OPINION

Diplomacia parlamentare, jetike për negociatat

07:25 - 25.07.18 Dr.Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gati një muaj më parë, fill pas vendimit mbi shtyrjen për vitin e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit në BE bëri përshtypje një bashkëbisedim i Kryetarit të Kuvendit, zotit Gramoz Ruçi me përfaqësues të medias dhe shtypit. Kjo kryesisht për theksimin e veçantë parlamentar mbi këtë moment madhor politik; larg zhurmës dhe bujës, si gjithnjë “me këmbë në tokë”, në vend të etiketimeve bajate për “ sukses” apo “dështim” aty u pohuan sfidat reale deri në çeljen e negociatave, duke nënvizuar angazhimin e veçantë të Kuvendit edhe me “diplomaci parlamentare”.




Ky angazhim cilësisht i ri i Kuvendit diktohet nga fakti se përpara ndezjes së dritës jeshile për çeljen e negociatave do të kërkohet miratimi dhe nga parlamentet e vendeve anëtare e jo si deri më tani vetëm nga 2 – 3 të tilla.

Veç “gjynaheve“ tona kjo procedurë që zbatohet për herë të parë për çeljen e negociatave është pasojë dhe e “luftës së bërrylave” për më shumë pushtet ndërmjet vendeve anëtare dhe Komisionit/Parlamentit Evropian ose ndërmjet përqasjes “ndërqeveritare/kombëtare dhe asaj supranacionale.

Kjo prirje po forcohet me përshkallëzimin e forcave populiste dhe ekstremiste dhe si sanksion ndaj “tiranisë dhe burokracisë së Brukselit” të përfaqësuar sipas tyre nga Komisioni dhe deri diku dhe Parlamenti Evropian.

Franca, Holanda, Danimarka, në një masë më vogël Gjermania e më vonë ndoshta dhe ndonjë vend tjetër janë mbështetës kryesorë të kësaj rryme.

Për pasojë, fuqinë reale në procesin e zgjerimit më shumë se qeveritë dhe ministritë e jashtme do ta kenë parlamentet e tyre, si përfaqësuese të zgjedhura e që duan të jenë aktive dhe për aspekte të tilla të nxehta dhe shumëpalëshe, si azili, emigracioni, korrupsioni, droga dhe krimi i organizuar, të cilat i referohen gjerësisht edhe Ballkanit Perëndimor.

Kësisoj, krahas vazhdimit të punës intensive me Komisionin, Parlamentin Evropian, qeveritë dhe diplomacitë e vendeve anëtare do të na duhet dhe më shumë “to make the case” pra t’u mbushim mendjen me rezultate konkrete edhe parlamenteve të tyre. Mirëpo, këto të fundit dhe deputetët e tyre nuk impresionohen nga tabelat statistikore dhe shifrat krahasuese me të kaluarën, por nga perceptimi publik për problemet në fushat e lartpërmendura përkundrejt standardeve dhe pritshmërive përkatëse.

Gjithashtu, me parlamentet dhe deputetët kërkohet punë e vazhdueshme “kokë më kokë” dhe në shumë fronte, proces ky i mundimshëm e që kërkon kohë, me plot të papritura dhe të panjohura. Rasti i polemikave apo dhe i ndonjë incidenti me deputetë të veçantë në ndonjë prej vendeve të lartpërmendura dëshmojnë qartë për këto vështirësi.

Kjo ndodh dhe sepse deputetët e huaj, në opozitë dhe mazhorancë nuk i binden kurrkujt lehtë, ca më pak apriori dhe pa argumente bindëse; zëri i tyre dëgjohet me vëmendje dhe merret parasysh gjatë vendimmarrjes edhe kur janë në pakicë; sepse krahas votës dhe numrave kanë rëndësi parësore mesazhet dhe alternativat, sepse nesër të gjithë do të ballafaqohen me elektoratin dhe pakica mund të kthehet në shumicë.

Ndaj, ky hendek dhe këto sfida nuk mund të përballohen pa përfshirjen efikase të Kuvendit tonë, sado mirë të ecë puna me institucionet e tjera.

Lajmi i mirë këtu është se strukturat, formatet dhe mundësitë dy dhe shumëpalëshe të Kuvendit tonë janë të mëdha dhe të larmishme; çështja është si ato të aktivizohen në mënyrë optimale, pa rënë në dublime dhe pa i kthyer deputetët tanë në zëdhënës të qeverisë çka do ta komprometonte procesin.

Në respekt të përpjekjeve në proces nga Kuvendi dhe në këtë fushë dhe mbështetur në përvojën e gjatë në shërbimin e jashtëm, ku dimensioni parlamentar ka qenë përherë i pranishëm, më poshtë po japim disa sugjerime praktike.

Së pari, ky proces fillon me komunikimin me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së me një letër të Kryetarit të Kuvendit për homologët e tij, me dëshirën për vendosjen e një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes strukturave përkatëse.

Në vijim, këtij qëllimi do t’i shërbejnë takimet e vazhdueshme ndërmjet kryesive, grupeve parlamentare, të Komisionit të Jashtëm e të Integrimit, të drejtësisë dhe punëve të brendshme, etj. me homologët e tyre të huaj, sidomos me parlamentet e vendeve skeptike; kësisoj, do të ndërthuren axhendat përkatëse dypalëshe me secilin parlament të vendeve anëtare të BE-së.

Rol të veçantë e të spikatur kanë Grupet Parlamentare të Miqësisë me vendet e ndryshme. Tani është momenti që këto grupe dypalëshe dhe sidomos drejtuesit e tyre të vihen më mirë në lëvizje, si aktorë kryesorë dhe me besueshmëri më të madhe. Avantazhi i tyre është se aty ka deputetë dashamirës dhe me ndikim të madh në krijimin e opinionit pozitiv. Kështu, ministri i Brendshëm Federal belg Jan Jambon ishte deri vonë anëtar i këtij grupi bashkë me deputetët të tjerë të Partisë nacionaliste N-VA në pushtet. Falë edhe marrëdhënieve miqësore të krijuara nga Kuvendi dhe ambasada jonë në Bruksel në vazhdimësi e jo vetëm kur “ishim në hall” edhe me deputetë të N-VA-së, ajo e ka mbështetur gjithnjë integrimin tone në BE.

Ky dhe shembuj të tjerë që tregojnë rëndësinë e madhe të krijimit me kohë edhe të marrëdhënieve miqësore informale dhe personale me deputetët e huaj, larg paragjykimeve partiake dhe polemikave të panevojshme e pa “bereqet”; shpesh kjo bëhet vendimtare në përshpejtimin e mirëkuptimit dhe besimit reciprok parlamentar.

Forma të tjera të dobishme që ndihmojnë për ta mbajtur gjallë këtë frymë të përhershme komunikimi janë forumet ndërkombëtare e rajonale parlamentare, takimet e kryetarëve dhe drejtuesve të tjerë të lartë të Kuvendit me homologë të tyre, prania krahas formave të tjera të bashkëpunimit me to e deputetëve në përbërjen e delegacioneve të kryesuara nga Presidenti, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, etj. Por kjo jo për “ dekor” por si pjesë jetike e tyre. Për këtë qëllim, në vend të protagonizmit të tepruar politik kërkohet më shumë iniciativë, fantazi dhe krijimtari.

Avantazhi tjetër i Kuvendit është se aty e rreth tij ka ish-ministra të Jashtëm e të Integrimit Evropian, ish-ambasadorë dhe ekspertë të politikës së jashtme, sigurisë dhe diplomacisë, fjala dhe imazhi e të cilëve zë vend kudo.

Informimi i ndërsjellët përbën frontin tjetër tejet të rëndësishëm për të mbajtur në korrent parlamentet e huaja për zhvillimet në vendin tonë. Por, kujdes, në këto njoftime të mbizotërojë krahas arritjeve pozitive edhe puna që bëhet për kapërcimin e mangësive, pengesave dhe vështirësive të ndryshme e jo vetëm për “bëmat”.

Gjithsesi, veprimtaria e këtyre strukturave dhe formateve është vetëm gjysma e punës. Për të patur efektivitetin e duhur, kërkohet detyrimisht bashkëpunimi efektiv dhe jo vetëm me fjalë e deklarata mediatike i partive politike parlamentare. Natyrisht secila prej tyre ka dhe shpreh interesat dhe këndvështrimet e saj dhe në vizita, takime dhe forumet e lartpërmendura; por, nëse duam që negociatat të çelen sa më shpejt, pa mohuar dhe anashkaluar vërejtjet dhe alternativat e opozitës, kjo e fundit duhet të tregohet më e kujdesshme politikisht duke filluar nga gjuha dhe zhargoni i saj politik. Pa hequr dorë nga oponenca konstruktive fryma e veprimit të saj duhet të jetë nxitja e vendeve të tjera dhe ndikimi për një perceptim sa më pozitiv te partnerët tanë për këto negociata.

Por dhe shumica parlamentare ka vend të jetë më e përmbajtur, të respektojë idetë dhe mendimet e opozitës, të shmangë karshillëkun dhe qëndrimet “majë më majë”. Ndryshe, “në vend që t’i vëmë vetullat, do t’i nxjerrim sytë” këtij procesi. Le ta themi troç se në mungesë të dialogut politik me opozitën, çdo lobim apo demarsh tjetër do të jetë i pavlefshëm. Shembull pozitiv në këtë fushë është Kroacia, ku gjatë dy dekadave të kaluara, anëtarësimi në BE dhe NATO u bë ura madhore bashkuese e forcave politike.

Së fundi, avantazhi tjetër krahasues i Kuvendit është se për shkaqe të ndryshme, drejtuesit e tij më të lartë nuk janë të ekspozuar dhe të ezauruar me fjalime, intervista, polemika dhe takime brenda e sidomos jashtë vendit, veçanërisht në fushën e integrimit. Pavarësisht nga debatet dhe incidentet parlamentare, veç ish – Kryetarit të saj, tashmë President i Republikës, Kryesia e Kuvendit mbetet pika kryesore e referimit dhe bashkëpunimit ndërpartiak, brenda dhe jashtë vendit.

Le ta ilustrojmë këtë me dy shembuj. Në muajin mars isha i pranishëm në një takim pune rajonal me ftesë të Parlamentit Evropian me një grup me deputetë të zgjedhur për herë të parë nga të gjitha forcat tona politike. Imazhi që ata krijuan me përgatitjen, diskutimet dhe qëndrimin e tyre politik ishte tejet pozitiv për mikpritësit e tyre dhe të tjerët.

Shembulli tjetër i këtyre ditëve të fundit është nisma domethënëse e vlerësuar e zotit Gramoz Ruçi për vendosjen e bustit të opozitarit brilant, Kryetarit legjendar të Kuvendit, zotit Pjetër Arbnori; një akt i mirëpritur simbolik dhe jashtë vendit, shembull i spikatur i emancipimit politik, parlamentar dhe qytetar që besojmë të mos jetë i fundit.

Ja përse zëri, mendimi dhe veprimi i diplomacisë parlamentare të Kuvendit, në drejtim dhe bashkëpunim të ngushtë me aktorët dhe faktorët e tjerë të lartpërmendur me siguri do të jetë më i freskët, më i besueshëm dhe për rrjedhojë më efikas.

Natyrisht, suksesi i saj kërkon si kusht paraprak ecurinë e reformave brenda vendit, ku sërish Kuvendi ka rolin e tij të pazëvendësueshëm dhe të procesit përgatitor për çeljen e negociatave me Komisionin Evropian nga ana e qeverisë/diplomacisë, pa e fetishizuar këtë atë dhe jo si “skllevër” datash.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.