Intervista

Sokol Guga: Sfidat i kam me veten, tregu është i hapur

17:20 - 03.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Fundshtatori do jetë i mbushur me surpriza për publikun. Për herë të parë në Shqipëri pritet të vijnë njëmbëdhjetë shtete ballkanike në festivalin “Ballkanika Folk”, që duket se do jetë një sukses i garantuar. Ne patëm fatin të komunikojmë me producentin dhe regjisorin e këtij evenimenti kaq të rëndësishëm. Sokol Guga zbuloi për “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare” magjinë e ditëve të festivalit, përgatitjet intensive që kanë nisur që në janar, çmimet që do rrëmbehen nga shtetet pjesëmarrëse dhe projektet që do pasojnë suksesin në stinën e dimrit. Ai na tregoi për fillimet e tij në televizion, se si e besuan dhe i mbështetën produksionet. Për të, puna është pasioni më i madh dhe objektivi kryesor. Producenti i ka sytë largpamës dhe duket se ritmet intensive të punës i kanë sjellë energji, për të pasur vetëm produkte të realizuara dhe të pëlqyera nga audienca. Sokoli pohon se të qenurit krah Vera Grabockës e ka rritur profesionalisht dhe se ajo ka ndikuar për mirë te ai. Regjisori është detajist, me shpirtin që kërkon të kapërcejë nga projektet e zakonshme për të sjell produkte që publiku të mahnitet. E kaluara për të nuk harrohet. Ajo shënjon një etapë që Guga i rikthehet herë pas herë, ku sheh realizimet e produksioneve të para. Vera mesa duket do jetë e gjitha e mbushur me impenjime, megjithëse koha më e përshtatshme për të pushuar për të është dimri, që do ta gjejë në Qipro. Sokoli nuk di të ndalet. Për teleshikuesit do ketë surpriza edhe tek spektakli “Krishtlindje në Tiranë” një tjetër event madhështor që e lartëson edhe më punën e tij, ku do ketë të ftuar specialë dhe rikonceptim tërësor të skenografisë. Ne mezi i presim këto produksione dhe urojmë që Sokoli të ketë vetëm arritje profesionale.




Ju jeni organizator i festivalit “Ballkanika Folk Festival” në Tiranë. Si po ecin përgatitjet?
“Ballkanika Folk Festival” vjen për herë të parë në Shqipëri. Është një festival i madh ballkanik me njëmbëdhjetë shtete pjesëmarrëse e duhet theksuar se është risi, pasi vjen për herë të parë në disiplinën e valles tradicionale. Festivali do të mbahet në datat 21 dhe 22 shtator në një transmetim të drejtpërdrejtë në platformën televizive “Digitalb”, ku dymbëdhjetë shtetet konkurruese do të jenë në sfidë për pesë çmime fituese. Sigurisht, përgatitjet kanë kohë që kanë filluar. Ne jemi një staf i madh artistik dhe teknik. Kemi punuar shumë për të sjellë një megafestival ku spektatorët shqiptarë dhe telespektatorët nga ekrani do të njihet me vallen tradicionale ballkanase.

Sa e vështirë është të merresh me organizime kaq të mëdha?
Në fakt mua që i vogël më kanë pëlqyer organizimet ose masivitetet në stafe nuk më i kam pëlqyer ndonjëherë gjërat e vogla. Unë edhe në jetën e përditshme kur takohem me miqtë e mi kam tendencën që tavolina të jetë plot. Kënaqësia vjen aty ku ka grupe të mëdha shoqërore, sidomos kur je në shoqëri të mirë dhe me njerëz që i konsideron të afërt. Festivalet e mëdha kanë një risk tjetër, pasi është e vështirë të bësh bashkë dy shqiptarë, jo më të bësh pesëdhjetë veta apo njëqind veta në grup megjithatë më jep një sadisfaksion shumë të madh. Organizimi i një festivali me përmasa të mëdha apo dhe i çfarëdolloj pune tjetër kërkon përkushtim dhe pasion për punën, për artin, në tërësi edhe për kolegët.

Ky konsiston ky festival?
Festivali është konceptuar që të jetë një garë ku do të votohet nga një juri profesioniste ballkanase, që do të thotë që secili shtet do të sjellë një përfaqësues të vetin në jurinë e festivalit, ku nuk ka të drejtë të votojë për vendin e tij. Votimi do të bëhet elektronikisht, që do të thotë secili grup do të votojë në mënyrë elektronike ‘live’ në sallë, pa pasur të drejtën që të votojë për vendin e tij. Grupet do të konkurrojnë për pesë çmime, ku më i madhi prej tyre i përzgjedhur nga ne organizatorët do të jetë ” Çmimi i Lahutës së Artë”, që është simboli ballkanas më i vjetër dhe katër çmime të tjera speciale “Lahuta e Argjendtë”, “Veshja më e mirë dhe origjinale”, “Kërcimtarja/i më i mirë” dhe “Çmimi i produksionit”. Çmimi i parë që përmenda do vendoset ‘live’ nga juria në mënyrë elektronike. Në sistemin elektronik të pikëve ne kemi mundësi që të kemi dhe dy fitues, por kjo nuk përbën asnjë problem. E rëndësishme është të kemi një festival dinjitoz, ku të mos kemi dhe keqkuptimet, të jetë votim korrekt dhe i sinqertë.

Si është fryma e përgjithshme e këtij organizimi?
Përpos dymbëdhjetë shteteve që do të vijnë në Shqipëri kemi menduar të sjellim në Shqipëri dhe dy grupe, ansamblin “Kolo” që vjen nga Bielsko-Biala në Poloni dhe ansambli arbëreshë “Shqiponjat” që vjen nga Italia. Natyrisht, që nuk do të mungojnë dhe të ftuarit specialë nga Shqipëria, po nuk do të doja të zbuloja surprizat që tani. Mund t’ju them që të ftuar do të jenë gjithashtu një ansambël mirditor, që do të luajnë muzikë me çifteli meqë dhe jemi në vitin e Skënderbeut. Ne po punojmë fort që nga muaji janar për të sjellë një festival artistik me vlera të vërteta, ku do të vijë i qëndisur për të gjithë publikun.

Ju keni vite që punoni. A keni ndjerë konkurrencë mes kolegësh regjisor?
Unë nuk ndjej konkurrencë. Nëse i referohemi këtij koncept të them që e ndjej konkurrencën me Sokolin si njeri. Sokoli njeri duhet të punoj shumë që Sokoli artist të eci përpara. Sfidat unë i kam me veten, tregu është i hapur. Gjithsecili ka vendin e tij. Kushdo është i lirë të bëjë festival dhe të prodhojë krijimtarinë e vet artistike.

Sa krenar jeni për produksionet që mbajnë emrin tuaj?
Jam shumë krenar. Në fillesat e mia, spektaklet nuk kanë qenë të këtij lloj niveli. Kam punuar në një televizion lokal për të cilin unë jam mirënjohës Gëzim Smailit, pronarit të “Shijak TV”, i cili më hapi dyert e televizionit dhe besoi tek unë. Më pas u rrita profesionalisht dhe mendërisht, punova me Vera Grabockën si asistent i saj. Rrugëtimi im vazhdoi në platformën “Digitalb” me programet me një shkëputje të vetmen në vitin 2015 në “Tring”. Jam shumë mirënjohës pronarëve të mediave e drejtuesve të tyre që kanë besuar në produksionet e mia. Jam shumë krenar për punët që kam arritur, sepse gjithçka e kam bërë vet, me pasion dhe përkushtim e shpeshherë unë i shoh dhe i rikthehem.

Përpos spektakleve dhe eventeve të ndryshme, cila është ajo gjë që u rrëmben kohën?
Unë mendoj 24 orë për punën. Sapo mbaroj një festival them çfarë do sjell. Unë merrem vetëm me televizionin dhe spektaklin. Më pëlqen shumë puna që bëj dhe u jam mirënjohës disa njerëzve që ma kanë injektuar këtë lloj pasioni.

Përveç festivalit “Ballkanika Folk Festival” në Tiranë, a do të bëheni pjesë e organizimeve të tjera të mëdha?
Unë çdo vit bëj në Shqipëri spektaklin “Krishtlindje në Tiranë”. Me të mbaruar festivalin ballkanik ne do të nisim menjëherë punën për edicionin e katërt të këtij spektakli, ku do të ketë mjaft artist të ftuar specialë, që do të vijnë nga Franca këtë herë me një orkestër prej pesëdhjetë vetash ku mastro Grid Bici do të dirigjoj dhe do të jetë udhëheqës artistik i spektaklit. Këtë vit është një rikonceptim i skenografisë, mezi po e pres.

Jeni mërzitur ndonjëherë me punën tuaj?
Asnjëherë. Mërzitem me individë, të cilët kanë menduar se më kanë penguar. Nuk e di nëse do bëja një profesion tjetër.

I keni planifikuar pushimet verore? Ku do pushoni?
Këtë vit nuk ka pushime verore. Jam totalisht i fokusuar te puna me festivalin. Këtë vit do të pushoj ndoshta pas spektaklit “Krishtlindje në Tiranë”. Do të udhëtoj drejt Qipros, ku ime motër jeton atje prej vitesh. Ndërrimin e viteve do ta kaloj atje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.