Kosova

Ndryshimi i kufijve, LDK kërkon mendimin e Gjykatës Kushtetuese

21:36 - 07.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas mbledhjes së kryesisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrimin e saj lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Përmes një njoftimi për media, LDK thotë se çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen përmes dialogut, por, kjo parti, ka kritikuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për siç ka thënë, “deklarata e pamatura” të dhëna ditëve të fundit.




“Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cënuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij”, thuhet në njoftim.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se është i hapur për mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, por jo dhe ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë, se në dialogun politik në Bruksel, do të flasë edhe për mundësinë e bashkimit me Kosovën, të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Sipas LDK-së, presidenti Thaçi nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog, pasi nuk është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës. Kjo parti, e cila është partia më e madhe opozitare në Kuvend, thotë se sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve, kufijtë e Kosovës janë të përcaktuara në Deklaratën e Pavarësisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cenuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

LDK thotë se është e gatshme të marrë pjesë në dialog, por vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme parlametare, pasi sipas kësaj partie, institucionet aktuale kanë humbur legjitimitetin qytetar.

Në mbledhjen e kryesisë së partisë morri pjesë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Kjo ishte paraqitja e parë e Mustafës në publik, pasi në janar të këtij viti, kishte udhëtuar për në Gjermani, pas problemeve shëndetësore. Mustafa kishte qëndruar atje për tre muaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.