë lufta?
Pyes rosat e egra, mjellmat e buta,
Trishtilët e ndritshëm, pëllumba e flutura,
Drurët që shkundin cicërima si fruta,
Ajrin si puthja, barin si lutja,
Speciet e zhdukura, ujëra dhe statuja.
Kur dhe ku ka pasur luftë?
Pyes në s’e di sa gjuhë,
Dhe s’më kupton askush, askurrë.
Një plak, me të dashurën sup më sup,
Më sheh me frikë e shkon me turp…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.