KULTURË

Christian Thanhäuser: Përse kam kaq dëshirë të vij në Shqipëri?

15:25 - 31.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Poeteka hedh në qarkullim edicionin e pestë të botimeve që përurojnë kulturën përmes kartolinave letrare. Program letrar “PoetryCard” organizohet nga Poeteka dhe mbështetet nga Ambasada e Austrisë në Tiranë (Austrian Embassy Tirana), si edhe partnerë te tjerë. Nisma nxit njohjen dhe leximin e autorëve austriakë në Shqipëri, por edhe paraqet krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri dhe që shkruajnë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën gjermane. Nga ana tjetër programi “Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love” bën të njohur edhe punën e shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorë, të tillë si Arshi Pipa, Lindita Arapi, Admira Poçi, Oriana Kraja Zylja, Majlinda Cullhaj në vijim e të tjerë që do të vazhdojnë programin. Pas suksesit me edicionet paraardhëse të kartolinave letrare, ku u publikuan ballina e revistës “Fryma”, 1944, në të cilën u paraqit një poezi e Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga Ars, botimet vijuan me nobelisten austriake Elfriede Jelinek (2004), e më tej me kartolinën e shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur austriak, Joseph Roth, veshur me kostum tradicional shqiptar, me krijimtarinë poetike në dy gjuhë të shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra. Edition i pestë i botimeve “Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love”, sjell një ese të Christian Thanhäuser. Christian Thanhäuser është një artist austriak i njohur veçanërisht për punimet e tij grafike realizuar përmes teknikës së gdhendjen së dru. Ai është gjithashtu ilustrues i shquar librash dhe botues. Veç këtyre Christian Thanhäuser ka dhënë dhe jep kontribut të çmuar edhe përmes leksioneve të hapura nëpër Europë dhe Kinë, ku ai bashkëpunon me studentë mbi teknikat e artit grafik, bashkorganizon… work-shop-e apo master class-e mbi ilustrimin e librave, një prej të cilave ka qenë edhe në Universitetin e Arteve të Tiranës.




ESEJA E THANHÄUSER
Hedh sytë prapa, në fëmijërinë time dhe shoh si u zgjua kureshtja ime për të huajën dhe se si u skicua rruga ime nga Austria veriore për në Shqipëri. Një ditë Maji me diell në vitet 70-të isha në lundrim mes Patras dhe Brindizit, në ngushticën detare mes Korfuzit e Butrintit dhe pashë për herë të parë Shqipërinë. Bregdeti më la një përshtypje përrallore.

Atëherë vendi për ne ishte i paarritshëm, por unë e dija se më vonë do ta shkelja atë vend. Christine von Kohl, njohësja e madhe e Shqipërisë, ma kishte futur në zemër vendin tuaj e më këshilloi të udhëtoja për këtu. Bëj diçka me të rinjtë. Vend është i mrekullueshëm, pak i njohur, por do ju pëlqejë, më tha. Në Frankfurt takimi i parë me Ardian Klosin, 1994 një mbrëmje letrare shumë prekëse me Kasem Trebeshinën në Ditët e Letërsisë të Rauris-it, unë duhej të ilustroja një libër të dytë të tij për shtëpinë botuese “Wieser”, fatkeqësisht ky projekt nuk u zbatua. Pasi Lindita Arapi, nëpërmjet këshillimeve të Annemarie Türk ishte bursante e Kultur-Kontakt Austria në Ottensheim, na tregoi mua dhe gruas sime Shqipërinë e saj, na njohu me familjen e saj të madhe dhe shokët e saj.
Nga ato takime lindi ideja, që unë të përgatisja një ekspozitë në Tiranë me gdhendjet e mia në dru. Shtangem çdo herë me bukurinë e vendit tuaj, u gëzohem njerëzve miqësorë dhe të sinqertë dhe kjo shtangie mund të jetë pikënisje për vepra të reja arti dhe libra të rinj. Në 1989, pas nxitjes së H. C. Artmann, themelova një shtëpi botuese dhe pesë vite më vonë edhe një rezidencë me bursa për poetë. Lindita Arapi dhe Arian Leka ishin këtu, përveç miqve nga Çekia, Polonia, Hungaria, Sllovakia, Rumania, Lituania, Turqia, Kroacia, Sllovenia, Ukraina, Kongo, Moldavia.

Të rriteshe si unë në banesën e mjeshtërve të lundrimit në Ottensheim, Linz, ishte gjurmëlënëse, njëlloj si rrjedha e Danubit. Shtëpia e fëmijërisë ndodhej në një pikë kryqëzimi të rëndësishëm të rrugëve tregtare mes ujit dhe tokës.

Deri në 1955 ky vend ishte një zonë e pushtimit rus, një vit më vonë u linda unë. Para shtëpisë, mbi Danub, ndodhet një urë e çeliktë dhe sytë e fëmijës ndjekin anijet e vendeve të ndryshme. Vetëm rrallë ndonjëra ankorohej në breg.
Kur ndodhte kjo, flitej menjëherë për kontrabandë shampanje. Mbresëlënës ishin ekskursionet me prindërit në pyllin e afërt të Bohemisë, në kufirin e atëhershëm me Çekosllovakinë me pamje mbi “vendin e ndaluar”. Kjo s‘më la të qetë deri sa mora patentën dhe u nisa menjëherë me makinë për në Pragë, ku ndihej ende e qartë bota e Kafkës.

Përktheu Oriana Kraja-Oriona Kraja Zylja
(fragment nga eseja “Vetëm kufijtë e luhatshëm nuk janë mure”).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.