AKTUALITET

“Intervista e Ditës”/ Vettingu me dy standarte? Gazetarja: Ka zëra që flasin për një listë paraprake

20:16 - 17.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Procesi i Vettingut do të kërkojë ende kohë për t’i dhënë Shqipërisë reformën në drejtësi, aq shumë të kërkuar si nga qytetarët ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.”




Kështu shprehet gazetarja e kronikës në News24, Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun.

Kjo pasi deri më tani janë vetëm 30 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar në sitën e Vettingut, ku një pjesë e tyre janë gjetur me parregullsi.

Një ndër ta është edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili pas 26 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë, u zbulua se ishte dënuar në Itali në vitin 1999 për vjedhje. Sipas gazetares së News24, ky është një rast flagrant për Drejtësinë në Shqipëri, duke shtuar se si një gjyqtar që ka kaluar nëpër të gjithë sistemin dhe që ka vendosur për çështje nga më të rëndësishmet, nuk është konstatuar një vendim i formës së prerë që rëndonte ndaj tij që nga viti 1999.

Lala nënvizon më tej se në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka pasur akuza dhe dyshime se KPK ka vepruar me dy standarte. Duke u ndalur tek pasuria e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe justifikimet që ato kanë për pasurinë, Lala thotë se të tilla vendime ngrenë hije dyshimi mbi punën e komisionit.

Madje ajo thotë se ka zëra që flasin për një listë paraprake nga ana e KPK-së, duke theksuar se diçka të tillë ajo refuzon ta besojë.

“Ka gjykatës që u janë pranuar justifikimet e pasurisë. Dhe cilat janë justifikimet? Ka prokurorë dhe gjykatës që thonë kemi marrë hua, kemi para nga emigracioni. Dhe disa prej këtyre u janë pranuar këto justifikime, dhe disa të tjerë jo. Unë refuzoj të besoj, siç qarkullojnë zëra se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po vepron sipas një liste të caktuar. Por refuzoj ta besoj! Në disa seanca, mjafton të jesh aty dhe të shohësh mënyrën se si komisioni relaton çështjen, për të kuptuar nëse gjyqtari apo prokurori do të ngelë në sitën e vettingut ose jo.” thekson në fjalën e saj gazetarja Klodiana Lala

Sa i përket të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”, gazetarja shprehet se për t’i parë ato pas hekurave, do të duhet të presim sërish, të paktën deri në ngritjen e institucioneve të Vettingut.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Perderisa eshte shkataruar gjyqesori, nuk duhet te funksionoje edhe qeveria
    Kush ja jep te drejten qeverise te beje cfare te doje?
    Te huajt e dredhin sepse gjysma e tyre jane sorosiane

    Përgjigju ↓