KULTURË

Në Butrint si popull i teatrit…

13:00 - 29.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Përparim Kabo  – Pak histori…U mbush më shumë se gjysmë shekulli që kam hyrë në teatër, është fat, gëzim, është edhe mençuri, të rritesh me teatër sepse skena të mban pezull me emocion, të pastron, por mbi të gjitha të bën të mendohesh, jo vetëm gjatë shfaqjes, por edhe kur largohesh nga salla. Prej 16 vitesh, ose më saktë nga viti 2000, në kapërcyell të mijëvjeçarit, dy njerëz Alfred Bualjoti dhe Edmon Xhumari menduan ta risillnin teatrin në shtëpinë e vet, në amfiteatrin e Butrintit. Një ide ndriçuese. Janë bërë më shumë se 18 vite. Me dy vite ndërprerje për shkaqe monetare, ndaj këtë vit u zhvillua edicioni 16-të. 8 korrik 2018 nata ka rënë e plotë, liqeni Butrintit dremit bashkë me shpirtrat e nëndheshëm. Nga hyrja kryesore në qytetin antik të Butrintit të bëjnë udhë dritëzat e kuqe anash rruginave të ngushta deri sa mbërrin tek amfiteatri. Monumenti i gurtë është i mbushur plot e përplot me shqiptarë dhe të huaj… si asnjëherë më parë… Ky fakt na gëzon sepse tregon që njerëzit e duan teatrin dhe teatri vetëm kështu ka të ardhme… Fjala e hapjes e zotit Bualjoti që kumton aq bukur… “nëse ju vini kështu si sonte bindemi se pavarësisht nga vështirësitë, ne duhet ta vazhdojmë këtë punë”. Më tej ftesa e tij për mua që t’i drejtohem publikut të gjerë. Një emocion tejet i veçantë. Të flasësh në Butrint. Asgjë e parapërgatitur. Por shpirti është i ngazëllyer, mendja nuk mund të mos të jetë gati, fjalët e bardha janë në një farë mënyre të edukuara nga dhe përmes teatrit.




Të dashur miq, ne e duam teatrin e në një farë kuptimi ne jemi komb teatror dhe jo komb stadiumesh. Para pak kohësh isha në Dodonë, një amfiteatër gjigant. Jo larg prej Butrintit është Bylisi, Apolonia dhe më tej akoma amfiteatri i Durrësit. Ja përse me rrënjë dhe me histori në jemi një popull teatror. Jemi sonte këtu që të nderojmë dhe Aklepion, perëndinë e qytetit, baptisierin me tetë kolonat, numrin simbol të pafundësisë, më tej është bazila me çatinë e hapur që pret të restaurohet. Le të shpresojmë! E në fund porta e ‘Luanit’, që na kujton kaonët e vjetër. Kur vijmë në Butrint, ne si të thuash jemi edhe në respekt të Jul Çezarit, që kishte letërkëmbim me qytetin, por edhe për të kujtuar komunikimin që kishte Ciceroni dhe Oktaviani me parinë e qytetit. Kjo histori na bën nder, por edhe më të përgjegjshëm për historinë tonë. Pse teatri nuk humbi, nuk u zhduk, pse ai mbijetoi? Mendoj për shkak të tre D-ve…(D)ashurisë, (D)injitetit dhe (D)iabolizmit.

Njeriu nuk jeton pa dashurinë si ndjenjë njerëzore, por edhe për shkakun se dashuria është çimento e historisë. Pa dashuri nuk mund të takosh ëndrrën. Dashuria e shpie njeriun te liria dhe e farkëton si luftëtarin e saj. Dinjiteti lidhet me dashurinë. Në filozofinë e sotme moderne, por edhe më herët, jeta ka provuar se pa dashuri dhe kreativitet, nuk ndërtohet dot personaliteti e më tej akoma, pa personalitet, nuk mund të jesh dinjitoz. Dinjiteti nuk mund të sterilizohet, pasi për rrjedhojë sajohet njeriu i padenjë tek i cili mungojë motivimi, kuraja, shpirti luftarak, etja për ndryshim. Pa këto atribute s’ka dinjitet. Pa vlera dhe pa dashuri njeriu mësoi të hiqej sikur i kishte dhe i mbronte, ndaj ju nënshtrua procesit të diabolizmit. Ja përse teatri lindi dhe u zhvillua. Bashkë me njeriun lindi dhe gënjeshtra. Lindi dhe u rrit një pushtet që është tashmë kaq i vjetër, hipokrizia njerëzore. Ndoshta që kur ajo gjysmëgrua e gjysmëperëndi, Pandora, e solli atë kuti çudirash dhe e hapi për të vënë përballë njerëzimit e në radhë të parë ndaj burrave që duhet të jepnin ato prova e sprova. Nga kutia dolën jeta dhe vdekja, vjedhja dhe gënjeshtra. Kështu, për të zotëruar dashurinë dhe për të veshur dinjitetin e paqenë dhe të pamerituar, njeriu krijoi dhe ushqeu me përrenjtë e së keqes diabolizmin. Këto janë arsyet që e mbajtën gjallë dhe fuqiplotë teatrin, këtë art antropologjik. Këto tri D-të krijojnë “trekëndëshin e Bermudës” për njeriun dhe gjithçka varet nga këndet. Nëse trekëndëshi është barabrinjës, atëherë tri D-të janë nga 60 gradë, por nëse ky raport prishet dhe diabolizmi është 120 gradë dhe dashuria e dinjiteti bashkë 60 gradë, atëherë njeriu shoqëria, ëndrra, gëzimi, e ardhmja, drita janë të mjegullta, janë në rrezik. Ja përse duhet teatri, ja përse lindi dhe përse ekziston. Ballkani është vatra e tragjizmit dhe komedive të mëdha, aq sa edhe vetë fjala dramë që do të thotë lëvizje lindi këtu, në këtë trevë.
Ne jemi krenarë që si popull i takojmë teatrit. Butrinti i ka pasur, i ka dhe do t’i ketë bijtë e vet. Ne jemi sonte bijë të Butrintit. Një popull pa teatrin e vet nuk ka as histori të së shkuarës, as histori të së ardhmes. Është i pafat dhe i verbër.

Shfaqjet…
Shfaqja e natë së parë ishte nga Shakespeare. “Nata e 12-të”, një realizim i Teatrit të Metropolit të Tiranës me regji të regjisorit amerikan Justin Anderson. Konceptimi regjisorial nisur edhe nga fakti që ngjarjet zhvillohen në Iliri ishin trajtuar me ngjyrim tipik shqiptar, ku batuta e kolosit të teatrit ishte simbiozuar me një stil të hollë me humorin tipik folklorik të disa krahinave tek ne… Shpirti i spektaklit ishte fjala aktoriale e Neritan Liçës, e Roza Kostanit e Memet Xhelilit dhe një kaste aktorësh të rinj, që luajnë me shumë profesionalizëm dhe më dashuri e pathos aktorial. Ulje-ngritjet emocionale, loja brenda lojës, dyzimi i personazheve, ngatërrimi fateve dhe dashuritë e pështjelluara deri në qartësimin final, humori deri në dimensione grotesku, veshjet, muzika live dhe vallet ndërtuar nga koreografi Donald Martini na dhanë një kënaqësi estetike dhe emocionale, duke e mbajtur pezull frymën e spektatorit, i cili u përfshi i tëri duke qeshur dhe duke shoqëruar me duartrokitje aktorët. Loja e identitetit të rremë krijon jo vetëm humor, por edhe grotesk. Këtë e gjejmë te Servantesi, por edhe te Shakespeare. Jam ai që nuk shfaqem dhe paraqitem, jo ai që jam. Mbase përtej dukjes mund të ketë një shpirt të njollosur e gri, por mund të ketë dhe dëlirësi, që rrethanat e detyrojnë të luajë me maskën e mosshfaqjes hapur se cili apo cila është. Dashuritë na bëjnë të përçudnohemi. Një natë e paharrueshme për “Natën e 12-të”… në Butrint.

Për Neritan Liçajn dhe Memet Xhelilin…
Në “Natën e 12-të”, ata kanë dy role karakter… budallanë e mençur, që u tregon të gjithëve se jeta dhe njeriu, fati dhe përfitimi, dashuria dhe xhelozia mund të shndërrohen në mënyrë diabolike thjesht në lojë fjalësh… Ky dyzim fjalë dhe përjetim sillte paradoksin dhe kundërrjedhjen e logjikës me veprimin e thënies dhe me kundraargumentin. Neritan Liçaj tregoi me karakterin që krijoi se ju njerëzit e sërës së lartë e lypni budallallëkun tim sa herë doni të qeshni, por kur ai tregohet si mençuri diabolike, dukeni të pazotët ta përballoni, sepse jo gjithnjë ju pëlqen dhe ju gëzon e vërteta.

Mehmet Xhelili na shpalosi një aspekt të ndjerë të Groteskut… Njeri që fryhet si tullumbace yshtur nga tejkalimi i ëndrrës, duke menduar se nga shërbëtor, mund të jetë kalorësi blu i Yllit që ndrin… Loja e keqkuptimeve dhe thyerjeve emocionale e sjelljeve si ngjitje-ulje shkallësh emotive dhe përjetimesh shpalosën një figurë karakteriale tipike shqiptare. Loja e këtyre dy aktorëve më dha shumë gëzim dhe kënaqësi estetike. Komedia që diabolon me komunikimin në një farë kuptimi tregoi se komunikimi është vetë ekzistenca. Kodet e tij janë të shkruara, janë të shfaqura, por janë edhe të pashkruara, janë pothuaj të fshehura, janë gati-gati eterike. Shpesh ndodh që komunikojmë duke mos dashur ta pohojmë atë që ndjejmë dhe kështu krijohen botët imagjinative, hamendësimet paralele. Sajohet sa hap e mbyll sytë një lloj fluturimi me ajrin e dëshirave, krahqielli në fantazi. Kështu kombinimi mbetet ikje, lidhje dhe destinacion mes atij që e krijon dhe figurës imagjinare. Grotesku në thelb është pasja e një ëndrre më të madhe se ti i ke mundësitë dhe besimi se gjithçka është realitet që ti pret ta prekësh.

…Me trupën e Salaminës-Greqi…
Tragjizmi grek me tre korifenjtë Eskili-Sofokliu-Euripidi në skenën e Butrintit përmes monologëve më pikantë të kryeveprave të tyre. Aktorët e trupës së Salaminës derdhën në skenë gjithçka, fjalën e ndjerë, kobin e tragjizmit, komunikimin me zotat, shpagimin dhe pendimet dërrmonjëse kur kuptohet se vdekja veç vdekje sjell. Na përcollën hidhërimin për humbjet dhe ndërtuan në një dekor asket vetëm falë fjalës dhe ndjeshmërisë humbëtira ku bie trupi e shpirti vrasës përballë shkatërrimit të jetëve njerëzore, gjithçka që la gjurmët në skenën e antikitetit. Tragjizmi grek është sa historik, aq edhe kllapues. Ai paralajmëroi se vdekja si vrasje do e shoqëronte njerëzimin në jetë të jetëve. Fatkeqësisht njeriu ishte i ngarkuar me këtë mision barbarie sa kohë që yshtja për pushtet, për zotërime dhe pushtime… por edhe për dashuri të vjedhura apo kurora e shtretër të përdhosur, e shpien njeriun në gjendje të tilla për t’u mos vetëpenguar që të shkojë deri në vrasje… Kanë kaluar po thuaj 3000 vite dhe ja, njeriu nuk u edukua ta braktisë vrasjen… Shpesh tragjizmi grek është i skajshëm… tejet mizor…

Mendoj se kolosët e mendimit tragjik si vepër dramatike e kanë zgjeruar dimensionin frikshëm për të tërhequr vëmendjen dhe vetëdijen e njerëzimit… për ta trembur racionalisht, me qëllim që dora që vret të ndalet, sepse vrasjet vrasje sjellin. Është si një pije e egër, që duhet ta pimë me pika për t’u imunizuar në emër të mbrojtjes së jetës. Ndryshe le të kujtojmë vrasjet e asaj kohe (si ato të Medeas) për t’u bërë esëll dhe për të dalë jashtë kllapisë, e cila brenda njeriut thërret… ‘vrite, vrite, vrite’! Faleminderit regjisorit, dramaturgut dhe kritikut të shquar, Dinos S. Koubatis, që kishte përgatitur performancën! Tragjikomedizmi i antikitetit është universiteti i historisë që pasoi. Dilema ka qenë dhe mbetet të flasësh apo të heshtësh. Historia ndodh edhe nëse ti njeri nuk flet, nuk e ngre zërin, nuk mbron të vërtetën, por ajo që ndodh s’ka si të ketë lidhje me kontributin tënd të munguar… Tek e fundit ti je thjesht heshtja dhe si e tillë je e pafata, je asgjëja që mund të thuash vetëm se kur ndodhte dhe historia më kërkoi kontributin… unë merrja frymë si një kacek pafuqie dhe padinjiteti…! Jam viktima e heshtjes sime, ose plaga e asaj që fola gënjeshtërt. Pas shfaqjes u takova me aktorin që interpretoi Edipin mizor (mbret). Të takosh një mbret-aktor pasi ka qarë i verbër mizoritë e tij, një mbret në gjunjë që zvarritet i mjerë është emocion i thellë. Ishte një interpretim brilant i aktorit Ilias Gatzonidis si shprehje, si gjendje, si fjalë, por mbi të gjitha si dëshpërim. Në zërin e tij mes kujës, pafuqisë dhe pendimit lexoje gjithë universin e humbjes së gjithçkaje, kur kishe menduar se do ta fitoje gjithçkanë. Shpirti njerëzor nuk duhet trajtuar si magazinë e plaçkës.

Një mbrëmje speciale me aktorët nga Shkupi…
Raporti i njeriut me ndërgjegjen, sjellja dhe ndërsjellja. Historia dhe liria. Ndryshimi dhe dishepujt e tij janë gjykatësit apo të gjykuarit?! Ikja apo mbajtja e përgjegjësisë, çfarë janë, gjykim apo shpinkthimi ndaj tij?! Vlerësimi apo nënçmimi i atij që të ndriçon udhën e mendjes, çfarë është mirënjohje apo zhgënjim?! Sakrifica dhe tallja, apo më keq akoma, shpërdorimi i asaj drite të thellë që quhet vetëdije, çfarë është triumf apo gjunjëzim?! E mbifuqishmja dhe mbiempirikja, çfarë janë? Arsye, mendim, teori, logjikë apo thjesht përgjegjësi?! A dimë të ndërtojmë përgjegjësi, po ta mbajmë, a dimë?!
Po të gjitha këto përgjigje alternative vlejnë veçse mitologjia tek figura (heroi dhe kurbani) e Prometheut, ka një simbol të vetëm, zjarrin! A do të mjaftonte që prej tij të dilnin të gjitha veprat dhe aventurat njerëzore?! Regjisori Dejan Projkovski ka rrokur dhe materializuar kumtin universal se përtej zjarrit është diçka më sublime… më frymëzuese, më e anatemuar në gjithëkohësi… e kryqëzuar si mëkatare… është vetë drita …Arsyeja=Dritë… Zeusi u zëmërua dhe i tha Prometheut: “… mirë që ua dhe njerëzve zjarrin, por pse ua dhe edhe grave…”. Akti parë i mëkatimit është popullimi me njerëz që kanë dritën e arsyes dhe jo brinja e Adamit dhe kafshimi mollës së ndaluar nga Eva. Prometheu në shkëmb që vuante dhimbje dhe kafshimin e shqiponjës, për (de)formimin e atyre që ai u dhuroi zjarrin?! Ai zjarr kishte paralajmëruar se njerëzimi do shprishej kur të keqkuptonte dhe keqpërdoronte arsyen… të shpërdoronte dritën… të mësonte të qante sikur po vuante për mëkatet e veta dhe në fakt e gjitha kjo sjellje duke krijuar hipokrizinë… Drita trajtohej në pjesën e sjell nga Teatri i Shkupit titulluar “Njeriu dhe Zjarri” edhe si komunikim e vetëkomunikim, si ikje edhe ngecje nga realiteti, si shikim dhe symbyllje, si vuajtje dhe sëmundje e shpirtit, si paqe tokësorësh dhe ndeshje me zotat. Ky shpërdorim i heroit kërkohet të mbulohet me dhé (e gjithë lëvizja skenike zhvillohej mbi dhé)… por dheu shkiste nuk e mbulonte dot, sepse Prometheu skenik trajtohej si trupi e dritës, si simboli i dritës.
Regjisori e kishte ndërtuar lojën aktoriale me kumtin se “nuk mund të varroset kodi i dritës. Kontrasti i heshtjes me fjalën, i paqes së thellë me zhurmat, i zërave me kolanën muzikore shoqëronin fytyrën dhe pafytyrësinë njerëzore, realizuar mjeshtërisht nga grupi i pesë vajzave. Një shfaqje model për nga konceptimi, nga regjia dhe lëvizja, për nga ndriçimi dhe zhurmat. Ishte e vetmja shfaqje që u duartrokit disa herë gjatë zhvillimit dhe u mbyll me bravooo të gjata në fund. Fat për mua që e ndoqa, aq më tepër në amfiteatrin e Butrintit. Prometheu në Butrint, një materie sa historike po aq edhe filozofike, pse jo edhe për çartje të tjera. Më provokon emri i grupit teatror nga Shkupi, teatri “Fabrika”, i cili guxon me qasje eksperimentale, por që kohën dhe hapësirën e ruan në origjinal, ndërsa sjelljen e konvencionon duke gërmuar në qenien njerëzore larg manierizmit. Është si një lloj rigjyikimi për të takuar mundësitë e panjohura. T’i kthehesh së shkuarës nuk është vetëm kujtesë, ka më shumë një rivlerësim të udhës.

Shërbenjësit e shpërdoruar
Gjithmonë ka pasur njerëz që thirren me bilbil, janë njerëzit që shërbejnë, ata që rropaten e që strapacohen, janë ata që urdhërohen deri në përçmim po nga njerëz; nga ata që mendojnë se lumturia është luksi, është hedonizmi. Ky kontrast jepet me një gjuhë koreografie muzikale dhe pantomime në shfaqjen e trupës së baletit të Teatrot të Operës dhe Baletit Tiranë me koreografinë e Barak Marshall, i cili ka studiuar për teori sociale dhe filozofi. Njeriun që shërben ai e quan ndërmjetësi. Po çfarë ndërmjetëson ai? Botën që duket nga ajo që nuk duket? Luksin shpërdorues dhe njeriun që nuk i mbetet kohë të jetojë jetën? Apo ai/ata janë të tillë deri sa shpërthejnë? Balerinët tanë të talentuar kërcyen dhe aktruan mrekullisht. Një mbrëmje që e pasuroi historinë e jetës së Butrintit antik. Kohët ikin. Ngjarjet rrokullisen. Shoqëria vesh e zhvesh kostum. Zakonet ndryshojnë. Moderniteti krijon dekorin. Po pse brenda njeriut mbetet ngasja për ta poshtëruar po njeriun? Përse ai nevojtari i duket ndryshe dhe jo si vetja, atij pasunorit. Dallimi është vetëm material, sepse i pasuri ka pasuri dhe i varfëri ka krahët? Vetëm kaq? Do ishte gabim i rëndë po të mendonim kështu. I varfëri ka shpirt dhe dhembshuri, ka dinjitet dhe ëndrra, do të dashurojë dhe të krijojë familje, do të lindë fëmijë dhe të sjellë të ardhmen. Po ja që ai nuk konsiderohet. Bilbili jo thjesht i urdhrit, por i zhbërjes së njeriut në nevojë që mendohet si mekanizëm, si vegla që nuk flet, që nuk ka të drejta; e ka depersonalizuar atë. Duket jo thjesht aristoteliane, sepse shkohet edhe më tej.
Trondit si pagane, vjen e errët dhe e frikshme nëse e shohim këtë kontrast si sëmundje të shoqërisë globale. Interpretimi koreografik ishte tejet profesional, harmoni, dinamizëm, lojë teatrore, duete dhe dancing në grup, ku mesazhet përcilleshin me një energji frymëzuese. E them me gojën plotë, ne kemi kërcimtarë brilantë. Shkolla që krijuan Miltiadh Papa dhe Agron Alia, Panajot Kanaçi e Zoica Haxho, Albana Sulejmani e Ilir Kerni, Gert Vaso e Enada Hoxha është një akademi që lindi nga shkolla e Rudolf Nurievit dhe u përcoll në breza. Gjatë shfaqjes aktori maqedonas që interpretoi Prometheun më tha: “Ju paskeni kërcimtarë të klasit botëror. Po – i thash – edhe baletmaestri i parë i trupës së Operës Shtetërore të Vjenës, Eno Peçi është shqiptar”. Duhet më shumë vëmendje ndaj tyre mendova aty pari, sepse edhe artistët e pakonsideruar mund të shndërrohen fatkeqësisht në “Shërbenjësit e shpërdoruar”… thjesht ndërmjetës që harrohen! Ata janë Alisa Gjoni, Rovena Shqevi, Ledia Sulaj, Amela Prifti, Fjoralba Zere, Loreta Bala, Dion Gjinika, Julind Dervishi, Besi Skura, Andi Vrapi, Kristi Dushmani, Anxhelo Muçollari. E them këtë sepse para ndoca muajsh, disa balerinë tanët që kërcejnë në teatrot më në zë të Europës dhe botës dhanë një shfaqje model në Tiranë… porse heshtja institucionale më tingëlloi e hidhur.

At Zef Pllumi në Butrint…
S’e di a kishte qenë më në Butrint më parë po Ati erdhi në amfiteatër nën një qiell të hapur mes heshtjes së publikut sy e vesh dhe frymës së aktorit Arben Derhemi në një monodramë rrëfenjëse impresionuese.

…Fjala e tij na tregon burgun, më saktë burgjet dhe se çfarë ndodhte me njeriun… me atë që burgosej dhe me atë që të burgoste. Ai që kishte prangat në duar dhe këmbë rrihej, torturohej, gjakosej, tallej poshtërohej, por ai sërish mbante shpresën. Donte të ritakonte lirinë. Eh për këtë qëllim fisnik, njeriu ruante thellë vetes dashurinë. I duhej të ushqente kujtimet. I nevojitesh si oksigjeni për atë pak gëzim si dhe për botën shtazore që sillej më humane me të burgosurit se sa shtazët e pushtetit (historia e ujkut në shpellë, e zogjve të pulës në burg dhe e maces që donte të lëshonte shpirtin mes të dashurve të saj). Nga ana tjetër ishin njerëzit e regjimit. Sistemi i kishte bërë veç vegla qorre. Shoqëria e tyre qe kopeja e shërbimit të verbër ndërsa, shpirtnat e tyre, ah ata kishin humbur, qenë sëmurur e kishin vdekur me kohë. Ata shërbenjësit as ishin të lirë dhe as donin e nuk dinin se duhej të ishin të lirë! Po çfarë iu duhej liria?! Ajo kishte humbur brenda tyre, aq sa nuk e kuptonin nëse kishte qenë dikur. Në një vend ku edhe kufoma nuk mund të dilte nga burgu pa shkuar ora dy e drekës që të mbushej ora e plotë e përfundimit të dënimit, si edhe ndodhinë me një nga të burgosurit mik e bashkëvuajtës me atin e shpien të burgosurin Zef Pllumi të thoshte shprehjen ma therëse: “Po mirë, as kufoma të lira nuk ka në këtë vend…”. Tek regjimi ra, edhe Ati po dilte nga burgu. Ai e veshi veladonin e priftit dhe prej shpirtit belbëzoi: “Çfarë pash e lash këtu e di, po a do të gjej njerëz të lirë jashtë?!”… Loja e Arben Derhemit erdhi e ngrohtë, me një përdëllim të brendshëm si një dritë me fitil mbajtur në poçe vaji që mos fikej, me ulje e ngritje të monologut dhe udhëtimit në nënshtresat emocionale. Diagrama njerëzore qe aq e kthjellët dhe pikturoi të gjithë ata njerëz që në një kohë burgu mund të kryenin veç një gjë të thjeshtë, ta tregonin të vërtetën… Peshë e rëndë kjo… Ne që kemi qenë jashtë burgut, ende s’e kemi mësuar ta bëjmë…! At Zef Pllumi e kumtoi edhe në Butrint psaltin e tij… ndoshta për zotat, por me siguri edhe për ne mëkatarët. “Rrëno për me Tregue”, kjo është udha, fati, besa dhe e vërteta që duhet mëkuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.