OPINION

Mallkojnë artistët se nuk mallkojnë dot Bashën

14:31 - 15.07.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur filloi debati mbi Teatrin, dy gjëra ishin anormale për publikun dhe normale për opozitën. E para, ishte krye-argumenti i tyre se në krye të kësaj beteje janë aktorët, dhe e dyta, që beteja bëhej në emër të trashëgimisë kulturore të Teatrit (parti antikomuniste këta).




Në emër të këtyre argumentave, opozita dhe kryesisht seksioni i PD-së për Teatrin, filluan të thurrin ditirambe për aktorët e vjetër e të rinj, për Robert Ndrenikën, Asqeriun, dhe për më të rinjtë, si Xhepa, Derhemi, apo regjisorë si Basha.

Pra, opozita e mbështeti betejën duke pasur kalë beteje aktorët dhe duke tentuar të demonizojë kryetarin e Bashkisë.

Kryetari i Bashkisë hyri në fakt në betejën që e thirri opozita dhe duket se hyri me qejf. Beteja e sikletshme e kryetarit të Bashkisë dhe qeverisë ishte në fakt ligji për transformimn e truallit dhe beteja ligjore për të, dhe jo beteja për trashëgiminë kulturore, apo nevojat për Teatër të ri, apo të vjetër.

Pas një beteje gati dy mujore, sot opozita dhe mbështetësit e saj kanë humbur kuajtë e betejës dhe kauzën për të cilën e nisën, dhe po tentojnë të ndërrojnë kuajtë e betejës gjatë rrugës, duke kaluar nga vlerat e trashëgimisë kulturore dhe nostalgjia e artistëve, tek beteja ku duhet ta nisnin, kuadri ligjor dhe PPP-ja për Teatrin.

Por tani, në vend të merren me betejën ligjore, kanë nisur të linçojnë artistët, ata që deri dje i kishin kalë beteje.

E vërteta është se shumë prej tyre në fakt, më shumë se i bindi Veliaj, i zhgënjeu opozita, dhe panë se po përdoreshin si viagër për pafuqinë e saj. Të rrethuar nga njerëz ordinerë, vjedhës aparatesh fotografike e nafte, vjedhës fondesh publike që nuk ëndërrojnë Teatër, por kthimin e PD në pushtet për të vjedhur dhe njëherë, ata ikën në punë të tyre dhe ranë dakord me idenë e një Teatri të ri.

Fushata linçuese kundër aktorëve tani është më shumë një mllef për pafuqinë e opozitës, se sa një shfryrje për mëkatet e tyre.

Problemi i opozitës është se dhe tani që ka ende kohë të bëjë betejë ligjore dhe të shikojë problemin politikisht, tenton të mallkojë ata që nuk i siguruan dot fitore, ngaqë nuk pranon dot se i ka mundur tek pullë Erion Veliaj.

Banaliteti i akuzave për blerje aktorësh rrezaton më së miri mekanizmin e angazhimit politik në opozitë, skenarin e “Babales”, që duke i dhënë para, mund të bëjë deklarata të rreme, apo gjithë mekanizmin e lobimit të Lulzim Bashës për t’i bërë gjithë gjërat me para.

Dikush duhet t’i tregojë atij idioti që ka plot gjëra në jetë që bëhen dhe pa para, por me zemër dhe ide. Një prej tyre është dhe politika, kur njerëzit të besojnë. Kur nuk të besojnë, është si puna e seksit, që duhet ta blesh. Dhe Lulzim Basha po e ngre gjithë opozitën mbi këtë parim.

E vërteta e hidhur për të është se ai dështoi jo se ishte i fortë Veliaj, por se ai si frikacak zgjodhi ta mundë Veliaj, jo duke i dalë përballë, por duke tentuar të përdorë kauza dhe njerëz që nuk kanë lidhje me të. Dhe njerëzit e vet që futi në këtë betejë, ja bënë pis gjithçka.

Por e vërteta është se në kauzën për Teatrin ka pasur dhe ka qindra mijëra qytetarë të interesuar për transparencën, ka aktivistë qytetarë mes tyre që e kanë sinqerisht, të mësojnë se çfarë po bëhet. Dhe ata janë njësoj të dëmtuar nga mënyra se si opozita ju qas kësaj beteje dhe si po e përfundon atë.

Ndaj kur dëgjoni këto ditë të mallkohen artistët, kur shikoni që tallen me Xhepën apo Asqeriun, kur shajnë Ndrenikën apo ndonjë aktor tjetër, nuk e kanë me ta. E kanë me pafuqinë e tyre dhe me inatin e një njeriu që nuk di ç’të bëjë me dështimin e vet. Mallkojnë artistët se nuk mallkojnë dot Lulzim Bashën që i bën çdo ditë qesharakë. Dhe kanë keqkuptimin që janë dhe trima.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.