OPINION

5 vjet ekonomi e papërfillur

07:20 - 15.07.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këto ditë të nxehta korriku dhe gushti do të kalojnë shpejt dhe do të jemi në shtator pas pak. Në shtator 2018, ekonomia jonë mbush pesë vjet në duar të vendimmarrësve të forcave të majta politike në vend. Ndërsa, pas buxhetit të boshatisur të gjetur në shtator 2013, ministri i atëhershëm i Financave veproi me maturi dhe me dorë të hekurt i disiplinoi dhe i shëndoshi gradualisht ato, e njëjta gjë nuk mund të thuhet me klimën e të bërit biznes tek ne. Ajo është bërë tej mase klienteliste dhe hipokrite. Katër vjet e gjysmë më parë, në 1 janar 2014, qeveria futi taksën progresive, duke rritur me 50 për qind tatimin mbi fitimin. Kjo ndikon drejtpërsëdrejti tek llogaritë për fitim të sipërmarrësve të huaj që duan të rrezikojnë kapitalin e tyre tek ne. Gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll, dy investimet kryesore në ekonominë tonë në 5 vitet e fundit, ishin kontraktuar që në vitin 2009. Kemi 9 vjet pa ardhjen e një emri të njohur kompanie investimi.
Qeveria u kujtua shumë vonë për të ulur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në turizëm nga 20 në 6 për qind. Vetëm vitin e kaluar. Katër vite të shkuara kot! Kur sipërmarrësit e këtij sektori kishin 20 vjet që e kërkonin këtë ulje. Megjithatë, turizmi tek ne është rritur fort. Për pese muajt janar-maj 2018, numri i të ardhurve nga jashtë sërish u rrit me 9 për qind, në krahasim me pesëmujorin e parë të vitit 2017. Duke parë dendësimin e grupeve turistike në qendrat e qyteteve tona në qershor dhe dy javët e para të korrikut, ky numër mund të shkojë edhe me 15 për qind i rritur në fund të vitit. Përkthyer në para, mund të jenë 1.5 miliardë euro prurje nga turizmi, ose 150 milionë më tepër se një vit më parë. Por, kjo rritje nuk gëzon shumë, pse është spontane. Qeveria duhej të kishte ndërhyrë në turizëm, jo thjesht me kuadrin rregullator (për të cilin u kujtua shumë vonë), por me kujdesin prej saj për paketat turistike të propozuara nga bashkitë turistike. Nuk e ka bërë në këto 5 vite.
Po të kishte punuar si duhet, numri i të punësuarve në sektorin e turizmit sot tek ne nuk do të ishte rritur me vetëm 8 mijë, por ndoshta edhe 40 mijë vetë! Kjo do të ishte pasojë e vërtetë pozitive për familjet e varfra shqiptare dhe jo deklaratat pompoze nëpër panaire pune se sektori privat ofron kaq apo aq mijë vende të reja, sikur këto vende qeveria t’i ketë rritur në inkubatorë të saj! 80 për qind e atyre vendeve të punës nuk janë për të varfrit keq të arsimuar. Turizmi punëson lehtë në aktivitet turistik në fshat, apo në bregdet. Por për punën përgatitore për këto aktivitete, sidomos për turizmin bregdetar, qeveria qendrore dhe bashkitë kujtohen vetëm në maj, në ditët e përurimit të sezonit turistik veror të “x” apo “y” qyteti. Kjo është papërgjegjshmëri e plotë. Sektori i eksporteve, me rënien e euros në tregun e brendshëm në 8 muajt e fundit është në vështirësi të madhe, por nuk ka asnjë paketë masash të përkohshme lehtësuese nga qeveria.
E njëjta gjë për sektorin e prodhuesve me material porositësi (fasonistët), që punësojnë 60 mijë vetë e kanë potencial ta dyfishojnë këtë punësim, nëse taksa e fitimit u zerohet për një periudhë pesëvjeçare. Përfillja e vërtetë e ekonomisë së vendit ndodh kur ndihmon sektorët më premtues të tij të rrisin kapitalet dhe punësimin. Kjo nuk ka ndodhur në këto pesë vjet dhe qeveria duhet të mendohet mirë pse nuk e ka bërë. Ndoshta duhet ndryshuar diçka në boshtin e mendimit ekonomik të saj. Nëse vërtet shqiptarët janë lehtësuar nga taksat, sikurse butaforia qeveritare e jona nuk lodhet së hedhuri shifra dhe pluhur vezullues deformimi, atëherë përse nuk është rritur konsumi?
Lehtësimi nga taksat ose duhet të shkojë në rritje depozitash (kursimesh), ose në konsum të rritur. Dhe rritja e konsumit është baza për një ekonomi, që të prodhojë vende të reja pune. Kjo nuk ka ndodhur dhe është aktakuza më e fortë për shpërfilljen totale të ekonomisë reale të shqiptarëve, në këmbim të ngritjes së një velloje pseudo-suksesesh në ekonomi. Hiq 97 milionë dollarët e një lobimi politik kryeministror për aeroportin e Vlorës, nuk kemi asgjë konkrete nga investimet e huaja të rëndësishme. Ato pritet të tkurren me rreth 20 për qind (parashikim i Bankës Botërore) për vitet 2019-2020 dhe ky është lajm jo i mirë për ekonominë tonë. Edhe kompensimin me ndërhyrjet në turizëm dhe në eksportet bujqësore nuk po e programojmë dhe ta realizojmë si duhet mbi një plan konkret të paktën 5-vjeçar. Dhe kjo është sërish, papërgjegjshmëri në katror, në planifikim shpenzimesh buxhetore për të zhvilluar ekonominë dhe në ndihmën e mangët dhe mungesën e koordinimit me bashkitë.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.