MILOSAO

Qyteti i dhuratave

16:30 - 05.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sokrat Paskali
I.
Qyteti është një medaljon në qafën e qiejve
Varur në ujra që rrjedhin
Krijuar nga jermi i lutjeve të praruara me dritë-ylli
Te zoti i njeriut
Qyteti i ngjan me etazherin në dhomën e ndenjes
mbushur me dhurata bërë gjithë klas
dy të munguara nxijnë e ndrijnë
penda e babait dhe ora e kurdisur e nënës
njera drita e diellit tjetra hojet e hënës
sa do ti doja ato të dyja
aty
penda –si piramida varr më ngjan
e mbushur me libra cep me cep
ç’bibliotekë
për djep
ora- kambanë e katedrales
që celebron
kur është herët a është vonë




II.
një e çarë në qiell rrjedh mes përmes rrëke
Pa peshq të kuq me nge
Gjallesa të padukshme fshihen
Në dy anë betoni
Si ushtrime aluvioni
Rrotull xixëllonja duken në maj
Mbi pasqyrat e dhuratave gjithë admirim ç’nur
Shqetësuar nga e panjohura që të djeshmen u djeg
Dhe të ardhmen u ngrin
O zot sa i ri është ky qytet
Gulçi si rrëkeja nga e çara e qiellit pa ngut del në çdo fyt
Kur kapërcehet kuptimi i ujrave që rrjedhin
Është poezi
Jermin galarte sjell kur lutja prarohet
Atëherë në medaljon shenjë u la
Varur nëpër ujra në qafën e zotit të njeriut
Qytetit i kanë harruar kuptimin e emrit
Dhe ai është i tronditur nga amnezia
Për flokësh kapen si shemrat etimologjitë
Xhindoset xhinsi nga xhindet
Pastaj zbutet në polis për ditë
Enigma mëkon mëndeshën
Ujërat rrëkeja e stisur nga e çara e qiellit pa jerm
rrjedh e rrjedh sërish
dhe kutërbon psenë

III.
qyteti është medaljon në qafën e zotit
Ne dehemi nga shkëlqimi i artë i yjeve
Banorët pemë të sapombjella lëvizin me ngut
Mbledhur i kanë rrënjët në bark
Shija shqisat
Përshembull e shijshme – e hijshme
përshembull – e robit dhe e zotit
përshembull ah oh – oh ah -ahti
përshembull ah-ti!
Një vajzë e bukur nëpër shi ndërkaq
Ecën në bulevard si perëndeshë e panjohur
me taka të larta si kullat e reja zhurmon
çadra që mban mbi kokë dy tela të këputur ka
hidheni çadrën laguni nëpër shi u them syve të mi
qyteti oh sa i ri kurse unë aq i vjetër
si lutjet medaljon në qafën e zotit në jerm
procesionin e vjetër e përcjell
sikur e vjell
dhe procesionin e ri
e pres në agoni

IV.
në ujrat që rrjedhin statujat janë peshq të kuq
Ato dalin nga njera-tjetra si matrioshka
Asnjëra s’më tërheq që ti them diçka për emrin enigmë
rrjedhën e rreme mëndeshë kutërbimi
këto statuja për qytetin asgjë s’dinë
jermi shpërndahet sakaq
dhuratat fillojnë të bien nji nga nji
ka dhurata qe bien e shuhen si qëllim i jermit
ka të tjera që vijnë nga të katër anët e ekstremit
gjuhë të huaja mërmëriten psherëtiten
pseudolavdi
ky qytet nuk ka pasur as mure e as portë
po nëpër rrugë kanë zhurmuar gjithmonë
eskortat

V.
me pendën e time ti dhe orën e nënës në dorë
Para etazherit shkundur nga tërmeti mëngjesin pres
Rrëkeja ndërkaq dhe lumi i njerëzve rrjedh pa zhurmë
Si shkumë
Zoti lexon lutjet e reja me shkronjat që fishkëllejnë
Ujrat dhe jermi gërryejnë enigmën e vjetër të emrit
Në medalionin e ri
Qyteti është një medaljon në qafën e qiejve
Varur në ujra që rrjedhin
Krijuar nga jermi i lutjeve të praruara nga zoti i qiejve
Qyteti im nuk bën përjashtim

VI.
ka qytete të famshëm që lidhen me një emër – një jerm
s’di historia e Efesit me Heraklitin a ju kujtohet
ky e mallkoi se Efesi kur votoi më të mirin me sikter dëboi
por bekimi a mallkimi i një jermi nuk zë
se është vetëm një lutje dhe lutja duhet të prarohet
ujrat rrjedhin për ta mbajtur në qafën e zotit medalionin
kur shihni aty një si zjarr po digjen në tufën e druve tabutë
kur shihni diçka që nuk e kuptoni është tempull
dhe fytyra e praruar e yllit në jerm
ka diçka për të thënë
që duhet të dëgjohet
kur shihni një shpirt që u skalit
e ka bërë teatri biblioteka katedralja
poezia e zhduk
atë që gabimisht e bukur u duk

Tiranë 7 korrik 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.