Kronikë

Vrasja e ish-policit dhe bashkëjetueses së tij, autori ishte pa maskë. Në fillim plumb në kokë, më pas…

10:33 - 31.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad Nikshiqi- Dy javë pas vrasjes mafioze të ish-efektivit të policisë, Boran Bërcana dhe bashkëjetueses së tij 25-vjeçare, Silvana Ndoci, hetuesit e çështjes kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me krimin e dyfishtë që tronditi banorët e Shkodrës dhe jo vetëm. Këto detaje vijnë pak ditë pas deklaratës së drejtorit të Policisë Vendore të Shkodrës, Vehbi Bushati lidhur me ekzekutimin e ish-policit dhe gruas së tij, ngjarje kjo e ndodhur në orët e para të 15 korrikut në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”, në lagjen “Naim Gjylbegu”.




Kreu i bluve, i pyetur për këtë çështje u shpreh se ka disa pista hetimi për të cilat po punohet së bashku me prokurorinë për të arritur tek zbardhja e plotë e saj. Mësohet se nga hetimet e kryera janë siguruar të dhëna të rëndësishme, që mund të shërbejnë për të hedhur më shumë dritë rreth vrasjes dhe autorit të mundshëm të krimit. Sipas burimeve nga prokuroria e Shkodrës, ka dyshime të forta se Boran Bërcana dhe ekzekutori kanë pasur njohje me njëri-tjetrin.

HETIMI
Bazuar në skemën e vrasjes dhe veprimet hetimore, hetuesit dyshojnë se vetëm pak sekonda para vrasjes, Boran Bërcana e ka përshëndetur ekzekutorin e tij duke qenë se ata njiheshin. Gjithashtu, burimet pranë organit të akuzës bëjnë me dije se në momentin kur 30-vjeçari Bërcana ka ecur me makinë e tij tip “Benz” me targë AA 006 HA, për të shkuar tek pallati ku banonte me qira, pak metra përpara se të mbërrinte në destinacion mund të jetë përshëndetur me autorin. Kjo përshëndetje që prokuroria dhe policia dyshon çon në konkluzionin se Boran Bërcana dhe autori kanë pasur një njohje, qoftë edhe të thjeshtë mes tyre. Ish-polici që u vra me partneren e tij me 28 plumba ka vijuar gradualisht rrugën me makinën e tij, duke mos e menduar asnjëherë se i njohuri i tij do ta qëllonte për vdekje vetëm pas pak sekondash.

Sapo makina e ish-efektivit ka ecur pak metra më përpara, autori e ka ndjekur qetësisht jo me hapa të nxituar për të hequr gjitha dyshimet dhe sapo është afruar, ka qëlluar pa mëshirë duke zbrazur nga arma e tij automatike tip gjermane, 28 plumba.

Nga detajet e reja që janë zbardhur, mendohet se fillimisht agresori e ka qëlluar në kokë Boran Bërcanën, por duke qenë se makina ka ecur për inerci, atëherë autori i krimit për të qenë i sigurt ka vijuar të qëllojë me breshëri. Bashkëjetuesja e Bërcanës, Silvana Ndoci mund edhe të kishte shpëtuar, por sipas dyshimeve që ka prokuroria, autori e ka qëlluar edhe atë për faktin se ajo e ka parë në fytyrë dhe e ka njohur atë.

Në këtë mënyrë, për të mos lënë pas dëshmitarë dhe për të humbur gjurmët, atentatori e ka ekzekutuar edhe 25- vjeçaren. Pasi kreu vrasjen, autori u largua duke shkuar në zonën e ‘By Pass’-it të Shkodrës, që është në ndërtim e sipër.

Aty braktisi makinën që rezulton e vjedhur në Kosovë dhe armën e krimit duke i vënë flakën për të humbur çdo gjurmë. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për këtë vrasje të dyfishtë, por ende deri më tani nuk ka diçka konkrete sa i përket identifikimit të autorit të krimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.