OPINION

Në Evropën me tri kategori?

07:30 - 30.07.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndonëse me termin më eufemik “rrathë”, këtë pohoi më 27 korrik në Lisbonë gjatë një debati publik me 500 qytetarë portugezë, kryesisht të rinj, presidenti francez Macron, në prani dhe të kryeministrit Antonio Vosta. Në vijim të fjalimit reformator në Sorbonë vitin e kaluar, ai parashtroi më qartë vizionin e tij për Evropën në 10 – 15 vitet e ardhshme.




Po cili është vizioni që u shpalos në Lisbonë, që do thënë se nuk është hera e parë që përmendet dhe me siguri do të jetë në themel të qëndrimeve të ardhshme franceze?

Macron ritheksoi idenë e mëparshme se pa thellimin e reformave të brendshme të BE-së, ajo rrezikon të humbasë mundësinë për mbijetesë dhe përparim të mëtejshëm. Kjo është domosdoshmëri historike për rinovimin dhe fitoren e projektit të Evropës së bashkuar. Këtë të fundit, Macron e paraqet në formën e një reaktori me tri rrathë koncentrikë e që në të ardhmen do të shtjellohet edhe më tej.

Rrethi i parë do të përbëhet nga vendet anëtare të Eurozonës, si përfaqësuese të Euromonedhës unike të fuqishme, një tregu pune shumë më të integruar dhe konvergjencës së fortë sociale.

Në rrethin e dytë do të jetë BE-ja e tanishme me 27 vendet anëtare si një treg i fortë unik, me politika sovrane, tregtare dhe qarkullim vërtet të lirë të mallrave.

Rrethi i tretë dhe më i gjerë, sipas Macron do të përfshijë vendet midis BE-së së tanishme dhe Këshillit të Evropës. Natyrisht, jo të 57 vendet e këtij të fundit, por ato që plotësojnë standardet; këto vende do të jenë anëtare ose partnere mbi bazën e marrëveshjeve të kufizuara të Asociimit me Evropën e re.

Komponent i ri i rëndësishëm i kësaj kategorie evropiane sipas Macron e ku do të ketë diskutime do të jenë Rusia dhe Turqia, si dy fuqi të mëdha ndërkombëtare, pa të cilat nuk mund të ketë paqe dhe siguri në Evropë.

Kësisoj, do të kemi një Evropë të zgjeruar, të vlerave, duke akomoduar sfidat dhe rreziqet e sotme gjeopolitike, përfshirë ato në rajonin tonë.

Në këtë “kategori” do të përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në procesin e zgjerimit, ndaj mesa duket edhe Franca, por edhe vende të tjera nuk kanë pranuar kurrsesi datë automatike për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi më 2025, ndërsa negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk dihet se kur mund të çelen, sepse qershori 2019 është datë indikative, në vartësi të shumë aktorëve dhe faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm.

Vetëkuptohet që “kategoria e tretë” nuk do të ketë detyrimet dhe përfitimet e dy të parave, por gjithsesi ajo do të karakterizohet nga vlerat dhe parimet e njëjta themelore si kusht për anëtarësimin në këtë Evropë të re.

Tani bëhet edhe më e qartë se pse Franca u tregua skeptike për Strategjinë e re të Komisionit Evropian për Zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Macron e tha troç kundërshtimin e tij ndaj çeljes së menjëhershme të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në Samitin e Sofjes, ashtu edhe në takimin me kryeministrin Edi Rama në Paris. Por, për hir të kortezisë politike, bëri kompromis për shtyrjen e tyre në qershorin e ardhshëm.

Natyrisht, Macron ka hedhur vetëm piketat kryesore të një strategjie tërësore, e cila pritet të jetë objekt i gjerë diskutimesh e pse jo, edhe kundërshtimesh në prag dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të reja vendimtare evropiane maj 2019. Theksojmë se edhe forcat e tjera politike, përfshirë ato populiste, ekstremiste, euroskeptike dhe majtiste po përgatitin platformat e tyre antievropiane, në përpjekje për të rritur ndjeshëm përfaqësimin e tyre në Parlamentin Evropian dhe për rrjedhojë, në institucionet e tjera të saj.

Në këto kushte, Gjermania dhe Franca me partnerët e tjerë do të luajnë si gjithnjë rolin kryesor në mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave, parimeve dhe projektit të ri evropian, ku zgjerimi do të jetë objektiv i goditjeve të mëdha për shkaqe tashmë të njohura, ku edhe vendet tona kanë pjesën e tyre jo të vogël të përgjegjësisë politike.

Ndaj Macron ka muaj që ka dërguar përfaqësuesit e vet “derë më derë” kudo në Francë për të matur pulsin dhe për të parë se cilat janë pritshmëritë e njerëzve të thjeshtë nga Evropa e re dhe përgjigjet më të mira ndaj kambanave të alarmit që po bien në Evropë dhe në botë.

Duke ardhur në vendin tonë, këto dhe të tjera zhvillime të pritshme me avantazhet dhe minuset e tyre lipset të ndiqen me kujdes; veçse pa na dekurajuar e ca më pak të na bëjnë të heqim dorë nga ëndrra dhe aspirata jonë evropiane.

Ndonëse është ende larg periudha kur mund të konturohet Evropa e re e zgjeruar dhe kur vendi ynë të fiksohet përfundimisht në “rrathët, korsitë apo shpejtësitë” e mundshme të Evropës së re, bëhet mirë që puna e nisur vazhdon me ritme të larta.

Siç është thënë edhe më parë me të drejtë, ne i bëjmë reformat në radhë të parë për veten dhe përparimin tonë. Ndaj le të vazhdojmë dhe kur të vije koha, të kemi çfarë të tregojmë dhe jo të biem viktima të koniunkturave politike, që pritet të jenë shumë volatile. Kësisoj, i vetmi variabël i sigurt mbetet puna dhe arritjet tona konkrete, pa zhurmë dhe buje, pa tam-tame, pa protagonizëm bajat për të marrë meritën për suksesin apo për t’ia faturuar dikujt tjetër fajin për dështimin e radhës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.