OPINION

Mësymja fiskale në bregdet

07:45 - 25.07.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tatimorët tanë zgjodhën pikun e sezonit veror për të vendosur autoritetin e shtetit dhe forcën e ligjeve tona fiskale mbi një aktivitet që në pak më shumë se dy muaj (1 korrik-25 gusht) realizon një xhiro prej 800 milionë eurosh në bregdetin tonë. Dhe rreth 85 përqind të tij, në zonën Durrës-Shkëmbi i Kavajës dhe Vlorë-Sarandë. Kryesisht, kontrollet masive u realizuan në Sarandë, Ksamil, Himarë dhe Dhërmi, ku u bllokuan 11 hotele, të cilat figuronin të paregjistruara në organet tatimore, si dhe u gjobitën rreth 45 përqind e bizneseve të kontrolluara.




Nga njëra anë, mirë bënë që kontrolluan. Mirë se erdhën në një territor pak të parë nga syri i shtetit tonë në gjithë periudhën 1990-2017! U qoftë falë djersa e derdhur nëpër kontrolle në këtë vapë përvëluese! Por një pyetje lind natyrshëm: ku ishin deri tani kjo farë sokolash? Çfarë bënin kur në bregdet bëhej kërdia në vitet 2016 dhe 2017, me çmimet në qiell dhe trajtim të diferencuar mashtrues për shumë turistë të huaj, që nga çmimi dyfish i shezlongëve i dhënë kundrejt një letre bakalli si faturë e deri tek një birrë korona dhjetë mijë lekë të vjetra? Apo vjet ishte vit zgjedhor? Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, thotë populli.

Por, edhe pse zaret u hodhën në 25 qershor 2017 dhe i kishin të gjitha mundësitë të ndalonin abuzimin në bregdet edhe në fillim të korrikut të vitit të kaluar, nën dehjen e fitores, nuk e bënë. Nuk e kryen as edhe në muajt mars-maj 2018, kur bëhen përgatitjet për sezonin veror turistik. Dhe kur dhëmb më pak, ose dëmi në imazh i vetë kësaj industrie kaq delikate nuk është kaq i madh. Kur, në rast se dëshiron të mos i prishësh sezonin sipërmarrjeve me më të ardhme në ekonominë tonë, ato turistike, ashtu edhe gjysmë formale e me probleme të mbartura kapicë sikurse janë, jo vetëm për faj të tyre, mund të nisësh kontrolle paraprake dhe parandaluese. Sikurse u bë gjatë gjithë gushtit 2015, me aksionin anti-informalitet. Por jo. U vendos pikërisht në pik të sezonit, pikërisht atëherë kur dhëmb më shumë, kur edhe ndërhyrja merr formë të shëmtuar, nga prania masive e turistëve të huaj e vendas nëpër plazhet tona.

Edhe njëherë, u bë mirë që u ndërhy më në fund! Mirëpo përgjegjësia e një indiference gati trevjeçare nuk mund të anashkalohet. Tani që goditja u dha, duhet të ndodhë transformimi. Duhet një trajtim sa më dobiprurës për sipërmarrjet e kapura në shkelje të ligjit, dhe jo të shihen ato si armiket e popullit. Duhet që tatimori të mos peshkojë në ujë të turbullt dhe të “favorizojë” ato subjekte(kompani, motele, hotele, restorante, etj.) të gjobitura që i paguajnë nën dorë. Kanë ndodhur rëndom raste të tilla në të kaluarën dhe nuk është aspak keq t’i fryjmë kosit tani, që jemi djegur nga qulle pas qullesh. Dhe kryesorja, Ministria jonë e Financave dhe Ekonomisë duhet të dalë me një plan të qartë masash jo vetëm dënuese, por edhe këshillimesh dhe orientimesh për sipërmarrjet që jo qëllimisht janë kapur në shkelje të ligjit. Sigurisht që është shumë e vështirë të kuptosh kufirin gati të padukshëm të qëllimit nga mosqëllimi dhe pakujdesia jo fajtore në një shkelje fiskale. Por duhet bërë, se bëhet fjalë për sektorin më jetik të ekonomisë së vendit, të cilit i takon pazgjidhshmërisht e ardhmja, në rast se nuk e keqtrajtojmë dhe e mbysim administrativisht ende pa u rritur plotësisht, sektorit të turizmit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.