Kryesore

Veting moral për kulturën…

13:30 - 29.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Fjala më e dëgjueshme, e prekshme dhe e shkruar në muajt e fundit është Vetting. Nëse pak vite më parë ajo njihej vetëm nga pak njerëzit e drejtësisë, që e përditësonin veten me termat, çështjet dhe nocionet moderne, tashmë atë e di gjithkush në Shqipëri. Në rrjetën e saj tashmë kanë rënë njerëzit kryesorë të Drejtësisë shqiptare dhe përveç dy krerëve të lartë të Gjykatave të vendit, anëtarët më të vegjël të këtyre trupave po bien një e nga një. Por, në sitë është vetëm pasuria, kurse në konceptimin e reformës është lënë pas mënyra sesi është vënë kjo pasuri, që do të thotë çështjet e dyshimta për të cilat verdikti ka ndihmuar një palë kundër tjetrës. Dhe, Shqipëria është e mbathur me padrejtësi, të cilat vihen re që nga prona dhe vijojnë në çështjet administrative, civile dhe penale.





Në të gjithë këtë tollovi, njerëzit e kulturës, përveç pak rasteve të veçanta janë këndellur duke qëndruar në dukje larg politikës por duke i shërbyer paq asaj. Ky është fakti, që sapo vjen një forcë politike mbijnë grupi i artistëve që janë pranë një pale dhe fashitet grupi që deri atëherë ka pasur përfitime. Këtë e shikon edhe nga botuesit dhe me radhë, njerëzit e filmit dhe teatrit dhe cilido tjetër, që e gjen duke u përqafuar me aksh forcë politike apo me një tjetër. Me gjasë, pas këtij mandati të Ramës (nëse nuk do të jetë në mandatin e tretë të frikshëm si kryeministër), me shumë mundësi do na mbijë grupi i njerëzve, që do vendosin për tarafet, çmimet dhe projektet e reja. Kuptohet me frazën: Mjaft këta, tashti duhet të vendosim rregull për njerëzit tanë.

Paradoksi më i madh ndodh me njerëzit, që kanë mbi kurriz përvojën e të bërit art në komunizëm dhe tashmë e mohojnë krejtësisht të gjithë veprimtarinë e tyre, që jo pak herë kaq qenë cilësore, brenda atyre kanoneve ideologjike. Flitet për një gamë të madhe artistësh krijues, që pothuaj tashmë i kanë mohuar veprat e tyre, por edhe mënyrën sesi janë krijuar, e ku të gjithë përdorin arsyetimin tashmë banal: Ishte koha apo na detyronin. Askush nuk i gjykon dot, paçka se moralisht gjykimin e parë ua kanë dhënë vetë kolegët e tyre me heshtjen apo mos duartrokitjen…dhe publiku me reagimin e vet spontan.

Por, për një pjesë të artistëve të pas vitit ’90, sistemi i ashtuquajtur i ri, në kuadër të metamorfozës së tyre dhe mohimit të punës së shkuar, konjukturat sollën një minierë të vërtetë për të përfituar projekte pafund dhe për të prodhuar vlera gjysmake. Objekti: një Shqipëri që në artin tonë por edhe në atë që eksportohet paraqitet apatike, kriminele dhe gjithnjë me groteskun, që të duket sikur është një vend i humbur i Ish-Republikave Sovjetike.
Pa përfolur një grup realisht përthithës ndaj asaj që kërkon koha, pjesa më e madhe e artistëve e shtyn duke shfryrë dhe duke u ndërsyer me njëri-tjetrin dhe në përçarje të frikshme, që ti e sheh nga ofendimet dhe nga mali i akuzave që ndahen mesveti. Për fat të keq, nëse e shikon me kujdes, konstaton se shumë syresh janë pasuruar tejet logjikave normale dhe kuptohet kundrejt parimeve në kurriz të përpjekjeve që ka bërë komuniteti i thjeshtë i artistëve për të mbijetuar.
Dhe, ndodh, që ndërsa një pjesë e vogël e artistëve mbijetonin dhe luteshin për role, ka shumë syresh që janë kudo, nëpër aktivitete pafund, pa lënë qoftë edhe asgjë për të tjerët dhe në benefice të shumta.

Kjo i bëri aktorët që të përçaheshin keq dhe t’i kujtonin njëri-tjetrit gjëra që për të tjerët ishin realisht të dhimbshme, për personazhet e tyre të dashur të ekranit.
Por kjo ndodh me botuesit që qahen të gjithë kohën dhe që mirëqenia e pajustifikuar nuk i justifikon në ankesat dhe s’ua pret dot grykësinë mbi çdo gjë.

A do mundet ndonjëherë Vetting të zbresë në kulturë dhe art? Me shumë gjasa jo, sepse Vetting-un në art e bën publiku dhe mbi të gjitha kohëzgjatja e veprës, për të mos thënë një masë publiku që paçka se vuan mungesën e edukimit, di të ndajë të vërtetën dhe të bukurën. Di të vlerësojë artistin që sakrifikon për artin e vërtetë dhe dhuron kulturë, duke e emancipuar veten dhe shoqërinë ku jeton.

***
Një Vetting moral duhet bërë por kjo i mbetet kohës dhe sidomos përsosjes së legjislacionit shqiptar në kulturë, që ende lë shumë për të dëshiruar bashkë me hallkat e të Drejtës së Autorit, cilësisë, etj., por mbi të gjitha moralit dhe dashamirësisë për artin e vërtetë në kurriz të atij mediokër. Shqipëria e të ardhmes nuk do të mund të zhvillohet nëse nuk do mund të ketë një art që të justifikojë vlerësimet e publikut dhe të tejkalojë, por edhe të bëhet nga artistë që kanë një staturë morale dhe mbi të gjithë profesionale. Kjo, në kohën e kaosit publik, nuk është e vërejtur sepse shoqëria jonë është e ngërthyer në padrejtësitë që zbulon nga dita në ditë Vetting-u, dhe që do të dëshironim të zbriste njëherë te njerëzit e artit…Por, nëse Vetting do zbriste në art, atëherë do të shikonim një masë llumi, që nuk bie më poshtë sesa në fushat e tjera të shoqërisë shqiptare…dhe kjo do na zhyste në një trishtim edhe më të madh e të paparashikuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.