AKTUALITET

Nis Festa e Birrës, turistët vendës dhe të huaj “dynden” në Korçë

08:20 - 08.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

KORÇË – Në qytetin e serenatave sot nis Festa e Birrës. Një festë kjo tradicionale e përvitshme, që mbledh në Korçë jo vetëm vizitorë shqiptarë, por edhe qindra turistë të huaj që presin të shijojnë birrën e famshme shqiptare, “Birra Korça”, që i ka dhënë edhe emrin kësaj feste. Çdo gjë është gati në Korçë, ku janë ngritur stendat dhe është krijuar infrastruktura e nevojshme. Për më tepër, policia e Korçës ka marrë masa shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit e për të mos lejuar asnjë cenim të sigurisë. Ashtu si çdo vit, kjo festë parashikohet të ketë një rekord pjesëmarrësish, ndërsa hotelet në Korçë kanë nisur me kohë prenotimet për të pritur jo vetëm pijedashës që dinë të vlerësojnë shijen e birrës më të mirë, por edhe adhurues të traditave të qytetit.




Edhe në këtë edicion organizatorët e festës janë kujdesur në detaje për të sjellë një program muzikor mjaft të mirë, me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm, ndërsa hyrja për të gjithë vizitorët vendës e të huaj që do të marrin pjesë në festë do të jetë falas. Festa me e madhe verore në Shqipëri do të vijë e organizuar në dy pole, tek Pazari i Vjetër dhe tek sheshi para stadiumit “Skënderbeu”.

Vizitorët vendës e të huaj do të bëhen pjesë e saj për 5 net me radhë. “Birra Korça” këtë vit vihet edhe më tepër në qendër të vëmendjes, pasi bëhet fjalë për një vit jubile, i cili përkon me 90-vjetorin e krijimit të saj, ndërsa organizatorët premtojnë surpriza të mëdha. Turistët dhe të apasionuarit e festës do të kenë mundësi të shijojnë birrën, e cila është vlerësuar edhe nga ekspertët ndërkombëtarë si një prej birrave më cilësore. Veç birrës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë edhe gatimet tradicionale.

 

MASAT E POLICISË
Më datë 08.08.2018 deri më 12.08.2018, në qytetin e Korçës, përpara stadiumit “Skënderbeu” si edhe tek Pazari i Vjetër do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës. Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin e manifestimin sa më normal të saj. Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, Pallati i Sportit, Qendra e Trajtimit të Studentëve, drejt Unazës së Stadiumit si edhe në rrugën “Niko Kovaçi” (rruga e dritave të verdha) duke filluar që nga data 08.08.2018, ora 10:00.

Sqarojmë të gjithë pjesëmarrësit se organizatorët kanë marrë masa për lejimin e parkimit pranë kompleksit sportiv, në afërsi të stadiumit. Ndërkohë do të lejohet hyrja në Unazën Lindore dhe Veriore të stadiumit, vetëm për automjete apo subjekte të veçanta që janë të autorizuar nga organizatorët e këtij eventi. Përgjatë shesheve dhe bulevardeve kryesore të qytetit, “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, ku ka përqendrim dhe qarkullim të madh njerëzish e mjetesh do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të policisë, të cilët do të mbikëqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, si edhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cenojnë sigurinë publike.

Në varësi të fluksit të mjeteve, Policia Rrugore do të marrë masa për orientimin dhe disiplinimin e lëvizjes si para, gjatë, por edhe pas përfundimit të aktivitetit, deri në normalizimin e saj. Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore. Shërbimet e Rendit do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si nënstacionet elektrike, ujësjellësi etj., për të forcuar masat e ruajtjes së tyre. Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme janë të lutur të telefonojnë tek nr. 129 i Policisë së Shtetit, pasi do u sigurohet një reagim i menjëhershëm. Policia e Korçës gjen rastin t’iu urojë argëtim sa më të këndshëm të gjithë pjesëmarrësve në këtë event festiv!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.