MILOSAO

Poezei nga Roland Gjoza

15:30 - 05.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori i njohur sjell një cikël ku përmbledh të gjithë frymën e tij, ku pesimizmi ndërthuret me një lirizëm të hollë për qytetin më të zhurmshëm të botës…




ËSHTË NJË FYTYRË
është një fytyrë e mbetur në numra
një trup
pesa buza jote
dyshi hunda
dhe me radhë tere trupi yt në një numër telefoni të gjatë

sa herë numrat shtyp
petkat e tua në duar
dhe një afsh më vjen nga larg

të zhvesh me një numër
nudo në ajrin vertikal
po asgjë s’është reale

të gjitha shpikjet janë sensuale

po telefonat të pafajshëm

PREJ KOHËSH KAM
NUHATJEN E QENIT
prej kohësh kam nuhatjen e qenit
dhe në kopshtet e paçelur nuhat erën tënde
dhe ne tymin dhe në pluhurin që ngrihet me fashë
të gjitha makinat e Nju Jorkut s’punojnë me benzinë
po me aromën e trupit tënd virgjin
eh, ç’më gjeti me këtë nuhatje qeni
po kam dhe kapelen prej feltri të modilianit
shoh në çdo dru të rrëzuar prej erës
kofshët e tua të mëdha
dhe në kavakët e bardhë
kurmin tënd të lartë qe ngjyhet me agim
s’mund t’i shoh dot gonxhet e paçelura të manjolës
se me trullosin gjinjtë e tu me thithka të pathithura
jam bërë si i marrë
në qoftë se natyra është një çmendinë
unë jam një pacient më pak

SONTE NUK DO TË ECI NË AVENJUNË E MODËS
sonte nuk do të eci në avenjunë e modës
po në ajër
në të gjithë grataçielat qepet ditë e natë dhe filli delikat përshkohet nëpër gjilpërat elektrike
cohërat rrinë në ajër
varur në kremastarë fustanet
ecin në ajër veshjet e vjeshtës
dhe kemishët në ajër
dhe kravatat lidhen në ajër
dhe fletët e vjeshtës në ajër janë duke ecur
dhe unë dua të shkoj në shtëpi në ajër
duke ndjekur ritmin e gjilpërës që qep mbrëmjen
që qep fletët e vdekura në veshjet e stinës
që bien nga pemët
dhe ecin në pasarela
vetëm në Nju Jork nuk vdes vjeshta
po bëhet modë
në ajër eci
të qep dhe unë poezinë
në vend të gjilpërës elektrike
një fletë e vdekur që bie

KJO PRANVERË
kjo pranverë s’vjen si lymi i tutit
një budalla që bënte të gajasej tërë qyteti
këtu në Amerikë
vjen me një vetmi të madhe
te çdo stacion autobuzi
japin këshilla për depresionin
ah, ta kisha atë lymin e tutit
t’ia vija nën sqetull pemet
t’i çelnin në zgjyrën e lëkurës
lule
t’ia jepte me atë pallmën e gomarit
në Manhattan
t’i shante njujorkezët nga nëna!
po s’e kam
s’di ç’të bëj pa të
jam gati të bëhem vetë lymi i tutit
po s’më lë hunda!

EPSHI PO MË
HA E PO MË GRIN
epshi po më ha e po më grin
pak shpirt, pak shpirt merr pjesë në këtë plojë të mishit
dy pranvera do të vijnë sivjet
mund të vijnë dhe tre
s’dalin lulet
as hënat në ujë
bukurinë tënde s’ka kush e zbukuron më shumë
ti bën dhe pa to
pa ty ato s’kanë kuptim
prandaj zoti shpiku artet
muzikën, pikturën dhe vargun
muzika doli nga zëri yt me flatra
ngjyrat e ardhangëta të mishit
janë bojërat e vajit të kanavacës
vargu doli nga ajo thithka e kafshuar
nga pubisi i flakëruar prej zjarrit
pambarimisht digjen e fiken vargjet
prej orgazmës
klithmës së çartur
ohnajës e ahtnajës së shtratit
varkës së shpartalluar
në një det sperme buçimtare
i mjerë poeti para pubisit tënd të flakëruar
të bie në gjunjë dhe të lutet
për gjinjtë e myshkëlluar
me pjergulla rrëzuar
për kofshët mërshore që shkatërrojnë rimat
përgjërohet poeti dhe s’ngrihet
pa iu dhënë ti gjer në frymën e fundit
dhe në djall vargu, rroftë kurmi i gruas!
dhe pas frymës së fundit, ta dish
epshi do të më hajë e do të më grijë si krimb
thërrime shkofsha në varr
epshi dhe baltën ta grijë dhe ta hajë!

ORA SHTATË E MBRËMJES
ora shtatë e mbrëmjes
unë shkruaj
karrocat mondane të nëntëqindës te cirkuid kolomb dhe avenju e pestë
çojnë zonjat në opera metropolitan
mbushen restorantet dhe teatrot te avenju e shtatë
në hotelet e famshëm të americas avenju dhe rockfeller center zonjat me kamelje mbushin dhomat e rezervuara
Nju Jorku i ngjan nje titaniku në oqean
jo si tragjedi
po si farsë
ç’dua unë këtu, moj hënë?
po ti çdo mbi këto rrokaqiej?
në Amerikë as një fustan s’të qepën
të lanë fukara
e kthej me fund dhe më duket se do të kem sukses
kur më del pija dua t’ia heq vetes
veç ti më qetëson
kujtim i largët
hipi tek ti si në një avion dhe shkoj
ora shtatë e mbrëmjes

PO E HUMBJA
po e humbja si qytetërimin e vjetër balta dhe pluhuri
veç sytë i kishin mbetur përjashta
në një stinë të ndritshme
kur mjelma blu e Amerikës së Veriut bënte dashuri në drurë
me mjelmën e kuqe të amazonës
pra, ishte pranverë
po veç me një flatër
tjetrën e kishe marrë ti nën dhe
po humbje dhe sytë
dhe hëna më s’do të dilte netve
fshehur qepallave të tua
dhe dielli
zjarrin do të humbte
prej syrit tënd që mbante ballancën
s’kish më epshe
qenë platitur dhe tufanet
deti me valë të vogla si buzë foshnjeje
ai sy që po e vajzëronte botën
kish kaq shumë poezi
sa vetë esenini ish ngjallur
me smoking dhe bastun në dorë shkonte mespermes parisit
i dehur si maji kur kanë lulëzuar dhe hithrat
ai syri yt ka mbetur ende pa e mbuluar krejt rrënojat
vetëm ai sy mëngjesi
ende pa dalë dielli
kur hëna është nisur për në mbrëmje

MBRËMJA SIKUR ERDHI ENKAS PËR TY
mbrëmja sikur erdhi enkas për ty
me një mjegull si penjuar dhome që rrëshqet mbi gjinj dhe bie poshtë mbi gishtërinj
me yjet që shkasin një nga një si prej një gjerdani të keputur
dhe rreh mbytur një zemër kamelje
me një aromë të merme
ngjitëse
si prej sperme
forma kofshësh buisin prej fundesh dhe lart platiten
me një angushti epshi
zgjaten në errësirë drurët si penise
me një fëshfërimë të mbytur
dhe një vetull vetëtime që çahet
prej një shuplake ajri
pastaj pështjellim prej ndjesish që ndizen
dhe dallgë të mëdha psherëtimash ndezin zjarre në hapësirë
me një ngërç e ulërimë ere
shfaqet hëna si vaginë
ngulur mbi drurët si penise që rrasen thellë
krau krau kërcasin dritaret që përplasen prej korenteve
një qytet pranveror i shpartalluar prej orgazmës së mbrëmjes
dhe shtretërit dalin nga shtepitë
çatitë shqyhen
nga oxhaqet shungullimë e tymit të mishit nxin
fushqeta shpërthejnë prej fërkimit
një klithmë me pupla përpëlitet
në buzë të agimit
si një qarje prej ngjyre drita e parë mbi ujëra bie

ME NATËN KAM PUNË
e lashë mëngjesin
dhe mesditën
me natën kam punë
s’ka njerëz
të gjithë flenë
fillikat i vetmuar endem nën yje

anjë yll s’fitova në jetë
po yje të rremë sa të duash
thonë atje lart më presin shpirtrat
unë pres të më dalin
flatrat nën sqetull

do fluturoj?
kurrë s’fluturova në jetë
po si krimb u zvarrita dhe si krimb po e mbyll
në një rrokaqiell në manhattan
në një rrugë të madhe
që i thinë fashion avenue

po s’jam i trishtuar
as i zhgënjyer
sa frymë nuk lindën dot?
unë e pata këtë fat
të shoh më në fund amerikën
dhe steve jobs

jo
s’është pak
po vonë është për mua, tepër vonë
të ndërroj fjalën e bukur me dollarin
po duhet ndërruar
që të më heq kapelen
dhe të më nderojë
mister morgani

njerëzit flenë dhe unë i vetëm
pres të marr pasaportë nga nata
dhe të nisem për andej
ndoshta udhës takoj Krishtin
unë ngjitem
ai zbret

atje poshtë prap e pret ndeshkimi
populli si dele
që thirri dje Mesia
do ta kryqëzojë në shtyllë përsëri


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.