MILOSAO

Solzhenicini në shqip

13:55 - 08.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kujtim Morina1 – Solzhenicini është botuar në shqip që në fillim të viteve ‘90. Më përpara as mund të mendohej sepse edhe në Rusi ose Bashkimin Sovjetik, ai është botuar vetëm në vitin 1989. Fillimisht shtëpia botuese “Buzuku” ka botuar romanet “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit’ dhe “Pavioni i kancerozëve” të përkthyera nga Lili Bare. Më pas është botuar “Arkipelagu Gulag në vitin 2012 nga shtëpia botuese “Princi” në Tiranë, romani “Pavioni i Kancerozëve” në vitin 2014 nga shtëpia botuese “Fan Noli”, dhe më tej po kjo shtëpi botuese ka botuar në vitin 2015, ‘Një ditë e Ivan Denisoviçit” në vitin 2015, “Shtëpia e Matrionës” më 2016, dy volumet e para të romanit epope “Rrota e Kuqe – Gusht 1914”, 2018, të gjitha këto të përkthyera mjeshtërisht nga Nikolla Sudar.




Vepra e parë e Solzhenicinit në Rusi, ‘Një ditë nga jeta e Ivan Denisovicit” u botua në disa numra të revistës voluminoze ‘Novi Mir” rreth 10 vjet pas vdekjes së Stalinit, në nëntor 1962. Lideri i atëhershëm komunist Hrushovi e mbrojti këtë botim në frymën e dënimit të krimeve staliniste. Lexuesi rus e mbajti frymën të shihte anën tjetër të medaljes të realitetit dhe të një letërsie jashtë rrymës mbisunduese të realizmit socialist. Ky roman i shkurtër përshkruan një ditë të vetme në jetën e një zdrukthëtari të kapur në rrjetën e fshehtë të Bashkimit Sovjetik të kampeve skllavëruese të punës ku vdekja nga uria, i ftohti i hidhur dhe dënimet e regjimit të punës ishin bërë të zakonshme dhe ku siç thuhej jetëgjatësia mesatare në këto kampe nuk e kalonte një dimër. Në atë kohë, Solzhenicini punonte si mësues matematike në një provincë pasi kishte kaluar 8 vjet në burgjet dhe kampet e punës dhe tre vjet në internim. Kjo vepër e shkurtër tronditi Bashkimin Sovjetik dhe mbarë botën. Besohet se si vepër e parë që e bëri të njohur shkrimtarin botërisht ndikoi edhe stili i tij letrar, autori përshkruan një ditë të mirë të një të burgosuri në kamp, me pak frustrim apo akuza dhe pa përgjithësime intelektuale, historike apo morale në sfondin e vuajtjeve të tmerrshme dhe metodave të Sigurimit në kamp që merrnin shumicën absolute të kohës.

Më tej do të vinte “Pavioni i Kancerozëve” një vepër voluminoze, një roman gjysmë-autobiografik, të cilën autori e përfundoi më 1966. Ky roman qarkulloi për dy vite në dorëshkrim siç ndodhte me librat e ndaluar e të censuruar që qarkullonin fshehurazi dhe madje edhe rishkruheshin me shkrim dore mes shkrimtarëve e lexuesve më të devotshëm dhe pastaj u botua në Perëndim në vitin 1968 në gjuhën ruse dhe më tej në gjuhë të tjera. Në këtë roman përshkruhet jeta e pacientëve në një spital onkologjik në Kazakistan më 1955, dy vjet pas vdekjes së Stalinit. Autori i romanit si gjithnjë operon me një galeri personazhesh por dy kryesorët janë; Oleg Kostoglotov, ish pjesëmarrës në luftë i cili kishte kaluar vite në kampet e punës si “kundërrevolucionar’ përpara se të internohej në Azinë Qendrore sipas nenit të atëhershëm 58 dhe Pavel Nikollajevic Rusanovit, personazhi i të cilit është rezultat i shkrirjes së dy tipave të ndryshëm, të një punonjësi të rëndësishëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të një sekretari partie në shkollë. Ky personazh jo vetëm është konformuar me regjimin por edhe i ka shërbyer atij duke denoncuar bashkëqytetarët e tij për shkelje të parimeve të solidaritetit proletar apo të abuzimeve me pronën socialiste. Meditimet e personazheve janë gjithandej të pranishme në libër, ç’do të bëhet tani me disa ish të burgosur dhe të internuar që po kthehen në vendbanimet e tyre, do t’i rimarrin shtëpitë e tyre që ua kanë zënë të tjerët, do t’i denoncojnë apo sulmojnë bashkëpunëtorët e sigurimit që i kanë rrasur në burg për sajesa e shpifje të paqena, si mund të bashkëjetojnë ata në një fshat a në një lagje, etj. Personazhet janë në zgrip të ekzistencës njerëzore dhe e ndërthurur kjo me formimin e tyre dhe karakteret e ndryshme jep një botë me të vërtetë interesante. Ka edhe shumë kapituj apo fragmente ku mbizotëron dashuria njerëzore, humanizmi i madh që e karakterizon këtë autor në të gjitha veprat e tij. Për Solzhenicinin është thënë se vepra e tij karakterizohet nga “ruajtja e shpirtit njerëzor në kushtet e totalitarizmit dhe kundërvënia e brendshme ndaj tij, mbështetur në idealin liberal fetar”.

Më 1970, pasi ishte hapur sipari me botimin në Perëndim të romaneve “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviç dhe “Pavioni i kancerozëve” erdhi çmimi Nobël i autorit që ai s’mundi të shkojë ta merrte vetë por u shpreh në fjalën që e dërgoi për ta mbajtur në ceremoninë e dhënies së çmimit në Stokholm se ‘ një fjalë e vërtetë mund të kundërballancojë gjithë botën”.

Më tej vjen botimi i “Arkipelagut Gulag” në vitin 1973 jashtë Rusisë, që konsiderohet kryevepra e Solzhenicinit. Arkipelagu është një paraqitje shumëplanëshe e kampeve, burgjeve, qendrave tranzit dhe policisë së fshehtë e regjimit komunist. Ky libër bazohet në dëshmitë e rreth 200 të mbijetuarve dhe në kujtimet e 11 viteve të Solzhenicinit në kampet e punët dhe në internim. Vepra u botua në tre vëllime por siç është shprehur autori “edhe kur përgatisja këtë version të fundit, unë nuk e kam parë asnjëherë të plotë librin së bashku, nuk e kam pasur të gjithë materialin e librit mbi tavolinë në të njëjtën kohë” ngaqë pasi i përgatiste kapitujt e veçantë i përcillte fshehurazi jashtë vendit nga frika e policisë së fshehtë duke mos besuar deri në fund se vepra do të botohej e plotë. Gulagu, që ka hyrë edhe në fjalorin e gjuhës angleze dhe që përbëhet nga inicialet e administratës së përgjithshme të kampeve, siç e përkufizon Solzhenicini është “grirësi i mishit njerëzor” (human meat grinder). Pa hyrë në shifra se sa miliona njerëz u ekzekutuan apo vdiqën nga uria, të ftohtit apo kushtet e punës në burgjet dhe kampet e Bashkimit Sovjetik, mund të themi se Arkipealgu është vepra e parë e plotë që sjell me fakte barbaritë e regjimit komunist, një sistem që sipas autorit s’mund të funksionojë sepse është në kundërshtim me karakterin njerëzor dhe sipas tij po e shkatërronte Rusinë dhe vendet e tjera ku ishte instaluar. Ka një kapitull tek Arkipelagu ku Solzhenicini kritikon edhe periudhën e sundimit të Hrushovit, i cili e kishte mbështetur por ai ishte në fund të fundit për revizionimin e regjimit por jo për ndryshimin e tij. Në shqip, Arkipelagu është përkthyer nga anglishtja, marrë nga një botim në SHBA më 1989, ku përzgjidhen pjesët më interesante të librit në një vëllim, me bashkëpunimin e autorit.

Regjimi sovjetik që pas rënies së Hrushovit po merrte hapa mbrapa, e pa se s’mund ta frenonte shkrimtarin e madh, veprat e të cilit po qarkullonin fshehurazi brenda Rusisë dhe po botoheshin jashtë duke u shpërndarë në miliona kopje dhe vendosi t’ia heqë shtetësinë dhe ta dëbojë shkrimtarin në Gjermani në vitin 1974. Thuhet se fillimisht pati një inskenim për ta vrarë por meqë nuk u arrit, atëhere u vendos dëbimi i tij. Autori nuk qëndroi shumë në Gjermani e Zvicër por emigroi në Amerikë ku siç thuhet në periudhën 1974-1991 u mor me romanin voluminoz “Rrota e Kuqe” në 10 vëllime, dy nga të cilat sapo janë botuar në Tiranë nga shtëpia botuese Fan Noli. Autori ka një stil të zhdërvjedhët, një dialog të këndshëm e të kursyer, siç thamë operon me shumë personazhe dhe i pranëvë kontekstit historik të veprave, stilin e tij letrar me përshkrime të paharrueshme të natyrës e karaktereve njerëzore duke depërtuar në botën e tyre të brendshme dhe me një humor të hollë. Përkundër Arkipelagut që siç thotë autori nuk ka emra të trilluar personazhesh apo ngjarjesh, vjen Pavioni i Kancerozeve, për mendimin tim, kryevepra e tij artistike ku autori e tregon talentin e tij letrar në përshkrime të gjalla të situatave tronditëse por edhe të momenteve shumë prekëse ku ngërthehet e bukura me të shëmtuarën, mirësia me gënjeshtrën, apatia me dëshirën për jetën, humanizmi dhe mizoria njerëzore.

Pas ndryshimeve demokratike, Solzhenicini kthehet në atdhe më 1994. Ai nuk pranon një çmim të madh letrar nga Jelcini duke shprehur zhgënjimin e tij në pozitën në të cilën kishte rënë Rusia qoftë në planin e brendshëm ashtu edhe për humbjen e influencës në botë. Solzhenicini njihet edhe për kritikat e tij për sistemin perëndimor që ai i ka shprehur hapur edhe kur jetonte në Amerikë. Më tej, megjithë përkrahjen prej tij të politikës së Presidentit Putin që nga viti 2000 derisa ndërroi jetë më 2008, ai konsiderohet një autoritet i padiskutueshëm në vendin e tij që kishte bërë shumë për demaskimin e regjimit komunist dhe as kritikët më të ashpër në vend nuk hapnin debate me të. Në fund të fundit, besoj se është vepra e shkrimtarit që mbetet.
Solzhenicin konsiderohet shkrimtari më i madh rus i gjysmës së dytë të shekullit XX në vazhdimësi të kolosëve të mëdhenj klasikë rusë si Dostojevski, Tolstoi, Çehovi, Pushkini, etj. Besohet se veprat më të mira ai i shkroi në vitet 55-70 të shekullit të kaluar. Ai e atakon disa herë në veprën e tij Maksim Gorkin që megjithëse e vlerëson si shkrimtar të madh, nuk ia fal propagandën e pakursyer për regjimin dhe faktin që ai u vu në radhën e parë të shkrimtarëve apo u bë instrument i regjimit për hyjnizimin e tij.
Solzhenicini është kritikuar shumë herë nga shtypi perëndimor për mbështetjen e tij ndaj politikës së Putinit. Në fund të fundit, ai është një shkrimtar që e do vendin e tij dhe nganjëherë rrëshqet edhe në deklarime nacionaliste që i krijojnë përplasje të ndryshme. Me Arkipelagun dhe veprat e tjera, ai tregoi se një regjimi të tillë shtypës, i duhet dalë përballë për ta demaskuar botërisht por nuk vë me faj për këtë popullin rus dhe kur sheh se vendi i tij fillon ta marrë veten ekonomikisht dhe politikisht, edhe ai e mbështet pavarësisht nga kundërshtitë. Kadareja e vlerëson Solzhenicinin si shkrimtar të madh duke e konsideruar atë “figurë kolosale të shekullit, një shkrimtar emancipues në shkallë planetare, ku vepra e tij rrezatoi gjerësisht. Ka qenë një shkrimtar i pakrahasueshëm në demaskimin e krimeve të Stalinit, një proces që ende vazhdon sot në botë me dënimin e krimeve të komunizimit.” Duket se të dy shkrimtarët kanë gjëra të përbashkëta në qasjen e tyre ndaj letërsisë, politikës, kombit të vet, etj. Dua të kujtoj këtu, dy ese të njohura të Solzhenicinit “Mos jeto me gënjeshtra” (Live not by lies) dhe “Marshi i hipokritëve’ të cilat mund të gjenden edhe në anglisht në internet. Në të parën, shkrimtari thotë që nëse me vetëdije nuk bëhemi shërbyes të fallcitetit të paktën të mos shkruajmë apo firmosim asnjë frazë që shtrembëron të vërtetën, të mos bëhemi agjitatorë të politikës së ditës, të mos ia lejojmë vetes të marrim pjesë në demonstrime apo takime kundër vullnetit tonë, etj. Ndërsa në esenë e dytë “Marrshi i hipokritëve” autori sjell shembuj e kritikon qasjet me shumë standarde të politikës ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve në botë.
Përkujtimi apo nderimi që i bëri Kosova dhe Shoqata e botuesve kosovarë Solzhenicinit me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 10 vjetorit të vdekjes është nderim edhe për veten e vet si një vend i lirë. Megjithëse është fakt se Solzhenicini është shprehur kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe deri diku edhe kundër pavarësisë, vepra e tij është një monument kundër shtypjes njerëzore, kundër totalitarizmit, nga e cila Kosova dhe populli shqiptar kanë vuajtur aq shumë. Natyrisht se vepra e një autori mbetet ndërsa deklarimet për politikën e ditës përgjithësisht harrohen. Dëshiroj të falënderoj shoqatën e botuesve të Kosovës për ftesën në panair për të marrë pjesë në këtë aktivitet si përkthyes i Solzhenicinit, me besimin se do të rritet vëmendja ndaj librit dhe ndaj autorëve të mëdhenj që i kanë dhënë shumë letërsisë dhe botës.

Shënime
1- Përkthyes i
“Arkipelagu Gulag”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.