OPINION

Interesim i lartë dhe pak pritshmëri nga takimi Trump-Putin

07:45 - 16.07.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që nga njoftimi për takimin mes presidentit amerikan Trump me presidentin rus Putin, ka ardhur në rritje interesimi për axhendën, problemet e mundshme për diskutim, për rezultatet e pritshmëritë konkrete, shoqëruar edhe me vlerësime, kritika e hamendësime të llojeve të ndryshme. Natyrisht, në këtë ndjeshmëri të lartë bën pjesë sidomos edhe grindja brenda perëndimit, që u shfaq edhe në samitin e fundit të NATO-s në Bruksel, që u shoqërua me pyetjen se kush është fitimtari e humbësi i këtij takimi të Helsinkit. Edhe pse në prag të takimit u njoftua për akuzën ndaj 12 punonjësve të shërbimit sekret rus, shoqëruar me aludimet e një anulimi të mundshëm të takimit, duket se takimi do të zhvillohet, sepse për realizimin e tij kanë interes si Trump ashtu dhe Putin, edhe pse përmbajtja e interesave nuk mund të jetë e njëjtë. Natyrisht, Putin ka interes të veçantë, sepse mendon se kështu do të legalizohet statusi i Rusisë si superfuqi botërore, që ka qenë ambicie e madhe edhe personale e Putinit.




Rusia është një aktor i rëndësishëm gjeopolitik rajonal në Europë, por edhe në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ky takim shihet me shumë interes nga Putini si një mundësi e futjes në muze e strategjisë së izolimit të Rusisë, por edhe si një shpresë e çlirimit të mundshëm nga sanksionet e perëndimit të bashkuar e tashmë të grindur. Pavarësisht interesave konkrete të të dy palëve, takimi i Helsinkit vlerësohet si fakt i prevalimit të dialogut para konfrontimit. Nga dialogu fiton siguria, stabiliteti e paqja, fiton ulja e tensioneve dhe kërcënimeve hibride.

Ky takim i Trump me Putin ka si paradhomë zhvillimet në G7, një luftë tregtare jo vetëm me Kinën, por edhe me partnerët euroatlantikë të SHBA, ka samitin e fundit të NATO-s, ku presidenti Trump adresoi përsëri kritikat ndaj aleatëve, sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen, që disa i shtyu të flasin për një çarje përfundimtare apo për fundin e perëndimit, që nuk mund të mos favorizojë Rusinë e Putinin në bisedimet kokë më kokë me presidentin Trump. Natyrisht, duhet kuptuar qartë se, në takimin me aleatët euroatlantikë, presidenti Trump ishte në një mjedis ku shumë gjëra esenciale i bashkon, ndërsa në takimin me Putin ka shumë gjëra që i ndan dhe ato janë vërtet të rëndësishme. Putinit i intereson maksimalisht grindja perëndimit, se ushqen interesa konkrete e të rëndësishme ekonomike e tregtare, por edhe strategjike. Kuptohet që presidenti Trump do t’i kërkojë Putinit përgjegjshmëri të lartë ndaj zhvillimeve botërore, por dhe respektimin e vendit, rolit dhe kontributit të perëndimit dhe SHBA në mbrojtjen e stabilitetit, paqes e sigurisë në zhvillimet botërore, respektimin e ligjit e të drejtës ndërkombëtare. Putini do të deklarohet pozitivisht, sepse interes madhor në këtë takim ka që të bëjë një hap konkret të dakordësuar me presidentin Trump për ndarjen e rolit dhe të fuqisë me SHBA. Putin, si të thuash, në këtë mënyrë legalizon statusin e superfuqisë e rolit të Rusisë në zhvillimet botërore. Dhe momenti i situatës së grindur brenda perëndimit, shihet me interes të veçantë nga Putin, për të përfituar maksimalisht nga ky takim.

Mesazhi që është përcjellë nga Rusia, në prag të takimit është domethënës: se janë duke parë më shumë gjëra racionale në atë se çfarë Trump është duke bërë, por duke e shoqëruar me pohimin, se “ne nuk jemi naivë”. Kuptohet, që një interes shumë të madh Rusia ka të çlirohet apo të lehtësohet nga sanksionet e perëndimit, për veprimet e Rusisë ndaj aneksimit të Krimesë dhe shpërthimit të konfliktit në Lindje të Ukrainës, që kanë ndikuar ndjeshëm në ekonominë e Rusisë, por që për nevoja të stabilitetit të vendit dhe të pushtetit, Putini është përpjekur t’i relativizojë ato. Natyrisht, që në këtë takim të rëndësishëm Trump-Putin do të diskutohet një tematikë e gjerë, ku vend të veçantë do të zërë edhe siguria e aleatëve europianë, por edhe interesat ekonomike e gjeostrategjike të Rusisë në Europë, por edhe çështje të tjera sensitive si kriza siriane dhe e Lindjes së Mesme, çështjet e armëve bërthamore etj.

Natyrisht ky takim vlerësohet si një arritje e madhe për Putinin dhe Rusinë, se shpresohet që pas kësaj, SHBA as nuk do ta injorojë e as nuk do ta izolojë Rusinë. Ky takim i intereson jashtë mase Putinit edhe sa i përket pushtetit të tij në një situatë të brendshme ku ka dhe një problematikë konkrete ekonomike e sociale. Ky takim vlerësohet edhe si mundësi reale bashkëpunimi mes Rusisë dhe perëndimit, që mund të risjellë shpejt Rusinë në formatin e G8. Natyrisht që do të ketë ndryshime reale në marrëdhënien mes SHBA dhe Rusisë, të Rusisë me Europën, por disa çështje sensitive që lidhen me respektimin e ligjit ndërkombëtare të drejtën ndërkombëtare, që kanë prodhuar edhe sanksionet perëndimore, do të jenë një patate e nxehtë. Është fakt që në funksion të strategjisë së superfuqisë botërore Putini, përveç plotësimit të standardeve të nevojshme ekonomike, ushtarake, teknologjike e strategjike, aplikoi dhe strategjinë e shpërthimit të konflikteve të ngrira, siç ishte kafshimi i Gjeorgjisë, që solli dy republika të vetëshpallura të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, aneksimin e Krimesë dhe konfliktin në lindje të Ukrainës, në rajonin e pasur të Dombasit, që do të jenë një patate e nxehtë në marrëdhënien e Rusisë me SHBA dhe Europën. Rusia, do të përpiqet të çlirohet sa më shumë nga ky qëndrim i perëndimit të bashkuar, në të kaluarën, duke ofruar “argumente”, por edhe duke e përdorur këtë situatë grindjeje brenda perëndimit, në favor të përçarjes së qëndrimit të perëndimit, me oferta konkrete të bashkëpunimit ekonomik me interes të veçantë për palët.

Në këtë moment nuk mund të mos tërheqë vëmendjen edhe kritika e presidentit Trump, ndaj Gjermanisë, lidhur me marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2, për blerjen e sasive të mëdha gazi nga Rusia. Presidenti Trump ishte i drejtpërdrejtë, kur foli hapur për vënie të Gjermanisë në vartësi të Rusisë. Presidenti Trump mendon se kjo marrëveshje dëmton çështjen e sigurisë. Në këtë kuadër ka dhe një deklaratë të ekspertes së sigurisë së energjisë në Këshillin e Atlantikut, Agnia Grigos, që ka nënvizuar se gazsjellësi verior 2 bie ndesh me strategjinë zyrtare të BE për sigurinë dhe energjinë.” Nëse ndërtohet ky gazsjellës, Gjermania do të ishte vendi i BE më i ekspozuar ndaj ndikimit të dyshimtë rus. Moska prej kohësh është mbështetur tek biznese dhe ligjvënës gjermanë, për të përpunuar objektivat e veta strategjike – ka pohuar ajo. Madje sqaron se pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, kompani të mëdha gjermane, në lidhje të konsiderueshme biznesi me Rusinë, ishin ndër kritikët më të ashpër të sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.

Kancelarja Merkel i është përgjigjur këtij mendimi e kritike, duke theksuar se marrëveshjet e energjisë me Rusinë nuk e bëjnë Berlinin e shekullit 21 rob të Moskës. Rusia nuk mund të mos ngazëllehet nga kjo grindje e retorikë brenda perëndimit, që do ta përdorë si trysni për lancimin e një politike e strategjie, jo vetëm për të përfituar sa më shumë nga ky takim me presidentin Trump, por që i shërben Rusisë në shumë plane. Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen në këtë prag takimi një deklaratë e ministrit të Jashtëm francez Le Drian, që flet për përpjekje amerikane për të destabilizuar BE. Ai arsyeton se presidenti Trump beson vetëm në marrëdhëniet konfliktuale, apo se përpiqet të shkatërrojë angazhimin multilateral për tregtinë, luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe kundër aktiviteteve bërthamore të Iranit. Ai deklarohet se Europa nuk do të lejojë veten të destabilizohet në asnjë mënyrë. Kjo retorikë realisht i vjen në ndihmë shumë Putinit në këtë takim të rëndësishëm me presidentin Trump. Presidenti Trump, ka pohuar në prag të takimit, se nuk dëshiron ta cilësojë Rusinë as si mik e as si armik, që i shërben, siç duket, të ketë një pozitë komode në bisedimet me Putinin. Megjithatë edhe Rusia, që ndjek nga afër zhvillimet brenda perëndimit, do të shfaqë strategji konkrete në marrëdhënien me SHBA, me synimin që të përfitojë sa më maksimalisht edhe në marrëdhënien me SHBA, por edhe në marrëdhënien me vendet europiane.

Kjo rrethanë mund të favorizojë më shumë Putinin, aq më tepër që presidenti Trump realizon takimin, përveç një grindjeje me aleatët europianë edhe me një luftë reale tregtare me Kinën, por dhe pas një takimi me Kim Jong Un, që deri më tash, nuk ka prodhuar ndonjë gjë konkrete me interes. Në një farë mënyre, me deklarimet dhe veprimet konkrete në funksion të filozofisë “America First”, Trump ka dëshmuar pozitën dhe fuqinë e SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me takimin me Putinin dëshmon se kërkon dialogun dhe jo konfrontimin, se kërkon bashkëpunimin me aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, për të mbrojtur interesat e SHBA dhe aleatëve të saj, por dhe për të përmbushur përgjegjësitë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në zhvillimin e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo strategji e presidentit Trump mban parasysh edhe pasojat e ardhura nga një lloj tërheqjeje amerikane nga periudha e presidentit Obama, që realisht kanë rritur trysninë e Rusisë dhe Kinës ndaj SHBA për rivalitet e ndarje të fuqisë dhe rolit me të. Edhe me këtë takim me Putinin presidenti Trump kompleton pozicionin e SHBA në situatën aktuale në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që udhëhiqet nga marrja e përgjegjësive dhe përgjegjshmëria,, konstruktiviteti, dialogu e bashkëpunimi. Kritika ndaj aleatëve ka brenda dhe nevojën për një angazhim e kontribut më të madh në të ardhmen e në kushtet e ndryshimeve reale në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku do të ketë tashmë edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm. Këto zhvillime duhen kuptuar kështu edhe brenda kontekstit të pasurimit të mëtejshëm të përmbajtjes së modelit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, që ka nisur pas rënies së komunizmit. Në këtë rrugë duket se SHBA po rikonstrukton përmbajtjen e rolit të saj në udhëheqjen botërore. Brenda këtij konteksti duhet kuptuar edhe deklarata se SHBA nuk synon as injorimin e as izolimin e Rusisë. Ky ndryshim nënkupton edhe rishikimin, por edhe plotësimin e rregullave në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve sa më të dobishme e konstruktive. Edhe Rusia nga ana e saj e ka imponuar një rol në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk pret ndonjë dhuratë, por një vendosje të rregullave të dialogut e bashkëpunimit me SHBA. Ky element do të prevalojë në shtratimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë, që realisht do të jene të vështira. Natyrisht, përcjellja nga Rusia, përmes Lavrov e tezës, se kemi hyrë në një rend të ri post perëndimor, ka elementin e evidentimit të ndryshimeve, por edhe të një trysnie reale ndaj SHBA, me interes pragmatik për të përfituar sa më shumë, që nga ky takim.

Rezultate apo marrëveshje të rëndësishme konkrete nga ky takim i parë mes Trump dhe Putin edhe më optimistët nuk i mendojnë dot. Ky takim do të vlerësohet I rëndësishëm sepse shërben për të hapur rrugën e sendërtimit të një marrëdhënieje të re mes tyre, që do të ketë edhe kontradiktat, mosmarrëveshjet, por edhe marrëveshjet konkrete. SHBA ka në favor të saj, jo vetëm potencialet e mëdha konkrete komplekse, por edhe një rol e eksperiencë shumë të pasur në udhëheqjen e zhvillimeve botërore, ndërsa Rusia do të përpiqet të përfitojë sa më shumë edhe nga grindja brenda perëndimit. Ka një problematikë të hapur mes tyre, por që do të pasurohet edhe nga zhvillimet në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Natyrisht, që mund të gjendet mundësia edhe e nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje mes tyre në këtë takim, ku mendohet të jetë çështja e shtyrjes së afatit të traktatit bërthamor New Start, që ka hyrë në fuqi në vitin 2011 dhe që përfundon në vitin 2021. Nga interes nga të dy palët për ta shtyrë afatin e këtij traktati, të paktën edhe për pesë vjet të tjera, sepse u krijon të dy palëve më shumë transparencë. Edhe pse presidenti Trump e ka vlerësuar më parë këtë marrëveshje, të keqnegociuar nga ish-presidenti Obama, mendohet se do të mundësohet një dakordësim për shtyrjen e afatit. Megjithatë, zhvillimi i këtij takimi mund të vlerësohet vetëm pozitivisht, sepse i shërben dialogut dhe bashkëpunimit në interes të sigurisë ,stabilitetit dhe paqes ne botë.

Më 15 korrik 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.