MILOSAO

Teatër me teatrin

16:15 - 08.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ardian Ndreca – Deri në vitin 1920 Tirana ka qenë nji qytet që, si shumica e qendrave të banueme tek ne, s’ka dijtë se çka asht plani urbanistik. Nji qytet horizontal me bahçe, bashtina, kopshte, oborre, ndërtesa dhe ndër të gjitha objektet që mbushnin hapsinën, plepat dhe selvijat ishin ato ma të naltit.
Nji mik i huej që jeton tash disa vite në kryeqytet, më pyeste nëse ka ndonji vepër letrare, që i asht dorëzue historisë së letërsisë sonë, që asht shkrue në dialektin tiranas? Jo. Nuk ka si me pasë pse deri në vitin 1920 Tirana ka qenë thjesht nji qendër e banueme si Peqini, Shijaku e simotra tjera.
Çka mund të mbeste prej nji qendre të atillë të banueme? Qerpiçi s’i ka cilësitë e duhuna për me ju dorëzue historisë, bjen fjala si shtëpitë beratase apo gjirokastrite. Shtëpitë me qerpiç të rrethueme me tulla të kuqe janë njilloj, aq sa “ab una disce omnes” prej njenes i kupton të gjitha. Mbrojtësit e filozofisë së magjisë së Tiranës janë thjesht nostalgjikë, e këtë e tregon fakti se sot asnji sish, edhe prej atyne të flaktëve, nuk shkon me jetue shtëpia me baltë por me beton.
Fati i mirë i kryeqytetit shqiptar qëndron në largëpamësinë që pati politika shqiptare në vitet ’20-’30, dhe në planet dhe idetë e A. Brasini-t, F. di Fausto-s, projektet e B. Morpurgo-s, idetë e nji urbanistike integrale që shndrruen nji qendër të banueme anonime në nji qytet me fytyrë europiane.
Çdo regjim i vendos vulën e vet territorit, e ai komunist e rrethoi në danë Tiranën me nji arkitekturë industriale dhe e mbushi me pallate pa fantazi dhe pa origjinalitet, objekte që mund t’i gjeje në Sofje, Kiev apo në Astana.




Nostalgjikët do të jenë gjithnji gadi me amnistue shumë prej ndërtimeve të pothuej pesë dekadave komunizëm, por asnji prej tyne nuk asht në gjendje me sjellë motive racionale për nji gja të tillë, mbasi nuk nisen prej nji logjike të mirëfillte, por prej kujtimesh e përjetimesh, që sado të çmueme nuk kanë vlerë universale.
Ndoshta pjesa ma problematike e të gjitha qyteteve shqiptare vjen me ndërhymjet dhe rishkrimin dhunshëm të urbanistikës dhe arkitekturës gjatë viteve të postkomunizmit. Palëvizshmënisë së disa dekadave i pasoi nji individualizëm pa ide, shpërthime të pakontrollueme, pa strategji kognitive dhe pa nji kontroll racional. Rrugët suburbane dhe rrjeti qytetës u mbush me kompozime primitive, të tipit “shto miell e shto ujë”, dhe ajo çka asht ma e keqja u dhunue hapsina.
Hapsina asht frymëmarrje dhe i jep hijeshi edhe shkretnimit të vorfnisë, pohonte njiherë Jean Baudrillard. Tek ne, tash sa dekada, i kanë shpallë luftë hapsinës, lulishteve publike, oborreve të shkollave, trotuareve, rrugëve, vorrezave, parqeve, kodrinave. Hapsina kryesisht asht zanë prej nji urbanistike horizontale, pa frymëmarrje, pa ide, pa shije estetike dhe shpeshherë jofunksionale.

Urbanistika dhe arktitektura shqiptare janë kthye në nji “pidgin” të shëmtuem kompleks që shumëkend e ban nostalgjik ndaj shëmtimit të thjeshtë primordial, rural dhe industrial, që mbizotnonte kudo ma parë.
Sociologu urban Chombart de Lauwe ka përcaktue nji lidhje shkak-pasojë ndërmjet nji ambjenti urban të shëmtuem dhe numrit të shputave që hanë fëmijët.
Rasti jonë e vërteton plotsisht, e shëmtuemja gjeneron dhunë ndaj ma të dobtëve.

E shëmtuemja, si ajo e vjetra si kjo e reja që prodhohet sot, ka idhtarë pafund ndër ne.
E shëmtuemja dhe dhuna: ky asht binomi që na shoqnon. Kur njena pushon, tjetra punon, e kështu me rradhë.
Por le të marrim dy objekte: sheshin Skënderbej dhe Teatrin kombëtar. Kohët e fundit rreth të dyve ka polemika të pafundme.
Ritmet e ndërtimeve me dhe pa leje, kanë zvoglue hapsinat dhe kanë zhdukë sheshet dhe pjacat. Shqiptarët duket se vuejnë prej agorafobisë. Nganjiherë edhe kur konceptojnë sheshe, plasin derisa të vendosin statuja dhe buste të personazheve të tipit të Çeço Sazexhiut apo Trim Sokolit, muzikanta pa pentagram apo patriotë të trafikut të armëve.
Edhe kur e kanë, idenë e simetrisë e kuptojnë si ai që vendoste në banketin e darsmës dy hundështrembtit e fisit ngjitë me njeni-tjetrin. Për disiplinë dhe shkencë projektimi të territorit, për interpretim dhe ndërthurje të elementave hapsinorë as që bahet fjalë.
Kemi nevojë për sheshe, për t’u takue, për me zgjanue kandin e shikimin, për nji thellësi ma të madhe gjykimit. Nji grup studentash kishte ba nji anketë dhe kishte dalë se shumicës së atyne që s’u pëlqen sheshi aktual, e motivonin mospëlqimin e tyne me krahasimet me versionet e përparshme të tij, edhe pse i njihnin veç prej sekuencave filmike dhe fotosh. Ky asht niveli.

Objekti i dytë asht Teatri i mbiquejtun “kombtar”. Në mbrojtje të tij gjejnë arsye me u ba bashkë si e djathta si e majta ekstreme. Kur këto dy segmente janë dakord me njeni-tjetrin, arsyeja dhe logjika gjejnë shumë pak hapsinë krijimtarie.
Pala e parë e mbron teatrin me arsyetimin se e asht ndërtue gjatë kohës së fashizmit etj. etj., e dyta me logjikën se aty janë luejt kryesisht kryeveprat e realizmit socialist dhe aktorë të papamë kanë deklamue artin e asaj periudhe.
Të dyja arsyet janë të vërteta, por disi të mangëta për me i dhanë dinjitet asaj çka ka teprue prej nji periudhe historike që nuk zuni rranjë, fashizmit, dhe prej nostalgjisë për nji art që nuk ishte mirëfilli në shërbim të së bukurës dhe lirisë.
E veçanta e këtyne dy qëndrimeve asht se asnjeni nuk mëton se arsyeja e vet asht e vetmja e vërtetë, por, tue fluturue mbi distancën ideologjike që i ndan, secili i lejon hapsinë edhe arsyeve të kundërshtarit.

Për hir të së vërtetës përveç dy grupimeve të partizanëve me kahe të kundërt, ka edhe të tjerë që janë dyshimtarë, siç asht shkruesi i këtyne rradhëve, pa nostalgji për të kaluemen, por thjesht prej përvojës së maparshme të spekullimeve të pafundme me territorin urban.
As Rama as Berisha dhe as Basha nuk mund ta kenë ndërgjegjen e qetë pse nuk e kanë të pastër.
Sa krime ndaj territorit janë firmosë prej tyne? Sa leje që kanë përçudnue vendin kanë firmosë si kryetarë bashkie apo si kryeministra? Sa ndërtime jashtë kushteve teknike, pa minimumin e kritereve antisizmike janë ndërtue nën sundimin e tyne?

Do të mjaftonte kjo që hepërhe, pa ikë prej skenës politikë këta individë pa kredibilitet dhe pa integritet moral, të mos prishej dhe të mos ndërtohej asgja tjetër.
Historia asht depozitë vlerash dhe borxhesh, historia e këtyne treve, që rreken sa me e shkatrrue e sa me e ruejt nji ndërtesë të rëndomtë siç asht teatri, asht thjesht nji histori borxhesh ndaj shqiptarëve, prandaj asnji prej tyne nuk ka autoritet moral me ba apo me zhba në pikat nevralgjike të vendit.
S’kemi aq shumë nevojë për teatër sa ç’kemi nevojë për hapsinë, ku të mund të lëvizim shikimin pa e kryqzue me të shëmtuemen. Hapsina asht kushti paraprak për me pasë teatër, jo me luejt teatër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.